Qeveria i është kundërpërgjigjur Bashkimit Evropian, zyrtarë të të cilit një ditë më parë thanë se Kosova e ka pranuar në parim Draftstatutin e Asociacionit. Zyrtarë qeveritarë i thanë KOHËS se dokumenti ka statusin e një non-paperi, e për të cilin theksuan se nuk mund të nxirret nga pakoja ë Marrëveshjes bazë dhe Aneksit për zbatimin e saj.
Qeveria ia ka dhënë epitetin e non-paperit draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin një vit më parë e ka propozuar Bashkimi Evropian.
Një ditë më parë zyrtarë të BE-së thanë se dokumenti është pranuar në parim nga Kosova dhe insistuan që Asociacioni të formohet në bazë të tij.
E, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka thënë KOHËS se dokumenti është veç një prej shumë propozimeve.
“Draftstatuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell, e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të kryeministrit Kurti. Statusi i draftstatutit është ai i një non-paperi, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, ka deklaruar Kryeziu.
Në Qeveri insistuan se draftstatuti nuk mund të nxirret nga paketa e Marrëveshjes bazë dhe Aneksit të saj, të cilat kryeministri Albin Kurti ka insistuar se duhet nënshkruar nga pala serbe.
“Qëndrimet dhe propozimet tona gjithmonë respektojnë një rend të gjërave. Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draftstatutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes së paku de facto reciproke”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë.
Sipas Kryeziut, pasi nuk ka pasur nënshkrim nuk ka as pranim.
“Kjo nuk është hera e parë që ofertat nga ana e kryeministrit Kurti që kanë të bëjnë me zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike janë refuzuar. Një e tillë ishte refuzuar edhe në Ohër në mars 2023, kur kryeministri Kurti kishte shprehur gatishmërinë për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, letrës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, të vitit 2015 dhe opinionin e publikuar të emisarit amerikan, Escobar, dhe këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet, në vitin 2023. Kërkesat tona gjithmonë kanë për qëllim sigurimin dhe garantimin e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të dakorduara. Andaj edhe ekziston insistimi ynë që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit”, ka thënë ai.
Kërkesa e Bashkimit Evropian që Asociacioni të formohet mbi draftin e propozuar, duke e proceduar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, është përfshirë edhe në Raportin për Kosovën, të publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian.