Lëvizjet dhe as bllokadat në rrugë të një muaji më parë nuk janë parë të mërkurën, pak orë para se të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat dhe ai për reciprocitet me Serbinë në dokumente udhëtimi.
Serbia ndërkohë ka vendosur t’i njohë dokumentet e identifikimit që i lëshon Kosova, por në secilën pikë kufitare ka vendosur një mbishkrim.
Edhe në pikën kufitare të Bërnjakut është vendosur një tabelë e cila mban sqarimin për dokumentet identifikuese. Në këtë tabelë shkruan se pranimi i dokumenteve të Kosovës lehtëson qarkullimin e lirë dhe në asnjë mënyrë kjo nuk do të thotë që Serbia e ka njohur Kosovën.
Qarkullimi në këtë pikëkalim kufitar këtë të mërkurë ka vazhduar normalisht.
Qytetarët që kanë kaluar përmes tij presin marrëveshje përfundimtare, e cila do t’ua lehtësonte të dyja palëve qarkullimin e lirë.
“Mendoj se kjo duhet të rregullohet dhe njerëzit të lëvizin lirshëm në këtë pikëkalim që nga Kosova të hyjnë në Serbi normal dhe njëjtë ne të hyjmë këtu normal të kjo të funksionojë ndërsa ata le ta gjejnë një zgjidhje”, ka thënë një qytetar.
“Shumë lehtë kalova sot, nuk ka tollovi. Ndërsa tabelat për momentin jo nuk do t’i ndërroj”, ka shtuar një tjetër.
“Do të duhej të shkonte mirë, nuk besoj se do të ketë probleme. Ndërsa sa u përket tabelave nuk do të duhej të ndërroheshin as ato pasi nuk po ndërrohen as letërnjoftimet”, ka thënë një qytetar”.
Rruga e cila çon për në pikën kufitare të Bërnjakut ka vazhduar të patrullohet nga KFOR-i. Pjesëtarë të këtij misioni ushtarak kanë mbikëqyrur edhe hyrjen dhe daljen e Zubin-Potokut, ku një muaj më parë ishin vendosur bllokada e barrikada nga serbët lokalë.
Zbatimi i vendimit për targa dhe i atij për reciprocitet në dokumente identifikimi ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por pas barrikadave të vëna nga serbët dhe sulmeve të armatosura Qeveria e pati shtyrë zbatimin për një muaj, me kërkesë të ndërkombëtarëve.