Arbëri

Qasja e Qeverisë së re maqedonase vlerësohet se ndikoi në paraburgimin e Ramadanit

Bashkëshortja e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, të cilin autoritetet e Maqedonisë së Veriut e arrestuan në bazë të një fletarresti të Serbisë, thotë se zyrtarët kufitarë i thanë se do të lirohej gjatë ditës. E, pasi i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, njohës politikë në Shkup thanë se arrestimi është pasojë e qasjes së qeverisë së re, pjesë e së cilës janë edhe serbë.

Liria për të cilën u angazhua në luftë, iu mohua në paqe, thotë Valbona, gruaja e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, të cilit iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pas arrestimit të tij në kufi nga autoritetet maqedonase, në bazë të një fletarresti të Serbisë. 

Bashkëshortja e tij Valbona, e cila ishte me të gjatë kohës që po kalonin kufirin, ka thënë se Ramadanin e mbajtën të ndaluar për një kohë për verifikim dhe deklarimet e zyrtarëve kufitarë ishin se ai do të lirohej.

“Pas një kohe më thanë vazhdo ti rrugën për Tetovë, kryeji punët tua që i ke pastaj kur të kthehesh do ta marrësh dhe do të ecësh prapë. Kur u ktheve unë nuk ishte ashtu si desha dhe çfarë më premtuan”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ishte i papritur vendimi i Gjykatës Themelore të Shkupit.

“Unë vendimin e 30 ditëshit, paraburgimit nuk e kam pritur. Me mendu por me e prit jo. Sepse sinqerisht kanë qenë fjalët shumë të mira që do të lirohet. Por, shpresojmë si unë, si të gjithë të tjerët, shokë, dashamirës dhe e gjithë Kosova në pafajësinë e Blerimit dhe të gjithë luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Valbona Ramadani.

Njohës të çështjeve ligjore vlerësojnë se me caktimin e masës së paraburgimit, Maqedonia e Veriut është duke vepruar në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian.

“Gjykata e Shkupit nëse do të ishte objektive, jo në ndikim politik, do të duhej menjëherë ta lirojë dhe të mos ia caktojë fare paraburgimin Blerim Ramadanit, për arsye se ky fletarrest është i kohës së Millosheviqit dhe ekstradimi i tij në Serbi nuk siguron që do të zbatohet një procedurë objektive, e paanshme dhe sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Me këtë arsyetim e pati liruar edhe Gjykata e Colmarit ish-kryeministrin Haradinaj”, është shprehur avokati Xhevdet Smakiqi.

Paraburgimin e Ramadanit e sheh të ndikuar politikisht edhe analisti politik në Maqedoni të Veriut, Blerim Hyseni, i cili shprehet se Qeveria e re, ka në përbërje serbë nacionalistë dhe nuk është e orientuar kah fryma evropiane.

“Kjo ka të bëjë edhe me Qeverinë e re aktuale e cila është formuar dihet siç është formuar dhe në përbërje të saj kemi disa elemente nacionaliste do të thosha për shkak se brenda saj kemi një zëvendëskryeministër të etnitetit serb i cili asnjëherë nuk ka arritur të distancohet nga politika shoveniste serbe e Daçiqit dhe Vuçiqit dhe nga ana tjetër ministër të Drejtësisë kemi një person i cili vjen nga një parti nacionaliste, e cila është e njohur për retorikën dhe vokabularin e saj politik antishqiptar”, ka thënë Hyseni.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Maqedoni nuk dhanë përgjigje në pyetjet që ua shtroi KOHA. E në atë të Drejtësisë thanë se nuk kanë më shumë informacione sesa ato që janë publike.

Për veprimet që janë ndërmarrë pas shqiptimit të paraburgimit nuk dhanë përgjigje as në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Gruaja e Ramadanit i ka mbështetur shpresat te institucionet e vendit, nga të cilat pret angazhim të pandalshëm. 

“Kjo nuk është çështje vetëm e familjes sime, e bashkëshortit tim. Është çështje që është ngritur për të gjithë ushtrinë, për të gjithë shokët e tij. Njëherë e përgjithmonë edhe këta duhet ta gëzojnë lirinë si të gjithë të tjerët”, ka thënë Valbona Ramadani.

Ramadani ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.