Arbëri

Pushteti miraton projektligjin për KPK-në dhe atë për KPM-në

Kuvendi i Kosovës

Foto: Alban Bujari

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ndërsa votimi pë Ligjin për Zyrtarët Publikë u shty për një seancë tjetër për shkak të mungesës së kuorumit. Në votim nuk mori pjesë deputeti Eman Rrahmani (VV).

Në seancë gjatë votimit ishin prezentë 61 deputetë, të gjithë të pushtetit, meqë deputetët opozitarë e kishin lëshuar sallën.

Për projektligjin për KPM-në, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka thënë se ka pasur shumë komente dhe janë analizuar me seriozitet.

“Në fund kanë rezultuar me 93 amandamente që e ndryshojnë edhe në përmbajtje këtë projektligj”, ka shtuar ai.

Deputeti Dimal Basha dhe Eman Rrahmani kanë abstenuar.

Projektligji për Këshillin e Pavarur të Mediave është përcjell me kritika nga opozita, organizata joqeveritare dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, kishte konsideruar se miratimi i këtij projektligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Sipas O’Flahertyt, ky ligj përmban dispozita problematike për dezinformim dhe përmbajtje të dëmshme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte thënë se nëpërmjet projektligjit për KPM-në, pushteti po synon kapjen e mediave.

Zyra e Bashkimit Evropian ishte shprehur se është për keqardhje që s'janë marrë parasysh rekomandimet e saj për këto ligje.

Sipas reagimit, rekomandimet e BE-së synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.


(13:00) - Deputetët e pushtetit janë kthyer dhe kanë vijuar me votimin e projektligjeve.

Është kërkuar të rikthehet në komision projektligji për regjistrin e pronarëve përfitues, duke kërkuar që të përfshihen edhe disa komente të pranuara.

Kuvendi miratoi edhe për Ligjin për Sportin me mbi 60 amandamente.

Është miratuar edhe Ligji për Rininë.

Është miratuar edhe Ligji për Falimentimin dhe ai për mbrojtje nga zjarri.

Është miratuar edhe Ligji për letërnjoftimin me 13 amandamente. Për të tretën herë është arritur të miratohen amandamentet meqë deputeti Bahrim Shabani nuk mori pjesë në votim. Ai në fund abstenoi.

Deputetët miratuan edhe Ligjit për shërbimet private të sigurisë.

Ka kaluar në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Është miratuar në lexim të dytë edhe Projektligji për noterinë.


(11:29) - Kuvendi shkoi në një pauzë 20-minutëshe. 


Opozita lëshon sallën pasi s’kaloi kërkesa për heqjen e tri projektligjeve nga rendi i ditës

(10:30) - Opozita nuk i pati votat për t'i hequr nga rendi i ditës projektligjet për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që nëpërmjet një rezolute, Qeveria t’i largojë këto tri projektligje, derisa këtë e mbështeti edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Grupi i LDK-së vlerëson se mocioni është i arsyeshëm dhe këto tri ligje kanë përmbajtje kundërshtuese dhe si të tilla duhet të tërhiqen nga rendi i ditës dhe Kuvendit të mos shqyrtojë”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se seanca e sotme është “ndër seancat më të dëmshme të kësaj legjislature”.

“Ka mundësi që të miratohen këto tri ligje që e kanë veç një synim: kapjen e shtetit në mënyrë ligjore, të institucioneve të pavarura”, ka shtuar Tahiri.

Kundër kësaj kërkese ishin 53 deputetë dhe 21 për.

Më pas, deputetët e partive opozitare lëshuan sallën e Kuvendit.

Kuvendi më pas votoi për Statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Pro këtij vendimi ishin 57 deputetë, 2 kundër, 2 abstenime e 1 deputet s’ka votuar fare.

Pro votuan në parim edhe për projektligjin për të huajt.


Kuvendi sot mban dy seanca, një të rregullt e një të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca. E para është seancë e jashtëzakonshme, me vetëm një pikë të rendit të ditës, që është përkujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës. Ajo pritet të fillojë në orën 9:30. 

Ndërsa seanca tjetër është paraparë të fillojë në orën 10:00 dhe është vazhdim i seancës së kaluar. 

Në rend dite në këtë seancë janë gjithsej 32 pika.

Për shkak të punimeve në sallën e seancave të Kuvendit, seancat do të mbahen në një sallë tjetër. 
“Seancat do të jetë e hapur për të gjitha mediat e akredituara në Kuvend. Megjithatë, duke pasur parasysh hapësirën mjaft të kufizuar të sallës, lusim mediat që ta marrin në konsideratë edhe mundësinë alternative të transmetimit të seancës nëpërmjet Livestream në uebfaqen e Kuvendit apo transmetimit në kanalin e Kuvendit në Youtube”, thuht në njoftimin e Kuvendit.