Arbëri

Qelaj: Institucionet përgjegjëse shpesh s’i marrin seriozisht rekomandimet për dhunën në familje

Naim Qelaj

“Jo çdoherë autoritetet kompetente që duhet t’i trajtojnë rastet e dhunës në familje, arrijnë t’i përmbushin në plotni detyrimet dhe përgjegjësitë që i kanë. Qoftë në qasjen në raport me viktimat, qoftë në raport me masat që i ndërmarrin ose me vlerësimin e rastit nga aspekti i rrezikut për të përcaktuar se cilat janë veprimet konkrete që duhet të merren. Pastaj, kjo çon deri te rastet kur për shkak të dështimeve të autoriteteve ose dështimit të zyrtarëve për t’i plotësuar ose realizuar këto detyrime, të ketë pasoja. Pasoja ndodh të jetë me fatalitet, fatkeqësisht”, ka thënë Qelaj për KOHËN

Hallka përgjegjëse për parandalimin e rasteve të dhunës në familje, shpesh edhe ka dështuar të bëjë një gjë të tillë, sipas Avokatit të Popullit.

Në një intervistë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka folur për dështimet e shtetit në mbrojte të grave që përfunduan me fatalitet, e mungesën e kapaciteteve për t’u siguruar një jetë pa dhunë.

Në gjithë këtë, ai vlerëson diçka si shumë pozitive, thyerjen e barrierës për të raportuar dhunën. Kjo sipas tij, dëshmohet nga statistikat e fundit.

KD: Rastet e dhunës në familje janë gjithnjë e më të shpeshta. Si trajtohet dhuna në familje në institucionin që ju e drejtoni?

Qelaj: E konsideroj me shumë rëndësi që publiku ta dijë që autoritetet publike kanë përgjegjësi dhe detyrime në raport me zbatimin e Ligjit në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, por edhe përmasat preventive për parandalim të dhunës, njëkohësisht edhe masat e tjera të nevojshme siç janë të përcaktuara edhe me ligj. Në të gjitha ato raste ku dështojnë autoritetet publike të zbatojnë ligjin dhe të ofrojnë mbrojtje për viktimat ose me veprim ose me mosveprim, atëherë ekziston mundësia e viktimave dhe palëve të tjera të interesit të parashtrojnë kërkesë tek Avokati i Popullit me qëllim që të hetohet e hulumtohet ai rast nëse kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtave të njeriut, me zbatim të së drejtës së ligjit, ose thënë ndryshe, me veprimin ose mosveprimin e autoriteteve nëse janë cenuar të drejtat e garantuara me ligj, me Kushtetutë dhe me akte të tjera të viktimave të dhunës në familje.

KD: Sa janë rritur rastet e dhunës në familje?

Qelaj: Fatkeqësisht, rastet e dhunës në familje janë në rritje. Ne gjatë vitit 2021 kemi dalë me një raport pas një hulumtimi gjithëpërfshirës që ia kemi bërë situatës në kohë pandemie dhe kemi parë që në këtë periudhë ka pasur një numër në rritje të rasteve të dhunës në familje, kjo, për arsye dhe si rezultat i rrethanave që u krijuan në këtë kohë, qoftë vështirësive ekonomike, qoftë faktit të izolimit të pamundësisë të lëvizet lirshëm, por edhe aspekteve të tjera. Në këto rrethana, ne jemi detyruar të dalim me një raport dhe me rekomandime për autoritete, të tregojmë se cilat janë masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren në drejtim të zbatimit të ligjit dhe detyrimeve që kanë.

KD: Sa po punohet për parandalimin e dhunës?

