Komuna e Prishtinës dhe niveli qendror janë vazhdimisht në betejë meritash. Pas asaj me Lojërat Mesdhetare, kryeqyteti dhe Qeveria kanë nisur sulmet ndaj njëra-tjetrës për marrjen e meritave për projektin për ngrohje solare, që në fakt financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Grupi i Bankës Gjermane për Zhvillim
Parcela për vendosjen e paneleve solare kishte përçarë vite më parë Komunën e Prishtinës e Qeverinë, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.
Në Shkabaj, fshat i ndarë mes Prishtinës e Obiliqit ishte përcaktuar lokacioni për të vendosur panelet solare, të cilat do t’i ofronin një pjese të madhe të Prishtinës ngrohje.
E disa vjet më pas, Prishtina e udhëhequr nga Përparim Rama dhe Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti janë në luftë meritash për projektin milionësh.
Derisa Prishtina e Obiliqi si komuna nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për këtë projekt, ishte ministri i Financave, Hekuran Murati, që tha se i vjen turp për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se si dëshiron të përvetësojë meritat derisa publikoi një vendim të muajit mars të ministrit Liburn Aliu, që dakordohej për lokacionin e vendosjes së paneleve solare.
“Gjermanët e kanë një shprehje ‘fremdschämen’, që përafërsisht i bie ‘ai momenti kur ty të vjen turp për të bëmat e tjetrit’. Kjo shprehje m’u kujtua kur pashë atë që paska shkruar Përparim Rama sot, i cili paska plasuar edhe një gënjeshtër, pas asaj për Lojërat Mesdhetare, në tentativën e tij për të marrë merita për punët e të tjerëve. Gënjeshtra më e fundit ka të bëjë me gjoja “sigurimin e lokacionit” nga ana e tij për projektin e Ngrohjes Solare. Përparim, lokacioni është siguruar qysh në mars të vitit 2022. Shih postimin e ministrit Aliu asokohe. Si Ministri e Financave e kemi siguruar madje edhe financimin për këtë projekt. Marrëveshjet për financim i kam nënshkruar qysh në dhjetor të vitit 2022, ku pjesa më e madhe, mbi 54 milionë euro, janë grante që kemi siguruar nga Qeveria e Gjermanisë dhe nga BE-ja. Në vend se të marrësh merita për punët që nuk janë tuat, bën mirë t’u tregosh qytetarëve të Prishtinës se pse pikërisht ky projekt me vlerë mbi 80 milionë euro është bllokuar qe gati një vit në Kuvend, për shkakun se LDK nuk e voton ratifikimin e marrëveshjes me BERZH”, ka shkruar Murati në Facebook.
E menjëherë ka reaguar Rama, i cili ka akuzuar Qeverinë për bojkot të vazhdueshëm të projekteve kapitale në kryeqytet.
“’Projekti Solar4Kosovo’ duhet të na bëjë bashkë e jo të na ndajë.
Për të parën, unë po punoj për çdo ditë - për të dytën ministri i Financave.
Tash e sa kohë, puna ime po u pengon ministrave të caktuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilët në vend se të ndihmojnë në zhvillimin e kryeqytetit, bllokojnë projektet e sulmojnë me gjuhën më të ulët.
Një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, për realizimin e projektit të ngrohjes diellore ‘Solar4Kosovo’. Me anë të kësaj marrëveshjeje, ne si kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e kryeqytetit nuk bëhet projekti. Për këtë marrëveshje, kryeqyteti dhe Komuna e Obiliqit kanë punuar 18 muaj në mënyrë intensive, dhe në këtë proces kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit për ta rregulluar jetën e qytetarëve”, ka shkruar Rama.
E në luftën mes Qeverisë e Komunës ka reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në kohën e të cilit kishte nisur projekti.
“Ministër Hekuran Murati, mirë është me fol me Liburn Aliun edhe kush e ka nisë këtë projekt e kush ka negociu fillimisht e kush i ka bo bashkë KfW e EBRD e kush i ka bo bashkë kryetarin e Obiliqit e ministrin Aliu. Tjetër është me nënshkru financimin e tjetër me i majtë 20 takime me KfW, me i lut për financim e mos me hup projektin për shkak të tekeve individuale”. Fremdschamen! Lini meritat se mezi i patëm ul krejt me një tavolinë e kryne projektin. Këtë detyrë e keni krejt me punu bashkë, kush mundet me ndihmu për Prishtinë e Kosovë. Skam folë asnjëherë për meritat, por po ia teproni”, ka shkruar Ahmeti.
Rreth 12 mijë familje pritet të përfitojnë nga projekti i energjisë solare, i cili në Prishtinë do të ngrohë shtëpitë në “Arbëri” e “Tophane”.