Në pesë nga shtatë komunat më të mëdha në Kosovë sivjet në zgjedhjet lokale është ndërruar partia udhëheqëse. Kryetarët e deritanishëm kanë bërë pranim-dorëzimin e detyrës te kryetarët e rinj, për dallim nga udhëheqësit e pushtetit qendror, që nuk e kanë shumë në traditë dorëzimin e detyrës.
Në shumicën e kohëve kur është ndërruar qeverisja e përgjithshme, kryeministrat nuk ia kanë dorëzuar detyrën pasuesit.
Në mesin e ndërrimeve të fundit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në shkurtin e 2020-s, nuk e kishte bërë dorëzimin e mandatit te kryeministri i zgjedhur, Albin Kurti. Atëbotë Haradinaj kishte thënë se në ditën e ceremonisë zyrtare do të gjendej jashtë vendit, e dorëzimin do ta bënte dikush tjetër.
“Unë do të jem jashtë vendit, ose do ta caktoj dikë nga zëvendëskryeministrat me bë dorëzimin e detyrës menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Qeverisë ose do t’i bëj një telefonatë për t’i uruar sukses”, ka thënë Haradinaj.
Detyrën zyrtarisht ia kishte dorëzuar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
“Unë besoj se ju do t’ia dilni, ashtu siç e thashë e dje, për arsye se jeni i vetëdijshëm që të bëni mirë atë që e doni. Ju e doni suksesin e Kosovës e të qytetarit. Për ju e për Kosovën është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme”, kishte deklaruar Pacolli në objektin e Qeverisë.

Qeveria “Kurti I” nuk kishte zgjatur as dy muaj. Me një mocion mosbesimi, Kurti ishte rrëzuar nga partneri qeverisës, LDK-ja. Kjo e fundit kishte marrë pushtetin në qershorin e 2020-s, me kryeministër Avdullah Hotin. Por as këtij nuk ia kishte dorëzuar askush detyrën. I vetmuar kishte dalë para ceremonisë zyrtare.

Pak muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur antikushtetuese Qeverinë Hoti. E në zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore, Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar bindshëm, duke bërë që Kurti të rikthehej në postin e kryeministrit të Kosovës. Detyrën ia kishte dorëzuar ish-shefi i qeverisë, Avdullah Hoti.

Në aspektin e pranim-dorëzimit të mandatit, pushteti lokal i ka dhënë leksione atij qendror. Kryetarët e zgjedhur e kanë marrë detyrën nga ata që kanë qeverisur mandatin e fundit. Kjo është bërë e ditur përmes konferencave e publikimeve në rrjetet sociale.
Në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është rikthyer në pushtet, me kandidatin Përparim Rama. Kryetari i ri mori detyrën nga Shpend Ahmeti, që udhëhoqi kryeqytetin për tetë vjet. Të martën, pas betimit në Kuvendin Komunal, Ahmeti ia dorëzoi detyrën në zyrën e kryetarit.

Pas dy mandatesh, Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) e ka humbur Komunën e Mitrovicës. Ky ia ka uruar fitoren dhe detyrën të zgjedhurit Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
“Sot, bëra dorëzim-pranimin e detyrës së kryetarit të komunës te kryetari i ri, z.Bedri Hamza. Kisha nderin dhe kënaqësinë, të ju shërbejë me përkushtim për 8 vite, gjatë të cilave kemi bërë shumë punë të mira për qytetin tonë. Thelbi i demokracisë qëndron te vota qytetarëve dhe rotacioni politik. Z. Hamza i uroj punë të mbarë dhe suksese në mandatin e tij qeverisës”, ka shkruar Bahtiri në Facebook më 26 nëntor.

Detyrën ia ka dorëzuar edhe Mytaher Haskuka i VV-së Shaqir Totajt të PDK-së. Haskuka, që udhëhoqi me Prizrenin për një mandat, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, derisa shtoi se pret punë të mira nga kryetari i ri.
Pranim-dorëzimi u bë me ceremoni solemne në objektin e Komunës, derisa Totaj deklaroi se do të vijohet me konstituimin e Kuvendit Komunal.

Në Vushtrri, LDK-ja ia pati “dorëzuar” pushtetin PDK-së qysh në natën e zgjedhjeve duke dalë në sheshin e qytetit për ta uruar. Ndërkaq, Xhafer Tahiri, ia ka dorëzuar detyrën edhe zyrtarisht të hënën kryetarit të zgjedhur Ferit Idrizi, duke i uruar sukses në punë.
“Jam krenar që i kam shërbyer me nder qytetit që e duam, për ndryshimin që e kemi sjell në Vushtrri e kulturën demokratike të qeverisjes”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Gjilanin pas disa mandatesh e ka humbur Lutfi Haziri i LDK-së. Ky i fundit e ka uruar publikisht kryetarin e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni. Ceremonia e marrjes së detyrës do të bëhet të enjten në ora 10:00.
Edhe nëpër komunat tjera, është bërë dorëzim-pranimi i detyrës nga kryetarët e deritanishëm.
Për kryetarët e komunave, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se demokracia është në nivel të lartë, duke përmendur raportet e mira që ata kanë mes vete. Ai i ka thënë KOHËS se kryetarët e komunave kanë raporte të mira dhe kjo vërehet në takimet e rregullta.
“Janë raporte miqësore, demokracia dhe demokratizimi është në nivel të lartë. Urimet mes vete për fitore në zgjedhje dhe pranimi i disfatës, është tregues për një zhvillim demokratik mes subjekteve”, tha ai.
Ibrahimi ka thënë se më 15 dhjetor do të ketë një takim me të gjithë kryetarët e komunave.