Qelaj: Të them të drejtën, ndër vite është punuar shumë në vetëdijesim, fillimisht në të kuptuarin e konceptit të dhunës në familje, edhe si shkelje e drejtave të njeriut. Jo çdokush ka mundur ta kuptojë një situatë të tillë. Ne e dimë, vijmë prej një shoqërie që dhuna në familje nuk është përmendur, por është konsideruar krejt në forma të tjera të dhunës, qoftë në aspektin penal apo në procedura të tjera. Vetëm pas vitit 2000, ka ardhur fryma e re e konceptimit të dhunës në familje, edhe të përcaktimit ligjor. Për 20 vjet e më shumë prej pasluftës, janë bërë shumë përpjekje qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga autoritetet publike në shumë drejtime. Fillimisht në krijimin e legjislacionit të përshtatshëm dhe që është në përputhje me standardet ndërkombëtare, pra me konventat ndërkombëtare, por edhe me standardet e kërkuara nga BE-ja. Edhe me ngritjen e kapaciteteve, pra në rritjen e kapaciteteve në Polici apo në Gjykatë, te zyra e mbrojtësit të viktimave, punëtoreve socialë dhe akterëve të tjerë që trajtojnë dhunën në familje. Aktualisht jemi në një fazë ku Kosova, në aspektin e legjislacionit, kornizës ligjore dhe ngritjes së mekanizmave është në një nivel të kënaqshëm. Ne jemi zbatues të Konventës Evropiane, që quhet Konventa e Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Në anën tjetër, edhe mekanizmat e ndërtuar kanë arritur t’i shtojnë kapacitetet profesionale dhe njerëzore, por megjithatë, vërehet që është e pamjaftueshme. Ajo që është thyer si barrierë është raportimi. Mund të vërehet nga statistikat.

KD: Sa po i përmbushin detyrimet dhe përgjegjësitë autoritetet kompetente në rastet e dhunës në familje?

Qelaj: Jo çdoherë autoritetet kompetente që duhet t’i trajtojnë rastet e dhunës në familje, arrijnë t’i përmbushin në plotni detyrimet dhe përgjegjësitë që kanë. Qoftë në qasjen në raport me viktimat, qoftë në raport me masat që i ndërmarrin ose me vlerësimin e rastit nga aspekti i rrezikut për të përcaktuar se cilat janë veprimet konkrete që duhet të merren. Pastaj, kjo çon deri te rastet kur për shkak të dështimeve të autoriteteve ose dështimit të zyrtarëve për t’i plotësuar ose realizuar këto detyrime, të ketë pasoja. Pasoja ndodh të jetë me fatalitet, fatkeqësisht. Ne kemi pasur çdo vit numër të madh të grave viktima të dhunës në familje, por edhe të rasteve që kanë përfunduar me fatalitet, pra me vrasje. Pa dyshim që kjo përveç që paraqet shqetësim për autoritetet që janë përgjegjëse direkte për t’i mbrojtur qytetarët nga dhuna dhe t’ua sigurojë jetën, është edhe përgjegjësi jona si institucion i Avokatit të Popullit, për t’i analizuar dhe vlerësuar shkaqet që po sjellin deri në një masë të tillë të dhunës, që më pas, përmes rekomandimeve dhe udhëzimeve që ne japim, t’u garantohet mbrojtja. Ne edhe këtë vit kemi dalë me një raport për një rast me fatalitet, që është i Skenderajt. Ne kemi marrë informacionin përmes mediave për rastin që ka ndodhur, është rasti që ka ndodhur në fshatin Llaushë, ku bashkëshorti ka vrarë gruan, pasi që rasti është raportuar në Polici. Nga hulumtimi që i kemi bërë këtij rasti, ne kemi ardhur në përfundim se ka dështuar edhe Prokuroria edhe Policia të vlerësojnë rrezikun dhe t’i marrin masat përkatëse për të evituar pasojën që në këtë rast ka qenë tragjike për familjen e së ndjerës.

KD: Çfarë duhet bërë që të ndryshojë kjo qasje e institucioneve? Prokurorja, e cila nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e veta në rastin e Skenderajt, ka marrë vetëm vërejtje me shkrim.

