Arbëri

Qeveria Hoti do sprapsje afatgjate nga forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Qeveria e Kosovës është përcaktuar të abstenojë deri në vitin 2023 nga forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ndonëse zgjedhjet pritet të mbahen shpejt, ajo e ka miratuar Planin e Punës për vitin e ardhshëm, e ku theksohet se aplikimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare nuk do të bëhet para vitit 2023. Qeveria miratoi edhe Programin Legjislativ dhe Listën e dokumenteve strategjike

Prishtinë, 30 dhjetor – Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti ka bërë projeksione mbi politikat e Ekzekutivit për tre vjetët e ardhshëm, ani se vendi do të shkojë në zgjedhje në fillimvit, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se ajo është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Në një mbledhje korresponduese, Kabineti Qeveritar ka miratuar Planin e Punës për vitin 2021, e ku janë listuar veprime edhe për dy vjetët vijues.

Përcaktimi për të abstenuar deri në vitin 2023 nga forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është shprehur në këtë dokument.

Pasi dy javë më parë KOHA raportoi për përmbajtjen që ndodhej sa dokumenti ishte vetëm draft, Zyra e Kryeministrit publikoi një sqarim, duke thënë se bëhej fjalë për gabim teknik.

“Në fillim të vitit 2020 hartimi i PPQ-së ka kaluar nga formati njëvjeçar në atë trevjeçar, ku janë përfshirë edhe hapat proceduralë që supozohen të ndërmerren në vitet pasardhëse. Ky ndryshim ka rezultuar me shfaqjen e disa gabimeve teknike gjatë procesit të hartimit. Një ndër to është edhe mosvendosja e aktiviteteve të planifikuara në rubrikat përkatëse”, thuhej në sqarim. “Konkretisht, aktivitetet e MPJD-së për vitin 2022 janë vendosur gabimisht në rubrikën e aktiviteteve për vitin 2023”.

Por, pika ka mbetur e pandryshuar. Bazuar në të, në vitin e ardhshëm vetëm do të hartohet lista e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për Kosovën. Për vitin 2022 është planifikuar të bëhet përgatitja e aplikacioneve dhe eventualisht aplikimi në organizata më të vogla. E, tek për në vitin 2023 është paraparë të aplikohet në institucionet dhe organizatat që kanë rol të madh në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, si në Këshillin e Evropës, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNESCO dhe Organizatën Botërore të Tregtisë.

Shtatorin e sivjetmë kryeministri Hoti ka firmosur një letër zotimi në Shtëpinë e Bardhë, për moratorium njëvjeçar për aplikimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pasojat e këtyre zotimeve nuk do të jenë të vogla, patën paralajmëruar në shoqërinë civile.

“Njëjtë si i shohim sot pasojat e marrëveshjes 2013, 2016 për çështjen e Asociacionit, ashtu edhe precedenti që është bërë për të mos aplikuar në organizatat ndërkombëtare do të krijojë pasojat në fuqizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK.

Krahas Planit të Punës për vitin 2021, në të njëjtën mbledhje Qeveria miratoi edhe Programin Legjislativ dhe Listën e dokumenteve strategjike. Bazuar në këto dokumente, Kuvendit nuk do t’i procedohet për votim ndonjë ligj deri në marsin e vitit të ardhshëm, kur pritet të formohet qeveria e re.