Arbëri

Qendra për numërimin e votave bëhet me teknologji të re

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është pajisur me serverë dhe mjete përcjellëse falë një donacioni të Qeverisë gjermane. Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, donacionin në vlerë 140 mijë euro e vlerësuan tejet të rëndësishëm për integritetin dhe transparencën e procesit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse, që do të jenë në funksion brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Pajisjet janë donacion nga Qeveria e Gjermanisë, e sipas kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, me funksionalizimin e tyre do të rritet besueshmëria e qytetarëve në procesin zgjedhor.

“Kjo mbështetje është e çmuar dhe do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës sonë dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë. Gjithashtu, duke pasur parasysh rolin e KQZ-së, ky donacion është një investim i madh edhe në integritetin zgjedhor dhe besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor”, ka thënë Radoniqi.

E, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se donacioni është pjesë e një projekti më të madh, që kap vlerën e 1.1 milion eurosh, e ku përfshihen edhe SHBA-ja, Norvegjia dhe Polonia.

“Digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë çelësi i këtij progresi. Kjo është arsyeja pse kam kënaqësinë t’i prezantoj pajisjet e ndryshme në KQZ sot, së bashku me OSBE-në. Donacioni prej afro 140 mijë eurove do të ndihmojë KQZ-në të vazhdojë punën e jashtëzakonshme dhe të sigurojë që procesi aktual zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme të mbeten efikase, transparente dhe të sigurta në Kosovë”, ka thënë ambasadori Rohde.

Donacioni është realizuar përmes misionit të OSBE-së në Kosovë. 

Ushtruesja e detyrës së shefes së këtij misioni, Cornelia Taylor, përmendi bashkëpunimin me KQZ-në për digjitalizim të procesit zgjedhor, me qëllim të përforcimit të transparencës, sigurisë dhe integritetit të zgjedhjeve.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë, për më shumë se një vit, ka punuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për digjitalizimin e hapave kyç të procesit zgjedhor në përputhje me obligimet e reja që janë paraqitur me Ligjin për Zgjedhjet, i cili është ndryshuar së fundmi. Andaj, së bashku kemi identifikuar nevojat, kemi zhvilluar specifika të hollësishme dhe kemi blerë teknologjinë adekuate, për çka jemi këtu sot, në mënyrë që të përmirësojmë efikasitetin, transparencën dhe integritetin e menaxhimit të zgjedhjeve në Kosovë”, ka thënë Taylor.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt dhe për herë të parë, në mesin e teknologjive të reja që do të përdoren janë edhe kamerat në vendvotime dhe ato në qendrat e numërimit. 

Meqë në vendvotime do të bëhet vetëm numërimi i votave të subjekteve politike, por jo edhe i votave të kandidatëve për deputetë, rezultati preliminar pritet të bëhet në kohë rekorde.