Një hap para e dy mbrapa janë përshkruar negociatat e deritashme mes Kosovës e Serbisë nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Deri tash asnjëra prej pikave të dakorduara mes dy vendeve nuk ka nisur së zbatuari, derisa ndërmjetësi Miroslav Lajçak në përfundim të mandatit po tenton t’u japë zgjidhje çështjeve si zbatimi i Rregullores së BQK-së në mesin e komunitetit serb.
Dialogu pritet të shkojë në pushim veror pa i vënë pikë asnjërës prej çështjeve për të cilat ishin dakorduar Kosova dhe Serbia me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, para më shumë se një viti. Bashkimi Evropian deri tash u mor me menaxhimin e krizës në veri e cila po vazhdon ende, në përpjekjen për t’u dhënë zgjidhje çështjeve sikurse zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb.
Helena Ivanov, hulumtuese në think-tankun “The Henry Jackson Society”, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se arsyeja kryesore që çoi në tensione dhe moszbatim të marrëveshjeve janë qëndrimet përjashtuese politike mes Kosovës e Serbisë.
“Pra, nga njëra anë Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe çdo lëvizje drejt njohjes së sovranitetit të Kosovës e percepton kërcënim për Serbinë, pra nga këndvështrimi i saj. Nga ana tjetër, Kosova dëshiron njohje e pavarësi të plotë si dhe pa dyshim sovranitet të plotë mbi territorin e saj. Pra, gjetja e një zgjidhjeje që do të ishte e pranueshme për të dyja palët që nga fillimi gjithmonë ka qenë e vështirë. Mendoj se më frustruese në këtë kuadrin e mohimeve është se asnjëra palë nuk ka qenë plotësisht e sinqertë dhe nuk ka përmbushur plotësisht të gjitha detyrimet që kanë marrë përsipër”, ka thënë Ivanov, e cila ka doktoruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike (LSE) në Londër. Mes tjerash ajo ka hulumtuar marrëdhëniet ndërmjet propagandës dhe gatishmërisë së njerëzve për t'u përfshirë në dhunë, në ish-Jugosllavi midis viteve 1991 dhe 1995.
Që prej arritjes së dakordimit më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe Aneksit më 18 mars në Ohër, nyja rreth zbatimit ka qenë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin pranoi obligime edhe qeveria aktuale. Ndërkaq më 21 tetor 2023, BE-ja e propozoi edhe një draftstatut për këtë mekanizim, pranimin e të cilit kryeministri Albin Kurti e kushtëzoi me nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve. Zyrtarë qeveritarë në disa raste u ankuan se vetë ndërmjetësit në dialog e kanë kushtëzuar zbatimin e pikave tjera të Marrëveshjes me Asociacionin
Shtete të Bashkimit Evropian, që janë po ashtu anëtare të Këshillit të Evropës i vunë parakusht Kosovës procedimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, në këmbim të mbështetjes në Këshill.
Këtë qasje në BE e arsyetuan me vlerat që përfaqësojnë të dy organizatat.
“Ka më shumë se një dekadë qëkur Kosova angazhohet për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por që sot jemi ende shumë larg themelimit të tij. Kështu që mendoj se dështimi për të përmbushur zotime e marra në të kaluarën do të përkeqësojë edhe më tej besimin mes dy palëve. Kjo gjithashtu u mundëson të dyja palëve të përdorin dështimin e palës tjetrës për ta përdor si justifikim që të mos përmbushin zotimet e veta. Unë mendoj se ky ka qenë problemi i dytë dhe më në fund edhe komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian, i cili ka qenë përgjegjës për ndërmjetësimin e bisedimeve të normalizimit, nuk ka arritur t’i detyrojë të dyja palët t’i zbatojnë angazhimet që kanë marrë përsipër”, është shprehur Ivanov. “Kombinimi i këtyre dy faktorëve në thelb na ka çuar në situatën e cila më së miri mund të përshkruhet si një hap përpara, dy hapa prapa, që në thelb do të thotë se kemi një varg bisedimesh por që gjasat më të mëdha janë që të ketë një raund tjetër përshkallëzimi”.
Emisari aktual i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është në përfundim të mandatit dhe pasardhësi i tij pritet të caktohet pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian.
Ivanov ka folur për domosdoshmërinë e ndryshimit të qasjes në këtë proces.
“Nëse nuk zbatohen gjërat për të cilat është rënë dakord deri më tani, atëherë nuk ka arsye të besohet se mund të ecet përpara. Nëse do të isha përgjegjës për ndërmjetësimin e bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të fokusohesha më së shumti në zbatimin e të gjitha gjërave që janë dakorduar dhe pranuar nga të dyja palët, si dhe janë pranuar nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Ivanov.
BE-ja ua ka bërë të qartë palëve se moszbatimi i marrëveshjeve do të ndikojë në rrugët përkatëse drejt integrimit në BE. Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese të cilat BE-ja nuk i hoqi me gjithë insistimin e qeverisë se ndërmori hapat e kërkuar për shtensionimin e situatës në veri.
E në rastin e Serbisë, sipas ligjërueses Ivanov, nuk mjaftojnë vetëm kushtëzimet me integrim në BE.
“Shumë njerëz në fakt nuk besojnë se Serbia do të anëtarësohet ndonjëherë në BE, prandaj mendoj se kushtëzimi i bisedimeve të normalizimit me pranimin në BE mund të mos jetë i mjaftueshëm. Unë mendoj se problem shtesë të paktën nga perspektiva e Serbisë, sipas disa të dhënave që kam mbledhur, është se më shumë njerëz janë kundër anëtarësimit në BE sesa që janë pro anëtarësimit në BE. Megjithatë mendoj se patjetër duhet të mbetet si një nga gjërat në tavolinë, porse në këtë pikë duhet shtuar më shumë kushte”, ka potencuar Ivanov.
Ajo e sheh si hap të duhur kushtëzimin e zbatimit të marrëveshjeve me pakon financiare që BE-ja ka ndarë për Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja tashmë po ndërmerr hapa drejt këtij drejtimi. Për shembull, ka disa paketa financiare shtesë që aktualisht diskutohen dhe premtohen për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në rastin e Serbisë dhe Kosovës, marrja e kësaj pakete financiare do të varet nga ajo sa të suksesshme dhe produktive do të jenë bisedimet për normalizim. Dhe mendoj se kemi arritur në pikën ku këto lloj gjërash janë të nevojshme”, ka theksuar ajo.
Zbatim të plotë nuk ka gjetur as Marrëveshja e Parë e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë.