Qeveria Kurti ka paralajmëruar veprime në kundërshtim me zotimet që ish-kryeministri Hoti i kishte firmosur në Washington, në mesin e të cilave ishte edhe moratoriumi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Mbështetur në një dokument, brenda dy javësh, qeveria e re do të marrë vendim për fillimin e procedurave të anëtarësimit në së paku një organizatë. Në Zyrën e Kryeministrit e as në Ministrinë e Jashtme nuk kanë dhënë informata për këtë, ndërkaq në shoqërinë civile kanë paralajmëruar për pasojat që mund t’i prodhojë kjo vendimmarrje
Kur në shtator Avdullah Hoti firmosi një dokument në Shtëpinë e Bardhë, pranoi që Kosova të zbatojë një moratorium njëvjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Por, qeveria e re ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me këtë zotim, i cili ishte kritikuar nga partia në pushtet edhe në kohën kur ishte dhënë në Washington.
Është ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ai që e ka kumtuar aplikimin në një organizatë ndërkombëtare, në një letër adresuar Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Brenda dy javësh nga sot, Qeveria e Kosovës – me propozim të MAPL-së - do të marrë vendim për fillimin e procedurave të anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneriteti për Qeverisje të Hapur – PQH (Open Government Partnership – OGP)”, thuhet në shkresë, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Parakusht për një proces të drejtë është bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe për këtë me vendim qeveritar do të përcaktohet se tërë procesi do të udhëhiqet nga Komiteti Nacional Koordinues, i përbërë me shumicë nga organizatat e shoqërisë civile, institucionet publike dhe sektori i biznesit”.
Në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë ofruar informacione që lidhen me zotimin për të mos aplikuar në organizata ndërkombëtare.
As në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk i kanë treguar arsyet pse s’do ta respektojnë moratoriumin. Një ditë më parë kanë thënë se një përgjigje do të sigurohej të enjten, por këtë nuk e kanë bërë gjatë ditës.
E, në shoqërinë civile bëjnë apel për transparencë rreth kësaj vendimmarrjeje.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmend edhe pasoja që për burim e kanë këtë vendim.
“Nëse Qeveria Kurti është duke aplikuar apo po pretendon që të aplikojë në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe këtë duke e bërë edhe pa pasur një konsultim paraprak apo një dakordim edhe me SHBA-në, si ndërmjetësuese e procesit, ajo duhet të thuhet. Më pas edhe mund të shohim se çfarë pasojash mund të ketë”, ka thënë Krasniqi. “Zotimet janë nënshkruar nga ana e Qeverisë së Kosovës, janë zotime që Kosova i ka marrë përsipër dhe çfarëdo lloj veprimi në kuadër të kësaj marrëveshjeje, qoftë zbatim apo mohim, apo moszbatim i pikave të saj, duhet të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me SHBA-në, si ndërmjetësuese dhe garantuese e kësaj marrëveshjeje”.
Në subjektin politik që e drejtonte Qeverinë në kohën kur u firmosën zotimet në Washington kanë folur për qëndrime kontradiktore që ka për këtë dokument partia e cila tash qeveris me vendin.
“Në fushatën parazgjedhore, përfaqësuesi i Vetëvendosjes ka deklaruar në disa prej këtyre debateve që organizoheshin para zgjedhjeve që në momentin e parë që vijnë në pushtet do të kërkojnë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Dhe, kjo i bie shkelje e marrëveshjes”, ka thënë Shqipe Mjekiqi-Sadiku, nënkryetare e LDK-së, në emisionin DESKU të KTV-së.
“Ata ishin në atë kohë kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa tash i bie që janë në frymën e kësaj marrëveshjeje për vetë faktin që s’kanë kërkuar anëtarësim në organizata”.
Mbështetur në dokumentin e firmosur shtatorin e vjetëm nga Hoti në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të pranojë të zbatojë një moratorium njëvjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. E njëjta pikë thotë se Serbia do ta bëjë një moratorium njëvjeçar për ndalje të fushatës së saj të çnjohjes dhe do të përmbahet të kërkojë nga ndonjë shtet ose organizatë ndërkombëtare që të mos e njohë Kosovën si një shtet të pavarur. Të dyja marrëveshjet kishin hyrë në fuqi menjëherë.
Në funksion të zbatimit të kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme kishte lëshuar një qarkore për të gjitha institucionet, nëpërmjet së cilës kërkohej të tërhiqeshin të gjitha aplikimet dhe theksohej se për një periudhë 1-vjeçare Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare.