Arbëri

Qeveria i rrit shtesat për fëmijët, vendimi shihet si kalkulim parazgjedhor

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se duke nisur nga gushti shtesat mujore për nënat që i kanë nga një ose dy fëmijë do të jenë nga 20 euro për akëcilin fëmijë, ndërsa për ato që i kanë nga tre e më shumë, vlera e shtesave për secilin fëmijë do të jetë nga 30 euro në muaj. Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kostoja vjetore e ridizajnimit të skemës do ta kapë vlerën e 120 milionë eurove. E përfaqësues të partive opozitare e kanë kualifikuar vendimin si politik dhe në funksion të fushatës parazgjedhore

Qeveria e ka ridizajnuar të enjten skemën për shtesat e fëmijëve duke i rritur ato për nga 10 dhe 20 euro. 

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur në një konferencë shtypi të enjten se nisur nga muaji gusht, shtesat mujore për nënat që i kanë nga një ose dy fëmijë do të jenë nga 20 euro për akëcilin fëmijë, ndërsa për ato që i kanë nga tre e më shumë, vlera e shtesave për secilin fëmijë do të jetë nga 30 euro në muaj.

“Skemën e shtesave për nëna dhe fëmijë po e ridizajnojmë dhe me rritje të shtesave po i dyfishojmë për shumicën e nënave dhe në disa raste trefishojmë, kur nëna ka tre fëmijë a më shumë. Për fëmijën e parë dhe të dytë shtesat do të jenë nga 20 euro në muaj secilit, e për nënat me tre fëmijë e më shumë shtesat do të jenë 30 euro në muaj për secilin fëmijë”, ka thënë ai.

E ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, është shprehur se skema e ridizajnuar do të hyjë në fuqi në muajin e ardhshëm, derisa ka shtuar se kostoja vjetore e saj do ta kapë vlerën e 120 milionë eurove.

“Jemi munduar që të sigurohemi që të rritet mbështetja dhe kësisoj të rritet edhe mirëqenia për të gjithë fëmijët. Për fëmijën e parë është 20 euro në muaj, apo 240 euro në vit. Për fëmijën e dytë, apo për dy fëmijë është 2 herë nga 20 euro apo 480 euro në vit, ndërkaq me fëmijën e tretë, pra bëhet një kapërcim substancial në shumë, sepse për të tre fëmijët shtesat bëhen 30 euro në muaj, 90 euro për tre fëmijët dhe 1080 euro në vit. Kjo skemë do të hyjë në fuqi nga muaji i ardhshëm, pra nga muaji gusht, në datën e zakonshme që bëhet ekzekutimi, do të bëhet edhe sipas skemës së re”, ka theksuar Murati.

Në korrik të vitit 2021, Qeveria e pati miratuar Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në të cilën është përfshirë edhe Skema e Shtesave për Fëmijë. Deri më tash shtesat për fëmijë kanë qenë 20 euro për fëmijët deri në 2 vjeç dhe 10 euro për ata të moshave nga 2 deri në 16 vjeç.

E rritjen e vlerës së shtesave për fëmijët e kanë kualifikuar si politik dhe në funksion të fushatës parazgjedhore përfaqësuesit e partive opozitare.

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike (LDK), u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos mashtrohen nga vendimi i Qeverisë Kurti.

“Ju nuk jeni brenga e Albin Kurtit, vota juaj është. Sot, në emër të mirëqenies së fëmijëve, Qeveria e dështimeve dhe e korrupsionit filloi zyrtarisht fushatën me ‘skema për blerje të votave’. Në këmbim të votës së tyre u kthehet qytetarëve vetëm një pjesë e asaj çfarë Qeveria ka marrë nga ata qe tre vjet e gjysmë, si pasojë e çmimeve më të larta. Mos u mashtroni! Këto skema duhet të kuptohen drejt, nuk po lansohen se Qeveria brengoset për qytetarët, sepse sikur qytetarët të ishin brenga e kësaj Qeverie, shtesat, pagat dhe pensionet do të rriteshin në vitin 2022, kur inflacioni ishte dyshifror - nuk u rriten atëherë, edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës insistoi, por u rriten sot”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.

Haki Shatri, zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-ministër i Financave, e ka quajtur vendimin si të kalkuluar për përfitime zgjedhore.

“Këta e kanë kalkuluar, në mënyrë që kjo rritje të shkojë në funksion të fushatës parazgjedhore, është shumë e tejdukshme, është shumë e qartë, pse e kanë shtyrë shtatë muaj, tash është ofruar fundi i mandatit, po bëjmë rritjen, gjoja se po bëhet dyfishim, mirëpo kjo nuk është dyfishim, sepse krejt vitin shuma që është 50 për qind, por Qeveria e ka rritur në gjysmën e dytë të vitit, për m’i ra që është dyfishim i shtesave të fëmijëve”, ka shkruar ai në Facebook.

E njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, ka thënë se me gjithë rritjen, shtesat për fëmijë janë të ulëta.

“Këto vlera që po jepen për kokë të fëmijëve janë shumë të vogla, është mjaft hap pozitiv, por jo mjaftueshëm ndikues për zgjidhjen e çështjes së natalitetit, e gjithë kjo po bëhet të tregojnë rezultate të qeverisjes politike, por jo të zgjidhjes”, ka theksuar ai.

Përfituese nga skema e shtesave aktualisht janë nënat e 403 mijë fëmijëve.