Arbëri

Qeveria lë veteranët pa propozim për lartësinë e pensionit

Rreth një muaj më parë përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së lartësisë së pensionit, meqë një ligj që ndodhet në proces ndryshimi në Kuvend nuk e garanton atë në lartësinë e pagës minimale. Në këtë organizatë kanë thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë shkresë nga Kurti, ani se ai u kishte premtuar se do të ofronte një propozim me shkrim. Veteranët kanë kërcënuar me protesta nëse synohet të kalojë ligji pa ua akomoduar kërkesat

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ende në pritje të propozimeve të Qeverisë për përfshirjen e lartësisë së pensionit të tyre në Projektligjin për Pagën Minimale.

Rreth një muaj më parë përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, pas protestave që bënë kundër dispozitës, nëpërmjet së cilës pensioni i veteranit nuk përfshihej në nivelin e pagës minimale.

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, pati thënë se do të presin propozimet me shkrim, sepse ashtu u ishte premtuar gjatë takimit.

“Përveç këtyre çështjeve që nuk u dakorduam, ai tha se do t’ju propozojmë diçka me shkrim e presim çka po dorëzon me shkrim. Por, qëndrimi ynë mbetet vetëm te pika 3.1 që të mos preket. Edhe ditën që do ta thërrasim seancën për lexim të dytë nëse vazhdojnë i treguam edhe në zyrë që ne do të jemi në protesta”, kishte thënë Klinaku pas takimit.

Klinaku përmes telefonit gjatë së hënës ka thënë se ende nuk kanë pranuar asgjë nga Zyra e Kryeministrit, teksa ka shtuar se qëndrojnë pranë kërkesave të tyre që kjo kategori të përfshihet në rritjen e pagës.

Në lidhje me këtë çështje nuk kanë kthyer përgjigje nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se beson që do të arrihet një dakordim me veteranët për një ligj të ri, por që do të siguronte listat e pastruara.

“Sa i përket kësaj po besoj se kemi pasur edhe një reagim apo deklarim publik edhe nga përfaqësues të shoqatave të veteranëve, dhe po besoj që mund të arrijmë një dakordim si të ecim tutje përpara me një ligj të ri që do të siguronte një listë të pastruar dhe pastaj të mund të bisedonim edhe për mënyrën se si të trajtohet dinjitetshëm kjo kategori e shoqërisë sonë”, ka thënë Murati.

Pastrimi i listave të veteranëve vazhdimisht është përmendur nga krerët institucionalë, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti.

“Ka shumë veteranë që kanë nevojë për vende pune, mirëpo për luftën çlirimtare duhet të ekzistojë një vlerësim meritor edhe material, veçse nuk duhet ta mashtrojmë as veten dhe as gjeneratat e ardhshme me numër të fryrë gati në trefishim, prandaj është e domosdoshme që një herë ta kemi pikënisje të vërtetën dhe më pastaj ta kemi vlerësimin e duhur”, kishte thënë Kurti.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan gjatë qershorit duke kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale, dhe kanë paralajmëruar protesta edhe në rast se projektligji dërgohet për lexim të dytë në Kuvend pa e akomoduar kërkesën e tyre.

Ndërkohë procesi gjyqësor në rastin e njohur si “Veteranët” është kthyer në rigjykim gjatë muajit prill, pasi Themelorja i liroi 12 të akuzuarit në këtë rast nga akuzat për keqpërdorim me listat e veteranëve.

Mbi 290 milionë euro janë shpenzuar që nga viti 2015 e deri tash për pensionet e 19 mijë e 500 veteranëve, një pjesë e të cilëve dyshohen të jenë përfitues të jashtëligjshëm.

Në shtator të 2018-s Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër anëtarëve të Komisionit për Verifikim të Statusit të Veteranit, që kryesohej nga ish-kryeministri Agim Çeku dhe Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Rrustem Berisha e tetë persona të tjerë.

Sipas aktakuzës, në disa audio-incizime dëgjohen të akuzuarit duke biseduar rreth fryrjes së listës, incizime që nuk ishin lëshuar në seanca të kaluara.

Audio-incizimet janë të paraqitura edhe në aktakuzë, të cilën e ka edhe KOHA, ku tregohet qartë se anëtarët e Komisionit për Verifikim të Statusit të Veteranit kishin folur për listat e fryra të veteranëve e dëshmorëve. Nga 54 faqe të aktakuzës, 5 faqe janë me transkriptime të bisedave mes anëtarëve të këtij komisioni.