Qelaj: Kjo është më shumë politikë e brendshme e autoriteteve që vendosin për masat ose sanksionet që aplikohen te rastet kur zyrtarët për shkak të neglizhencës dhe për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve, bëjnë shkelje të tilla. Ne, çka kemi vërejtur te të gjitha autoritetet që janë përgjegjëse, në këtë rast i kanë marrë përgjegjësitë e veta. Me rekomandimet që ne kemi dalë, kemi kërkuar nga Prokuroria dhe Policia që të rrisin nivelin e aftësimit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve, sidomos në vlerësimin e rrezikut dhe marrjen e masave që këto rreziqe me të evitohen. Në anën tjetër, kemi kërkuar të rrisim numrin e trajtimeve, modulet e trajnimeve që qasja e zyrtarëve që drejtpërdrejt kanë punë me viktimën dhe drejtpërdrejt kanë kompetencë dhe përgjegjësi të ushtrojnë autorizime publike, duhet të jetë e tillë që çdo gjë të vlerësojnë në mënyrë të plotë, por edhe t’i respektojnë procedurat që janë të përcaktuara të veprimit ku janë të përcaktuara qartë roli i detyrave dhe përgjegjësia e secilit autoritet.

KD: Është rasti në Llaushë, pastaj i Sebahate Morinës ku ju si institucion keni dalë me raporte. A duhet të jenë këto raste një formë alarmi për institucionet që ta marrin më seriozisht këtë dukuri?

Qelaj: Pa dyshim që po, mund të themi që është jo mirë edhe për Avokatin e Popullit, kur përsërit raporte të ngjashme për situata të njëjta kur shteti dështon të sigurojë jetën e një gruaje. Kjo tregon që rekomandimet tona nuk janë zbatuar në plotni, pra nuk janë përfillur dhe nuk janë marrë parasysh në masën dhe vlerësimin që duhet të merren. Në anën tjetër, autoritet vazhdojnë të dështojnë dhe ndoshta janë dështime të njëjta në shumicën e rasteve ku ne kemi dalë me raport dhe rekomandime. Kjo shton nevojën që edhe më seriozisht të trajtohet monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të rekomandimeve nga ana jonë, realisht me përgjegjësinë dhe kompetencën që ka Avokati i Popullit nuk bie në përgjegjësi të Avokatit të Popullit kjo pjesë, sepse është vetë përgjegjësi e autoriteteve. Pra në momentin kur ne dalim me një rekomandim apo qëndrim, autoritetet janë ato që duhet të kujdesen për zbatimin e rekomandimeve. Por në rastin tonë, duke marrë parasysh që po flasim për një temë shumë specifike, konsideroj që është e nevojshme edhe ne ta rritim mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të rekomandimeve. Janë disa përpjekje në këtë drejtim, qoftë prej Qeverisë, qoftë prej autoriteteve ndërkombëtare që kanë krijuar disa mekanizma, që autoritetet publike i detyrojnë t’i kenë në vëmendje të vazhdueshme rekomandimet tona, me pasoja nëse nuk i zbatojnë. Kjo ka bërë që niveli i rekomandimeve të rritet, por jo edhe të matet se sa po ndikon zbatimi i këtyre rekomandimeve në përmirësimin e gjendjes.

KD: Flasim pak për riintegrimin e grave që përjetojnë dhunë dhe vendosin të largohen nga një ambient i tillë, janë disa strehimore në Kosovë. Sa janë të mjaftueshme ato dhe si qëndron Kosova në këtë drejtim?

