Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka arsyetuar çmimet e produkteve medicinale shumëfish më të larta sesa aktualet, që janë prezantuar një muaj më parë në draftin e parë të listës së unifikuar të çmimit të barnave.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, të martën, ai ka justifikuar zyrtarët që e kanë hartuar listën, duke thënë se janë të arsyeshme gabimet teknike gjatë realizimit të një procesi që është bërë për herë të parë në Kosovë.
Ministri Vitia ka deklaruar se ndonëse e ka nënshkruar listën, ka reaguar sapo është informuar për shumëfishimin e çmimeve.
“Ndoshta kam qenë i pari që kam marrë këto informacione që më kanë treguar se janë përvjedhur disa gabime, që po siç thatë ju ka pasur rritje nga 100 për qind deri në shkallën ju e thatë 3000 për qind dhe po e marr si të mirëbesueshme, ndoshta mund të ketë edhe 4000 ose 5000 për qind. Por në momentin që e kam parë ketë jemi ulur me Komisionin kemi diskutuar”, ka thënë Vitia.
Pas vërejtjeve të shprehura edhe publikisht, lista është anuluar, me propozim të Komisionit të Ankesave.
Deputetë opozitarë insistuan se shumëfishimi i çmimit në listën e unifikuar të barnave, nuk ka qenë thjesht gabim teknik.
“Ato që e thatë ministër edhe që na është thënë: janë disa gabime teknike që komisioni i ka evidentu. Sot është një muaj. Tash ju thatë që në shtator ose vjeshtë behët lista finale. Pra nëse janë gabime teknike, nëse janë evidentuar disa lëshime teknike në çmime, pse duhet 3 muaj ditë me pasë prolongim të këtij procesi”, ka thënë deputeti nga radhët e LDK-së, e po ashtu ish-ministër i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka shprehur vërejtjet e tij.
“Përshtypjet e të gjithëve kanë qenë që pas miratimit të ligjit të barnave do të ketë ulje të çmimit dhe jo ngritje të çmimit. Në disa analiza që ia kemi bërë asaj liste, na del se në shumë produkte medicinale çmimi është rritë shumëfish. Ka rritje 100 për qind. Komisioni në një takim që kemi pasë kanë thënë që kanë qenë gabime në rritje deri në 3000 për qind”, ka thënë Haxhiu.
Ligji që parasheh rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat është miratuar në korrik të vitit të kaluar. Lista me çmimet obliguese parashihej të bëhej për katër muaj, por kjo ende s’ka ndodhur.
Me këtë ligj parashihet që të bëhet unifikimi i çmimit të barnave në tregun privat, por me të do të ketë edhe çmime standarde edhe për produktet që blihen përmes prokurimit për institucionet shëndetësore publike.
Për pasojë, tregu farmaceutik është ende plotësisht i parregulluar sa i përket çmimit të barnave.
Pothuajse identik me këtë ligj në vitin 2019 ishte nxjerrë një udhëzim administrativ, por që nuk u zbatua asnjëherë.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk e ka unifikuar çmimin e barnave.