Arbëri

Qarkullim i vështirë në rrugën që lidh dy komuna, riparimet e premtuara nuk kanë nisur ende

Kontrata për riparimin e rrugës Podujevë-Bajgorë-Mitrovicë ka afro tri javë që është nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës, por punimet nuk kanë nisur ende. Ministria nuk i ka treguar arsyet e vonesës, e banorët ankohen për vështirësitë që ua shkakton ajo

Izet Zeqiri, edhe pse nuk jeton në fshatin e lindjes, atë e viziton shpesh.

Por, tash e disa vjet, vështirësi për të dhe për të tjerë banorë të fshatit Bajgorë, paraqet rruga e dëmtuar, që lidh këtë zonë me Mitrovicën dhe Podujevën.

“Qarkullimi në këtë pjesë të fshatit është shumë e vështirë sepse ka vite që këtë rrugë e mirëmbajnë banorët e fshatit. Kjo rrugë që është rrugë transit, që lidh dy komuna është dashtë qeveria me u marrë, qeveritë paraprake në fakt. Prej vitit 1983 ku është ndreq kjo rrugë, renovimet më të shumta i kanë bo banorët”, ka thënë Zeqiri.  

Telashet në rrugën që lidh fshatin Kërpimeh me Bajgorën e Mitrovicës janë tash e disa vjet. E për ata që kalojnë shpesh te kjo rrugë, është e mundimshme.

“ E kalueshme është, po sa është e kalueshme? Në vend se me shku për shembull prej Bajgore në Llap për 15-20 min m duhet 45min se duhet me u rujt”, është shprehur Nezir Istrefi.  

Kontrata për rehabilitimin e kësaj rruge është nënshkruar më 13 gusht të këtij viti. Punimet në ndërtimin e saj, që duhej të nisnin 5 ditë pas nënshkrimit, nuk kanë filluar ende. Banorët e zonës kërkojnë që qeveria ta trajtojë më prioritet këtë çështje.

“Mirëpo qeto sfida i kemi qysh po i shihni edhe para kamere e që po krijojnë pak telashe se nuk e Meriton. Për këtë rrugë, qeveria u deshtë me kanë pak ma përgjegjëse se osht një rrugë që i lidh vendet mes veti”, ka theksuar Ajshe Salihu, një tjetër banore që bashkë me familjen po lëvizte me makinë në këtë rrugë. 

E një tjetër qytetarë tha se ka 5-6 vjet që përmenden punimet në këtë rrugë. 

“Është e vështirë se pe shihni edhe vetë, u bo si udhë e shenjtë se qe sa kohë është kështu... Tash vjen edhe dimri hala ma vështirë. Hajde na qe vijmë dy-tri herë në muaj me marrë ujë po banorët këtu e kanë edhe më vështirë”.

Koha ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës për arsyet e vonesës së fillimit të punimeve në këtë rrugë por nuk ka marrë përgjigje. Për rehabilitimin e kësaj rruge janë ndarë katër milionë euro.  

Ardona Popova