Arbëri

Qeveria e Kuvendi injoruan për rreth katër vjet prokurimin publik

Të pakta janë rezultatet që Qeveria e Kuvendi i Kosovës kanë shënuar në fushën e prokurimit publik. Institucionet kyçe mbetën pa titullarë e për katër vjet nuk u bë përpjekje as të finalizohej ligji special për këtë fushë. Shoqëria civile akuzon pushtetin se këtë fushë nuk e mori me seriozitet.

Disa muaj para se Qeveria Kurti ta përfundojë mandatin katërvjeçar, rezultatet e dikastereve të caktuar në fushën e prokurimit janë pothuajse të pavërejtshme.

Institucionet kyçe nuk kanë arritur të stabilizohen me menaxhim, e qe pesë vjet nuk ka arritur të finalizohet as amendamentimi i Ligjit të Prokurimit Publik që do të avanconte ngecjet që janë identifikuar viteve të fundit në zbatim të këtij ligji.

Konkursi për drejtor të Agjencisë Qendror të Prokurimit është hapur para disa javësh.

Ky institucion i rëndësishëm është që nga viti 2021 me ushtrues detyre.

Ministria e Financave tashmë e ka hapur konkursin, por organizatat e shoqërisë civile e kritikojnë për mosrespektim procedurash.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është institucion kryesor që vendos për interpretimin e rregullave që përdoren në prokurim publik.

Kryetari i këtij institucioni qe 3 vjet është pa mandat.

Drejtoresha e organizatës INPO, Albulena Nrecaj, ka deklaruar që në rastin e mosndërmarrjes së veprimeve për plotësimin e pozitës së kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Qeveria e Kuvendi kanë dëshmuar se sa joseriozisht e kanë trajtuar ketë fushë.

“Shto faktin këty që ky bord akoma nuk ka raportuar as në Kuvendin e Republikës së Kosovës, respektivisht në Komisionin Funksional të cilët e mbikëqyrin punën e këtij institucioni për arsy mos të themi nga banalet që ky komision nuk ka pasur kuorum për t’i pritur në raportim e në këndvështrimin e organizatës sonë INPO është e rëndësishme që ky bord të raportojë në Kuvend dhe të dihen sfidat e problemet që ballafaqohen”, tha Nrecaj.

Organi Shqyrtues i Prokurimit konsiderohet institucioni më i rëndësishëm i prokurimit publik. Nga pesë anëtarë sa do të duhej t’i kishte, ky institucion i ka vetëm tre.

Kryetarja Vjosa Gradini Mexhuani, është dorëhequr javën e kaluar, për t’u bërë notere.

OSHP-ja ka konfirmuar këtë largim, duke treguar që një anëtar tjetër tashmë është bërë kryetar.

“Ju informojmë që sipas nenit 102, pika 3 të Ligjit për Prokurimin Publik, këtë pozitë do ta ushtrojë z. Isa Hasani”, tha OSHP-ja.

Sipas Nrecajt, kjo nuk parashihet në ligj. Ajo thekson se të gjitha këto mungesa në fushën e prokurimit nuk janë rastësi.

“Si duket për Qeverinë nuk është relevante investimi në reformën e menaxhimit të financave publike, në menaxhimin e prokurimit publik, siç e kam thënë edhe përmes një reagimi kjo vërehet mirë me zvarritjen që po i behët një projektligji për prokurimin publik i cili ka filluar qysh në vitin 2019 dhe po shihet që po zvarritet dhe askush nga Qeveria nuk ka ide se ku është ky proces”, tha Nrecaj.

Shumë reagime publike të institucioneve vendore e ndërkombëtare kanë qenë të lidhura pikërisht me mënyrat se si menaxhohet në fushën e prokurimit publik.