Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare. Qerkini, prindi i njërit nga mbi 1.600 persona të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, është i njohur për angazhimin e pashoq drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Ai iku pa gjetur trupin e djalit dhe i dëshpëruar nga shpërfillja që procesit i bënë, sidomos ndërkombëtarët
Zëri i familjeve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare. Qerkini, babai i Reshatit, i zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë, ka qenë drejtues i shoqatës “Zëri i Prindërve”. Ai nuk ka reshtur se kërkuari për zbardhjen e fatit të djalit të tij e të mbi 1 mijë e 600 personave, viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Bashkë me familjarë të tjerë e përfaqësues të organizatave joqeveritare, Qerkini jo pak herë ka shprehur zhgënjimin me punën e institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Në Republikën e Kosovës ka shumë nëna që as nuk flenë, sikur që nuk fle as gruaja jem. Ajo natën bërtet ‘erdh djali’. More flej çfarë djali, ‘o pasha Zotin shkallëve po i nij’. Të gjitha ato nëna e kanë të njëjtën dhimbje”, pati deklaruar Qerkini më 23 prill të vitit 2023, ku kishte bërë thirrje që të mos harrohen familjarët e personave të pagjetur.
Keqardhje për vdekjen e Qerkinit ka shprehur Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për perona të zhdukur. Gara tha se dhimbja e Qerkinit për të birin ishte shndërruar në zërin e familjeve e të viktimave të heshtura.
“Pavarësisht dhimbjes personale që e shoqëroi për 26 vjet në pritje për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e djalit të tij të zhdukur, Reshatit, ai nuk u ndal kurrë së angazhuari për të gjithë ata që jetonin të njëjtën plagë. Është thellësisht prekëse që ai u nda nga kjo botë pa arritur të marrë lajmin dhe të mësojë vendndodhjen e të birit – një boshllëk që e shoqëroi deri në momentet e fundit. Një dhimbje e madhe për të cilën fliste rrallë, meqë ishte shndërruar në zërin e fuqishëm të të gjitha familjeve që jetojnë me dhimbjen dhe ankthin, në zërin e viktimave të heshtura”, ka shkruar Gara mes tjerash në njoftimin mortor.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Qerkini.
“Ai ishte një veprimtar me kontribut shumë të madh në çështjen e të zhdukurve gjatë periudhës së luftës. Si baba i një biri të zhdukur me dhunë nga Serbia, ai dhimbjen e bëri vullnet për t’u angazhuar e për të punuar deri në fund në përpjekjen për të zbardhur fatin e atyre që u zhdukën nga aparati kriminal i Serbisë. Bajram Qerkini ishte zë i dinjtetit, një figurë që mishëronte dhimbjen tonë të bërë forcë dhe përpjekje të pandalshme”, thuhet në telegramin e kryetarit Glauk Konjufca.
Edhe presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Qerkini për ndarjen nga jeta të Qerkinit. Osmani ka thënë se Kosova ka humbur një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, megjithëse trashëgimia e tij mbetet e gjallë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Si Kryetar i Shoqatës ‘Zëri i Prindërve’, Bajrami ishte simbol i qëndresës, i drejtësisë dhe i përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekada, ai jetoi me dhimbjen për të birin e tij të zhdukur, duke mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërtetën”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Për vdekjen e Qerkinit ka shkruar edhe kryetari i Komisionit qeveritar për të zhdukurit, Andin Hoti.
“U prehtë në paqe Bajram Qerkini – i cili me përkushtim dhe kurajë u bë zëri i shumë familjeve që presin të vërtetën për të zhdukurit. Baca Bajram u largua nga kjo botë pa marrë përgjigjen që kërkoi për vite me radhë për djalin e tij, por angazhimi dhe trashëgimia e tij do të jetojnë përherë. Ngushëllime familjes Qerkini dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan”, ka shkruar Hoti.
Duke ndarë dy fotografi të Bajram Qerkinit me Mbretin Charles, ngushëllime ka shprehur edhe ambasadori I Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves. “Kërkimi i tij i palodhshëm për të vërtetën, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për mijëra familje që ende kanë të dashurit e tyre të pagjetur, ishte vërtet frymëzues. Marrëdhëniet në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bacës Bajram kanë qenë gjithmonë të forta, duke përfshirë edhe mbështetjen e drejtpërdrejt nga Madhëria e Tij Mbreti Charles III”, ka shkruar ambasadori Hargreaves.
“Prehu në paqe - Baca Bajram”, kështu nis postimi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, për vdekjen e Qerkinit. Mes tjerash thuhet se ai i ka dhënë zë familjeve të personave të zhdukur “pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike, fetare apo kombëtare apo çfarëdo karakteristike tjetër”
“Ne do ta mbajmë të gjallë trashëgiminë e Baca Bajramit duke e mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera përkatëse në përpjekjet për ta zbardhur fatin e personave të zhdukur”, thuhet në postimin e EULEX në rrjetin social “Facebook”.
Çështja për të cilën Bajram Qerkini, i njohur edhe si Baca Bajram, është angazhuar, jo rrallë herë ka qenë pjesë e negociatave në kuadër të dialogut me Serbinë. Por, përpos diskutimeve e ca marrëveshjeve të arritura, kanë munguar rezultatet konkrete.
Sipas korrespodentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, procesi i dialogut nuk ka qenë ndihmues në këtë drejtim.
“Përmes dialogut një çështje krejtësisht humanitare është politizuar dhe është përzier me çështja të tjera politike që janë diskutuar në dialog dhe atëherë Serbia e ka shfrytëzuar këtë për të evituar implementimin e obligimeve dhe për të dhënë të dhëna të cilat do të çonin deri te zbulimi i fatit të të pagjeturve”, ka thënë ai.
Sipas Palokajt, humbja e njerëzve, dëshmitarëve e zhdukja e dëshmive e gjurmëve, në rastin e Kosovës e bënë të vështirë zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai thotë se lëvizje pozitive mund të ketë vetëm në rast të një presioni të qartë nga ana e Perëndimit që kjo çështje të mos kushtëzohet. “Pa një vullnet të prerë politik nga ana e Beogradit apo pa një presion të qartë nga ana e BE nuk shoh mundësi që të ketë përparim të shpejtë ndonëse BE-ja gjithmonë lavdërohet se në procesin e dialogut është miratuar deklarata e përbashkët, është arritur marrëveshja por rezultate konkrete nuk ka pasur”.
Bajram Qerkini do të varroset të martën, në ora 12 në Shipol të Mitrovicës, kanë njoftuar familjarë të tij.