Arbëri

PZAP-ja u shqiptoi 261.700 euro gjoba subjekteve, më së shumti u ankua partia në pushtet

Gjobat e Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa për dy javë fushatë ka arritur mbi 260 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes. Gjoba të tilla ka pasur kryesisht për vendosjen e posterëve në hapësira ku është e palejueshme, përmbajtjen e gjuhës së tyre, si dhe tubimet pa leje. Ankuesja më e shpeshtë që nga fillimi i fushatës zgjedhore është partia në pushtet.

Për dy javë fushatë, mbi 260 mijë euro gjoba ua ka shqiptuar subjekteve politike Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në një përgjigje të PZAP-së për KOHËN, thuhet se shuma totale e gjobave të shqiptuara nga PZAP-ja ndaj subjekteve politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjekte Politike deri më datën 25 janar është 238.500 euro.

Ndërsa shuma e gjobave të 26 janarit është  23.200 euro që në total për këto dy javë i bie 261.700 euro.

Vullnet Bugaqku, hulumtues i Lartë në Institutit Demokratik të Kosovës thotë se kjo paraqet rritje në raport me zgjedhjet e kaluara, kur PZAP-ja shqiptoi në total rreth 230 mijë euro gjoba.

Ai thotë se kjo flet për efikasitetin e PZAP-së e rritjen e përdorimit të ankesave në raport me zgjedhjet e kaluara.

“Kjo është mirë, sepse PZAP-ja po tregon se ka efikasitet dhe që është mekanizëm që po kryen punë në kuptimin që po mundohet që nëpërmjet vendimeve dhe gjobave t’i vetëdijesojë subjektet politike që t’i respektojnë rregullat dhe parimet e një procesi dhe të një integriteti zgjedhor të pastër. Kurse në anën tjetër, mund të jetë edhe shqetësues fakti që partitë politike dhe kandidatët për zgjedhje nuk është se po kujdesen fort për respektimin e rregullave, sidomos këta që gjuhë fyese dhe urrejtëse dhe nxitëse ndaj subjekteve të tjera politike.”, ka deklaruar ai.

Nga një llogaritje e KOHËS, shuma totale e gjobave arriti deri te 136.000 euro e deri të enjten nga 45 ankesa në total, 29 ankesa i ka bërë LVV-ja, 29 kundër partive opozitare.

Prej tyre, 11 kundër PDK-së, 9 kundër LDK-së e 9 të tjera kundër AAK-së.

Deri të enjten në bazë të kësaj llogaritjeje, shuma e gjobës së shqiptuar për tri partitë opozitare që rrjedhin nga ankesat e LVV-së është 109.500 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është ankuar asnjëherë te PZAP-ja për shkelje të mirësjelljes zgjedhore te partitë e tjera.

Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kushtuar mbi 20 mijë euro ankesat e partive të tjera opozitare.

Hulumtuesi Vullnet Bugaqku, thotë se më shumë se për çfarëdo tjetër, kjo jep indikacion se ku vendoset fokusi brenda për brenda shtabeve zgjedhore sa u përket ankesave ndaj partive tjera.

“Sa i përket numrit të ankesave që Lëvizja Vetëvendosje po i bën ndaj subjekteve politike, nuk di si ta shpjegoj tjetër, pos faktit që duket se ka një organizim më të madh dhe më të përpiktë të shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje që t’i përcjellë, të themi ashtu, të gjitha tubimet e subjekteve të tjera politike”, ka shtuar Bugaqku.

Shkeljet që i ka identifikuar PZAP-ja më së shpeshti janë shkeljet lidhur me vendosjen e posterëve në hapësira të palejuara, siç janë hapësirat publike, mbi 10 sosh.

Deri të enjten e kësaj jave, ankesa më së shumti ka pasur për atë që e plasojnë partitë, ku 10 lidhen me deklaratat në tubime, 4 për videot e postuara në rrjete sociale, 7 për mbajtje të tubimeve në vende si qendrat e mjekësisë familjare e shkollat pa leje, si dhe shkeljet e mirësjelljes zgjedhore me deklaratat e dhëna në media.

Si partive politike, ashtu edhe organizatave joqeveritare, PZAP-ja ua ka hedhur poshtë nga ana formale ankesat kur ka qenë fjala për deklaratat e dhëna në media, me arsyetimin se ato i llogarit si shkelje të mediave, e që trajtohen te Komisioni i Pavarur i Mediave.

Krahas partive, organizatat joqeveritare kanë paraqitur ankesa për shkelje në PZAP, ku ky institucion ia ka shqiptuar Koalicionit për Familje deri më tani dy gjoba në shumë të përbashkët prej 9.500 eurosh, për gjuhë denigruese e të urrejtjes kundër komunitetit LGBTI+.

Vetëm të dielën  PZAP-ja ka shqiptuar një gjobë ndaj LDK-së me vlerë 3.500 euro, dy  ndaj koalicionit AAK-NISMA-Intelektualët, Konservatorët dhe Ideal në vlerë 3.700 euro dhe 3.500 euro, dy gjoba njëra 5.000 euro dhe tjetra 6.000 euro ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe një me vlerë 1.500 euro ndaj Koalicionit për Familje.