Ndërtimi i një objekti të ri në Gjilan, dedikuar të moshuarave, ka marrë miratimin në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën. Por në Gjilan ka tre vjet që një kompleks për këtë kategori personash është nën dry. Në Qeveri nuk pranuan të flasin për të
Kërkesa e Komunës së Gjilanit për ndërtimin e objektit për qëndrim ditor për të moshuarit ka marrë dritën e gjelbër nga tri institucione të nivelit qendror.
Pas Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kërkesa është miratuar të mërkurën edhe nga Qeveria, duke dhënë në shfrytëzim hapësira të spitalit të Gjilanit për ndërtimin e qendrës.
Pos qendrës, në hapësirën prej 5 mijë metrash katrorë, sipas kryeministrit Albin Kurti do të ndërtohet edhe një objekt tjetër.
“I dhamë në shfrytëzim Komunës së Gjilanit parcelën prej 5 mijë metra katrorë ku planifikohet të ndërtohet shkolla e mesme e mjekësisë dhe objekti për qëndrim ditor për të moshuarit”, ka thënë kryeministri Kurti.
KOHA një muaj më parë raportoi se si Komuna e Gjilanit planifikon të ndërtojë objekt të ri kushtuar personave të moshuar, derisa hapësirat e kompleksit “Fshati i lumtur”, të parapara edhe për kategori, qëndrojnë të pashfrytëzuara tash e tre vjet.
Veç kësaj, më 2023 në Kuvendin Komunal, nëntë objekteve të këtij kompleksi, investim i Qeverisë së Kuvajtit, u tentua t’u ndryshohej destinimi për t’iu dhënë në shfrytëzim Medresesë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk deshi të flasë për kompleksin që nuk po shfrytëzohet në Gjilan. Foli për projektin e ri, e për “Fshatin e lumtur” tha se duhet pyetur Komuna e Gjilanit.
“Nëse janë në pronësi të Komunës së Gjilanit besoj që kjo pyetje duhet t’i adresohet Komunës së Gjilanit. Në takim, edhe në kërkesën që ka ardhur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, është arsyetuar mjaft mirë arsyeja pse duhet të ndërtohet shkolla e mesme e mjekësisë në këtë komunë dhe natyrisht me shumë kënaqësi, marrë parasysh edukimin e profesionistëve në të ardhmen, ne kemi pranuar këtë”, ka thënë Vitia. “Pjesa tjetër e parcelës është një pjesë për qëndrim ditor të pensionistëve dhe marrë parasysh edhe nga qendra të tjera nga janë hapur këtu, nëse ju kujtohet gjatë viteve 2017-2018 edhe në Komunën e Prishtinës ku qendra të tilla kanë ndikuar edhe në shëndetin, por edhe në mirëqenien dhe socializimin e pensionistëve dhe personave të moshuar, natyrisht se kjo kur ka një kontribut të tillë dhe kur ka efekt të tillë te kjo kategori e shoqërisë shumë e rëndësishme e shoqërisë sonë, ne vetëm e kemi ndarë këtë pjesë të tokës”.
Muaj më parë, në një seancë të Kuvendit Komunal, kryetari Alban Hyseni pati thënë se kostoja e mirëmbajtjes së objekteve ekzistuese përbën barrë të madhe për komunën.