Qelaj: Të them të drejtën, kjo është pjesa që është më së vështiri të zbatohet në kuadër të politikave që ka hartuar shteti, në këtë rast Ministria e Drejtësisë përmes strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe krejt dokumentet e tjera. Është pjesa e fuqizimit të ekonomik të viktimave dhe riintegrimit tyre në shoqëri, përfshirë këtu edhe pjesën e strehimit dhe pjesën e plotësimit të nevojave elementare për jetë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, që në përgjithësi ndodhet vendi ynë. Gjithashtu, nivelit të zhvillimit, situatës me punësim dhe krejt aspekteve të tjera. Viktimat zakonisht ballafaqohen me situata të tilla, ku përveç dhunës, ato ballafaqohen edhe me vështirësi për të mbijetuar të pavarura ose për të krijuar pavarësinë e vet. Kjo, për shkak se jo çdoherë janë në marrëdhënie pune, jo çdoherë kanë një strehim të qëndrueshëm dhe masat që i ndërmerr shteti në këto raste janë të kufizuara. Në strategji janë të përcaktuara detyrimet që i kanë pushtetet, si autoritete lokale, pjesa e ministrive ose pjesa e pushtetit qendror. Mirëpo, edhe pse janë të përcaktuara si objektiva, si synime apo qëllime, jo çdoherë po realizohen. Vështirësitë kryesisht lindin për faktin se rrethanat në të cilat familjet tona jetojnë në Kosovë, largimi i kryesit të dhunës, shtëpia ku banon jo çdoherë është e mundur, mund të them që rrallëherë është e mundur, sepse zakonisht familjet tona jetojnë në bashkësi të gjera familjare. Është e pamundur që të krijohet një situatë e tillë, që kryesi i dhunës të largohet dhe viktima të mbetet e strehuar në banimin ku ka qenë para se të raportojë rastin e dhunës. Pjesa dërmuese e rasteve kalojnë në strehimore. Strehimorja duhet të jetë qendra e strehimit të përkohshëm me karakter të dyfishtë. Karakteri i parë është që të sigurojë viktimën prej dhunës, derisa autoritetet të veprojnë. Dhe karakteri i dytë është strehim i përkohshëm deri sa të gjendet një zgjidhje e strehimit të qëndrueshëm. Zakonisht për shkak të këtyre rrethanave që unë i ceka dhe shumë rrethanave të tjera, që s’mund t’i cek, e që dihen botërisht. Viktimat, strehimoret i përdorin për strehim afatgjatë, 6 muaj, një vit, ka raste edhe më shumë, gjë që nuk është në përputhje me standardet dhe praktikat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Nuk janë as praktika dhe detyrime që i ka shteti në raport me Konventën e Stambollit.

KD: A ka pasur lëvizje në këtë drejtim, nga niveli qendror apo lokal?

Qelaj: Strehimi i qëndrueshëm në Kosovë është shumë problem, ka shumë pak komuna mbi bazën e informacioneve që ne i kemi, që ofrojnë një strehim të qëndrueshëm, qoftë përmes pagesës së qirave, qoftë përmes sigurimit të një strehimi, banese ose një shtëpie. Mungesa e strehimit, mungesa e mbështetjes financiare dhe aspektet e tjera që lidhen me pavarësinë ekonomike, ka raste kur viktimën e detyrojnë të kthehet prapë në vendin ku është ballafaquar me dhunën dhe kjo pastaj çon edhe te përsëritja e dhunës, te ashpërsimi i formave të ushtrimit të kësaj dhune, e deri tek rastet me fatalitet, që fatkeqësisht po ndodhin për çdo vit. Vetë strehimoret kanë probleme t’i mbulojnë shpenzimet e atyre shërbimeve që i ofrojnë për viktimat për vite të tëra. Është diskutuar si problematikë kjo çështje, mirëpo nuk është arritur të zgjidhet përfundimisht. Ka variuar sipas vullnetit politik, disa qeveri ose disa pjesë të caktuara të administratës shtetërore kanë ndihmuar ose kanë ofruar financim, por problemi mbetet. Zgjidhja është rregullimi i funksionimit të tyre me ligj, jo vetëm funksionimi dhe shërbimet që i ofrojnë, por edhe i mënyrës së financimit. Ne kemi marrë një draft të ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje që është punuar dhe kemi parë që është bërë mund të gjendet një zgjidhje.

KD: Duke e parë rritjen e rasteve në muajt e fundit, cili duhet të jetë prioriteti i shtetit dhe të tjerëve?

Qelaj: Duhet të punojmë shumë në preventivë, në vetëdijesim, në përgjithësi, në luftimin e kësaj dukurie për raportimin e dhunës në familje, jo vetëm nga viktimat, por nga të gjithë ata që kanë informacion se po ushtrohet dhunë në familje, pastaj te riintegrimi dhe fuqizimi ekonomik, sepse, besoj që është njëra prej segmenteve që kërkon më së shumti përkushtim dhe angazhim, me vetë faktin që ka edhe kosto, por kërkon edhe standard më të lartë, edhe të shoqërisë dhe të vendit në këtë drejtim. Unë shpresoj dhe besoj që autoritetet e kanë marrë qartë mesazhin, sepse edhe në deklarimet publike që kanë dalë nga zyrtarët e lartë të institucioneve, është konstatuar që e kanë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.