Arbëri

Qeveria: Jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm

Një ditë pas takimit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Qeveri nuk treguan për rezultatin e diskutimeve në lidhje me kushtin ndërkombëtar për pjesëmarrje të Kosovës në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Por, nëpërmjet një përgjigjeje të shkurtër, zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se po punohet që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm

Nuk ka marrë epilog mësymja e ndërkombëtarëve për ta bindur Qeverinë që ta përmbushë kushtin për pjesëmarrje në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit, nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të rajonit dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu i tha KOHËS se autoritetet qeveritare janë duke punuar për zgjidhje.

“Po punojmë dhe jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”, ka thënë Kryeziu.

Gjermania ka kërcënuar Kosovën me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.

E, zyrtarë të BE-së kanë deklaruar në disa raste se ndalesa e importeve serbe është në kundërshtim me Marrëveshjen CEFTA.

Por në CEFTA nuk folën për zhvillimet që lidhen me Kosovën.

Në një përgjigje që sekretariati i këtij mekanizmi e dha për KOHËN, janë dhënë informacione për takimin e fundit të ministrave të ekonomisë, që është mbajtur në Berlin, dhe është shprehur vlerësimi për 10 marrëveshje në fusha të ndryshme të lidhura me tregtinë.

“Këto marrëveshje janë vendimtare për ndërtimin e tregut të përbashkët rajonal dhe sjellin përfitime të prekshme si për bizneset ashtu edhe për konsumatorët, duke sjellë edhe CEFTA-n më afër tregut unik të BE-së, që është gjithashtu një mundësi e ofruar nga Plani i Rritjes së BE-së”, thuhet në përgjigjen e Sekretariatit të CEFTAS.

Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë. Emisari gjerman tha se nëse Kosova e heq masën, ajo do të përfaqësohet vetë, dhe jo nëpërmjet UNMIK-ut në CEFTA. 

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kërkuan që Qeveria të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se masa e sigurisë ndaj produkteve serbe duhet të hiqet.

“Ne si odë kemi kërkuar që të vlerësohet dhe besojmë që masa e sigurisë duhet të largohet në mënyrë që të mos përjashtohemi prej tavolinës së CEFTA-s. Kur diskutohet për CEFTA-n duhet të jemi pjesë e tavolinës dhe të mos harrojmë se CEFTA është e lidhur edhe me Procesin e Berlinit, me Tregun e Përbashkët Rajonal, por do të jetë e lidhur edhe me Planin Zhvillimor që është i Komisionit Evropian, ku Kosova pritet të përfitojë  900 milionë euro”, ka thënë Rafuna.

Në Samitin e Procesit të Berlinit pritet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit. Një ditë më parë kryeparlamentari Glauk Konjufca shprehu optimizëm për gjetjen e një zgjidhjeje para se të nisë Samiti.