Arbëri

Qëndrime të betonuara para vazhdimit të pestë të seancës konstituive

Ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës rrezikon të thellohet, me palët që mbeten të palëkundura në qëndrimet e tyre. Në prag të vazhdimit të pestë të seancës konstituive, Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkohë që subjektet të cilat legjislaturën e kaluar ishin në opozitë kanë refuzuar çfarëdo kompromisi përderisa nuk ndryshohet emri i kandidatit

Me qëndrime të betonuara rreth daljes nga ngërçi i konstituimit të Kuvendit do të shkojnë partia fituese dhe subjektet që legjislaturën e kaluar ishin opozitë, në vazhdimin e pestë të seancës, të mërkurën. 

Derisa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, opozita nuk ka dhënë sinjale se do të ndryshojë qëndrimin. Në dy votimet e kaluara Haxhiu nuk arriti t’i siguronte 61 votat e domosdoshme, derisa në seancën e së hënës emri i saj nuk u hodh fare në votim. 
Seanca u ndërpre pasi paraprakisht Glauk Konjufca i Vetëvendosjes kërkoi marrëveshje politike me subjektet e tjera për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve. 

Madje eksponentë të VV-së paralajmëruan se edhe ata do të mund t’i bllokojnë propozimet e opozitës për nënkryetarë, veprim ky që do të parandalonte konstituimin e Kuvendit për të vazhduar më tej me procedurat për zgjedhjen e qeverisë së re. 

Të martën është hedhur poshtë nga Vetëvendosje edhe propozimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se do të votonin pro nëse propozohen për kryeparlamentare Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci. Kjo e fundit të martën i ka dhënë përgjigje propozimit të Haradinajt. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo ka thënë se më parë është cilësuar si “amatore” nga të njëjtët që tani po kërkojnë ta bëjnë kryeparlamentare.

“Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash këta duan të mendojnë me gjynah për pozicion. Nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës kur me votë e ka vendosur populli. Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim”, ka shkruar Bogujevci.  

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dihet çka do të ndodhë në vazhdimin e së mërkurës. 

“Ju jeni dëshmitarë për krejt procesin. E dini shumë mirë se çka ka me ndodhë”, ka thënë Sveçla në hapje të Javës së Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë kërkuar ndërrimin e kandidatit për kryetar. Zyrtarë të LDK-së e përjashtuan mundësinë që t’i shkojnë në takime “Vetëvendosjes” për arritjen e ndonjë marrëveshjeje. 

“Nuk kemi parë qëllim për t’u takuar sa për t’u parë. Qëndrimi i LDK-së nga debati është konfirmuar dhe i njëjti. Meqë s’kemi ndërruar qëndrim politik, s’kemi nevojë t’i shkojmë askujt në takim e as të ndihemi të përdorur. Ky qëndrim politik është zbardhur dhe konfirmuar nga z.Abdixhiku. Ne nuk shohim asnjë qëllim”, ka thënë deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri. 

Për konstituimin e Kuvendit ai ka thënë se është detyrë e partisë fituese të zgjedhjeve dhe se askush nuk e ka ndërmend me “i dhënë partisë së parë oksigjen politik”.

“Nuk duhet të sillet me këtë sjellje politike. Për konstituimin e Kuvendit sepse askush s’e ka ndërmend t’i japë partisë së parë oksigjen politik në kohën kur del në holl, bën me gisht dhe vazhdon...Kurti e ka konfirmuar se po punon me 48 deputetë dhe me komunitete etnike, me të cilët po ndërton marrëveshje të interesit politik. Atyre iu ka thënë se nuk i ndërron partnerët në Qeveri dhe ‘ju duhet të vini të më ndihmoni’”, ka shtuar Haziri.

Përmbyllja e seancës konstituive të së hënës pa votim të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar i thelloi polemikat në distancë mes përfaqësuesve të partisë më të madhe dhe atyre që deri më tani kanë qenë në opozitë.

Tek komentoi mbi bllokadën pas përfundimit të seancës, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, theksoi që në rast se partitë vazhdojnë të mos e votojnë kandidaten Albulena Haxhiu, atëherë as Vetëvendosja nuk do të votojë për nënkryetarët e Kuvendit të propozuar nga tabori tjetër politik.
“Nuk e shohim këtë proces që duhet të merret si i mirëqenë që domethënë: ‘Ju bëjini numrat për kryetarin e Kuvendit e mandej ju na i votoni kryetarët e Kuvendit’. Jo! Nëse dëshironi që të keni Kuvend të konsitutuuar, kryetarin e Kuvendit e votojmë bashkë, pastaj edhe nënkryetarët e Kuvendit i votojmë ne... Rregullorja e punës e Kuvendit nuk e thotë domosdo se ata votohen në pako e thotë që të votohen dhe pastaj si procedurë është aplikuar deri më tani. Por, e ndërrojmë atë procedurë – ta shohim se si po i bëjnë votat për nënkryetarët individualisht”, ka thënë Kusari-Lila. 

Lidhur me opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Kusari-Lila theksoi që edhe në rast se konsultimet me partitë e tjera prodhojnë pajtim, nevojitet që legjislatura së pari të konstituohet.

“Ne nuk e kemi asnjë qëllim që ta bllokojmë formimin e Kuvendit, gjegjësisht konstituimin e lidershipit, kryetares, nënkryetarëve të Republikës, por me këto qasje të cilat në mënyrën se si tregohen ose si po barrikadohen nga partitë e tjera parlamentare, me të vërtetë duhet të dakordohemi në një temë tjetër: t’i thërrasim të gjitha grupet politike, të konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi që me 80 vota e shpërndajmë menjëherë Kuvendin dhe shkojmë me zgjedhje të tjera”, ka thënë ajo. 

E që legjislatura e re të formohet, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi që LVV-ja ta ndryshojë emrin e propozuar për kryetar të Kuvendit.

“Rrugëdalja është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta zgjedhë një kandidat tjetër dhe mos ta lënë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për çfarëdo teke. Kandidatja Haxhiu nuk do ta ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Deharit, e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, ka thënë Krasniqi. 

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e përsëriti qëndrimin se subjekti i saj do të votojë kundër çdo kandidati të LVV-së, tek theksoi se zgjedhja e kryetarit dallon prej asaj të nënkryetarëve të Kuvendit.

Të hënën dështoi për herë të katërt seanca konstituive e Kuvendit. Në seancën e së shtunës kaloi raporti i refuzuar më 15 prill i komisionit për verifikimin e mandateve, dhe u betuan 119 deputetë.

Për t’u përmbyllur me sukses seanca konstituive duhet të votohen kryetari i Kuvendit e edhe nënkryetarët e tij. Në të kundërtën, pa ndonjë afat kushtetues, deputetët obligohen të mblidhen çdo 48 orë.