Arbëri

Qeveria ia jep pronat e APK-së në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së

Mbledhja e Qeverisë

Foto: Alban Bujari

Qeveria e Kosovës ka miratuar dhënien në shfrytëzim të pronave të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës - gjithsej 100 hektarë në Batllavë të Podujevës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve Ushtria e Kosovës po forcohet. 

“Ushtrinë tonë po e rrisim dhe forcojmë, më shumë dinjitet, më shumë kushte, më shumë buxhet e më shumë armatim po i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës ... sot me datën e rënies së heroit Zahir Pajaziti, do të marrim vendim për dhënien në shfrytëzim të ushtrisë të pronës në Batllavë, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së do të shfrytëzohen pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, përkatësisht pronës shoqërore ne Batllavë më sipërfaqe prej 100 hektarësh e cila do të vihet në shfrytëzim për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë sonë”.

Ka miratuar propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Dollc-Ramun; propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N2 segmenti “Hyrja në qytetin e Ferizajt”; propozim vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Ndërtimi i rrugës rajonale R-118 Mushtisht-Shtëprcë; propozim vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti QMI-Lipjan.

Qeveria ka miratuar po ashtu kërkesën për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim me shumë prej 2.3 milionë euro në periudhën 1 janar-31 dhjetor 2025, si dhe atë për pagesë të 30 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

Ndërkaq, kabineti ka miratuar themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë – me kryesues ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Prishtinës për aprovimin e buxhetit për vitin 2025, pas miratimit të tij nga Kuvendi Komunal, ndërsa ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndarje të mjeteve buxhetore në shumë prej 5000 euro për realizimin e projektit “Shtëpia Nr.10” në qytetin e vjetër në Janjevë në Lipjan.

Kabineti qeveritar u mblodh të premten.