Katër ditë pasi kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit për të dhënë dëshminë në rastin e rezervave shtetërore ashtu siç e urdhëroi Gjykata Themelore në Prishtinë, ka reaguar zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se ky rast nuk do të duhej të politizohej dhe se sipas tij ka pasur dezinformata dhe përpjekje për të sajuar perceptim të rremë për këtë proces.
“Duam të jemi të qartë: Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë. Përkundrazi, ka ofruar bashkëpunim të plotë për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj me integritet”, ka shkruar Kryeziu në Facebook, derisa ka vazhduar të insistojë se Kurti duhet të japë dëshminë në zyrën e tij duke u bazuar edhe në disa shembuj të mëparshëm. “Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?”
Kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit këtë të martë në Prokurorinë Speciale siç e urdhëroi Gjykata Themelore në Prishtinë. E Prokuroria Speciale paralajmëroi se do të ndërmarrë hapa në përputhje me ligjin.
Kurti ishte ftuar 3 herë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore por që nuk u është përgjigjur këtyre ftesave, duke thënë se është i gatshëm që dëshminë e tij ta japë në zyrat e tij.