Arbëri

“Qeveria dhe Bordi të raportojnë çdo tre muaj”, rezoluta e opozitës për gjendjen në KEK

Arben Gashi

Foto: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka dalë me disa kërkesa të cilat janë parashtruar në formë rezolute në Kuvend nga opozita për ta përmirësuar, siç thotë ai, gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Në seancën e jashtëzakonshme të enjten të thirrur nga LDK-ja për “keqmenaxhimin në KEK” po marrin pjesë vetëm një pjesë e vogël e deputetëve.

Në fjalimin e tij, Gashi ka thënë se debati për gjendjen në KEK është i domosdoshëm shkaku i situatës alarmante dhe ndërhyrjeve të jashtëligjshme në KEK, “të cilat kanë dëmtuar funksionimin e kësaj ndërmarrje, jetike për vendin.

“Kuvendi duhet të adresojë këto shqetësime dhe masat që duhet të merren për të rritur menaxhimin në KEK. Kuvendi duhet të sigurojë që KEK-u të funksionojë sipas standardeve profesionale dhe duke respektuar ligjin”, ka shtuar ai.

Ai ka treguar tri çështjet për të cilat duhet të zhvillohet diskutimi: skandali me tenderët njëburimor dhe mungesa e prokurimit publik në KEK, shitblerja e energjisë elektrike dhe ndikimi financiar në buxhetin e ndërmarrjes dhe ndërhyrja e personave jashtë institucionalë në menaxhimin e KEK-ut.

“KEK-u ka lidhur kontrata të pafavorshme që kanë dëmtuar buxhetin e ndërmarrjes. Ka vendime të formës së prerë nga gjykata lidhur me tregtinë e energjisë, ku dëmi llogarit qindra miliona euro. Raportet tregojnë se individ pa rol formal në KEK kanë ndikuar në dhënien e tenderëve, punësime të jashtëligjshme dhe tregtinë e energjisë elektrike – duke shkaktuar favorizime dhe shkatërruar integritetin institucional. Ne si LDK kemi bërë kallëzim penal për punësimet”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka përmendur koordinatoren e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, si njëra që ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në punët e KEK-ut.

“Këto veprime kanë dëmtuar meritokracinë, transparencën dhe besimin qytetar në ndërmarrjet publike”, ka thënë Gashi.

Sipas rezolutës së propozuar nga deputetët që thirrën seancën e sotme të jashtëzakonshme, kërkohet nga organet kompetente të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara në KEK dhe të gjitha shkeljet e konsattuara të ndiqen penalisht.

“Kërkohet nga Qeveria dhe Bordi i KEK-ut të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike për vitet 2021 – 2024. Të rishikojnë kontratat organet përkatëse dhe të mbrojnë interesin publik. Autoritetet të hetojnë ndërhyrjen e personave të paautorizuar. Të merren masa konkrete. Bordi i KEK-ut ta rrisë transparencën në të gjitha proceset e prokurimit. Qeveria ta përmirësojë gjendjen në KEK, duke vendosur bord të pavarur dhe efikas. Bordi dhe Qeveria të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK”, ka thënë Gashi, duke përshkruar atë që përmban rezoluta e propozuar.

Kohëve të fundit janë publikuar mesazhe mes koordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali dhe ish-shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ku Mihali e fton atë në një takim në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, por i thotë të mbajë kapele.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për të pestin vit KEK-u po menaxhohet nga njerëz të deleguar nga Vetëvendosja. Ka shtuar se me VV-në në qeverisje është shtrenjtuar edhe energjia elektrike. 

“Buxheti që është shpenzuar për këto vite e kalon shifrën e 600 milionëve që nuk e dimë saktë se kush e ka udhëhequr, a drejtori, a bordi, a Dejona, a Nagipi apo Martini. Nën drejtimin e LVV ka ndodhur shtrenjtimi 100 për qind i energjisë elektrike. Çmimi që sot qytetarët paguajnë ka shkuar në 115 për qind. Ju e dini thënien e famshme të kryeministrit Kurti, ‘ne flemë mbi thëngjill’. Nuk është e logjikshme që çmimi të jetë kaq i shtrenjtë", ka thënë Tahiri.

E shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka shtruar pesë teza që qytetarët “duhet t’i mendojnë e t’i analizojnë ministrat”. Ai ka kritikuar mungesën e ministrave kur po diskutohet për, siç thotë ai, skandale që meritojnë përgigje.

“Përgjimet që kanë dalë në publik tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë te strukturave joformale që nuk e kanë asnjë pozicion në shtetin e Kosovës dhe ndikojnë në një instiucion që është korporata më e madhe energjetike në vend. Po i shtoj pesë pyetje... blerja e energjisë sipas raporteve tregon që KEK-u ka lidhur kontrata të dëmshme dhe se këto kontrata në shumicën e rasteve janë më bazë të dyshimtë korruptive. Është dashur të kemi përgjigje prej kabinetit qeveritar. E dyta ndërlidhet me përfshirjen e personave joformal në menaxhimin e KEK-ut. Kanë dalë në publik komunikimet se në Kosovë vendos një njeri se kur ndalet rryma. Nëse ua ka shkruar fjalimet deputetëve hallall i koftë. Por se ka asnjë të drejtë legjitime të vendosë se kur ndalet rryma e kur jo. Si ka mundësi që dikush as kah KEK-u mos të mundet të kalojë nëse nuk ka librezë të LVV-së. E treta është ndikimi i një individi partiak që ia ka dhënë kryeministri Kurti në KEK. Ju Bordi pse jeni aty?  Pyetje për kryeministrin Kurti: Çka u bë që vetëm ti e anulove gazsjellësin? Pse e anulove projektin e “Contour Globalit”?. E katërta, pse është rritur çmimi i energjisë? E pesta, ju që jeni transparent e llogaridhënës si është e mundur që 105 milionë euro të bëni kontrata njëburimore në KEK. A do të japësh dorëheqje (Kurti) nëse dalin komunikimet e tua të drejtpërdrejta që tregojnë se keni qenë në dijeni për keqmenaxhimin e KEK-ut”, ka theksuar Tahiri. 

 

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kujtuar parullën e Vetëvendosjes para se të vinte në pushtet “hajnat në burg”. Sipas saj, Kurti përsëriste se do ta bënte Dubravën 12 kat, por në këto vjet qeverisje, siç thotë Musliu, kryeministri e legalizoi krimin e korrupsionin.

“A ju kujtohet parulla e VV-së ‘hajnat në burg’. Albin Kurti thoshte se do ta bëjnë Dubravën 12 kat. Përsëriste si papagall i lazdruar. Albini nuk e kishte synim t’i arrestonte hajnat e vet, por të shantazhonte oponentët politikë. Jo që nuk e bëri Dubraven 12 kat, por për 4-5 vjet arriti ta legalizojë krimin e korrupsionin”, ka thënë Musliu.

Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

5 muaj më parë / 24 tet 2024 14:57
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim rezoluta e partive opozitare parlamentare për “ta përmirësuar” gjendjen në KEK.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rezoluta do të hidhet në votim kur do të ketë kuorum të mjaftueshëm.

Me këtë përfundoi edhe seanca e jashtëzakonshme që u thirr nga LDK-ja për të diskutuar gjendjen në KEK.

Në seancë sërish munguan deputetët e pushtetit.

Rezoluta e opozitës