Arbëri

Pushteti s’e mban premtimin për shtëpitë e të moshuarve

Edhe tre vjet pasi kryeministri Albin Kurti premtoi ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit që kanë nevojë për ndihmën e shtetit, plani nuk ka gjetur zbatim. Në Shoqatën e Pensionistëve e kritikuan Ekzekutivin që nuk e mbajti zotimin, tek thanë se numri i të moshuarve në nevojë të strehimit është i madh

Në suaza të premtimit ka mbetur zotimi i Qeverisë për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit që kanë nevojë për strehim.

Edhe tre vjet pasi që është premtuar nga kryeministri Albin Kurti, plani nuk është realizuar.

Njazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve, ka thënë se është i domosdoshëm ndërtimi i këtyre pesë shtëpive për të moshuar, pasi bëri të ditur se kërkesat për strehim janë të mëdha.

“Ndërtimi i këtyre shtëpive është më se i domosdoshëm dhe është jetik për mbijetesën e një kategorie të pensionuarve, sepse një numër i madh i tyre nuk kanë përkujdesje nga rrethi familjar. Ka shumë pleq që kërkojnë të strehohen nëpër strehimore, mirëpo nuk kanë ku strehohen, sepse kapacitetet janë të limituara dhe janë të pamjaftueshme”, ka thënë Gashi.

Gashi e kritikoi Qeverinë për mospërmbushje të premtimeve që ua ka dhënë të moshuarve.

“Kjo qeveri asnjë nga premtimet nuk i ka realizuar dhe i kanë fituar zgjedhjet në saje të politikave sociale që i kanë premtuar popullit, pra opinionit, gjatë qeverisjes së tyre”, ka thënë ai.

Krahas qeverisjes qendrore, sociologu Vebi Mujku thotë se mospërmbushja e këtij premtimi është dështim edhe i nivelit lokal.

“Këtu është një dështim dypalësh, edhe prej Qeverisë në planifikim, edhe prej komunave në kërkim të këtyre fondeve, sepse komunat edhe nëse ndajnë parcelat dhe organizojnë gjithë punën, duhet po ashtu edhe Ministria e Financave të ndajë edhe një buxhet për stafin, sepse këto shtëpi kërkojnë edhe një staf adekuat”, ka thënë Mujku.

Ai thotë se ka raste kur institucionet lokale e ato qendrore ua lënë menaxhimin e këtyre shtëpive shoqatave bamirëse, por shton se kjo përgjegjësi u takon institucioneve të shtetit.

“Është një gabim i madh dhënia e këtyre shtëpive e cila merret me bamirësi dhe jo me ofrimin e shërbimeve sociale profesionale, sepse një organizatë e cila ka kredibilitet në bamirësi nuk mundet me automatizëm që të marrë dhe të ofrojë shërbime sociale profesionale, sepse kjo duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve të nivelit lokal dhe qendror”, ka thënë Mujku.

Në Ministrinë e Drejtësisë, që i ka në kompetencë shërbimet për të moshuarit, nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS rreth ndërtimit të pesë shtëpive të premtuara për të moshuar. 

Në Kosovë aktualisht funksionojnë pesë shtëpi për të moshuar – në Prishtinë, Skenderaj, Istog, Novobërdë dhe Graçanicë.

Bazuar në të dhënat e Kryqit të Kuq, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 635 të moshuar në nevojë të përkujdesjes nga shteti.