Arbëri

Qeveria fsheh informatat që ia ka shpalosur Serbisë mbi strukturat ilegale

Qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i vërë në dispozicion informacionet që lidhen me strukturat ilegale serbe. E ka bërë këtë, nën justifikimin se ato janë pjesë e një raporti të klasifikuar të AKI-së. Por zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati thënë më herët se ato i ka përcjellë në takimin paraprak në Bruksel, që e kishte me delegacionin serb. Këtë e kanë kualifikuar si shkelje të rëndë në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së

Informatat që ia ka prezantuar Serbisë mbi strukturat ilegale, Qeveria ka vendosur t’ia mbajë fshehtë publikut në Kosovë. Në një postim të publikuar në profilin e tij në Facebook më 12 korrik, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati treguar se në takimin paraprak që e ka pasur në Bruksel me autoritetet serbe, kishte listuar strukturat ilegale. E kishte bërë këtë, për t’ia argumentuar Beogradit zyrtar që kërkonte themelimin e Asociacionit, se nuk e kishte zbatuar marrëveshjen që ka të bëjë me shuarjen e strukturave paralele.

“I kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i Parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre”, kishte shkruar Bislimi.

Bazuar në Ligjin për qasje në dokumente publike, në gusht, KOHA ka kërkuar qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me këto struktura.

Janë kërkuar: kopjen e dokumentit ose dokumenteve që përmbajnë emrat ose informatat për strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë, si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa; kopjen e dokumentit ose dokumenteve që dëshmojnë se Serbia ka fuqizuar së fundmi këto struktura, nëpërmjet vendimeve për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i Parlamentit serb, dhe; kopjen e dokumentit ose dokumenteve mbi buxhetin me të cilin Serbia i mbështet këto struktura.

Zyra e kryeministrit e ka refuzuar këtë kërkesë, nën justifikimin se informatat janë të klasifikuara.

“Informatat të cilat po kërkohen nga ana juaj janë pjesë e një raporti të klasifikuar të AKI-së. Andaj, ky ligj nuk aplikohet për dokumentet apo informacionet e klasifikuara, në bazë të nenit 2 par. 5. Rrjedhimisht, në rast të lejimit të qasjes në dokumentacion të klasifikuar, Qeveria do të bënte shkelje të Ligjit për qasje në dokumente publike”, thuhet në përgjigje. “Marrë parasysh atë që u tha më lart, kërkesa juaj për qasje në dokumente publike refuzohet”.

Zyra e kryeministrit nuk u është përgjigjur as pyetjeve të KOHËS mbi arsyet se pse informatat që ndahen me autoritetet e Serbisë e që lidhen me strukturat ilegale serbe në Kosovë duhet mbajtur fshehtë nga publiku në Kosovë.

Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), ka shprehur pakënaqësi me veprimin e zëvendëskryeministrit Bislimi.

“Zëvendëskryeministri ka bërë shkelje të rëndë, sepse vetë zëvendëskryeministri, unë nuk kam njohuri që e ka certifikatën e sigurisë dhe s’është i autorizuar që të ketë qasje në dokumente të klasifikuara”, ka thënë ajo. “Aq më tepër, përbën skandal dhe rrezikim të sigurisë kombëtare nëse ai këto dokumente i ka shpalosur ose këto informacione i ka ndarë me palën serbe”.

Deputetja Musliu ka përmendur edhe veprime nga Komisioni.

“Nëse ne e vërtetojmë që ky ka bërë shkelje, krejt çka mund të kërkojmë është që ndaj zëvendëskryeministrit të merren masa, sepse ka bërë një vepër që e dëmton sigurinë kombëtare të vendit dhe rendin kushtetues në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ajo.

Qeveritë e mëhershme kanë publikuar raporte periodike mbi realizimin e marrëveshjeve të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në shumë nga to ndodheshin edhe informacione mbi strukturat ilegale që Serbia i mban në Kosovë.

Një i tillë nuk është publikuar ende nga Qeveria Kurti, një delegacion i së cilës është kryesuar nga zëvendëskryeministri Bislimi të martën, kur ka marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.