Arbëri

Pushteti e opozita në Prishtinë s’bëjnë zhurmë për ujin e papijshëm

Uji i pijshem

Zhurma e shpeshtë mes pushtetit dhe opozitës në kryeqytet për jo pak çështje nuk është dëgjuar edhe për problemin me ujë të pijes, me të cilin përballen qytetarët prej një muaji. Në liqenin e Badovcit vazhdojnë të jenë vlerat e larta të manganit e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se menaxhimi i situatës është në kompetencat e KRU “Prishtina” dhe jo të Komunës

Përplasen shpesh për ndërmarrjet publike lokale, si dhe ato regjionale, por megjithëse është bërë një muaj prej kur rreth 20 për qind e Prishtinës nuk mund të konsumojë ujin që vjen nga liqeni i Badovcit, as asamblistët opozitarë dhe as ata të pushtetit në kryeqytet nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë problem.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë të enjten se Drejtoria e Emergjencave ka ofruar ndihmë ndaj ujësjellësit lidhur me problemin.

“Kjo është kompetencë e ‘ujësjellësit’. Ne kemi qenë të hapur për ndihmë së bashku me Drejtorinë e Emergjencave dhe Lulzim Fushticën. Së bashku me këtë drejtori jemi duke u përpjekur që t’i furnizojmë me ujë të pijshëm qytetarët në zonat ku kanë konsumuar ujë të Badovcit. Ne jemi të informuar gjatë gjithë kohës për gjendjen e ujit”, ka thënë Rama.

Burime të KOHËS kanë thënë se javën që ardhshme Rama do ta takojë kryeshefin e ujësjellësit, Arsim Fetahu, për ta diskutuar çështjen.

E, në ujësjellës kanë bërë të ditur se autobotet me ujë të pijshëm po dërgohen nëpër lagje të kryeqytetit ku nuk lejohet për pirje uji nga liqeni i Badovcit.

“Jemi në koordinim të plotë me IKSHPK-në. Shpresojmë që situata të përmirësohet shumë shpejt dhe jemi në trend të rënies së vlerave te manganit, por jemi duke e përcjellë situatën. Gjendja nuk është alarmante”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.

Izet Sadiku, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka theksuar se kryeqytetit i duhet një institut lokal i shëndetësisë.

“I vetmi qytet që nuk ka institut të shëndetit është Prishtina, i cili do të duhej të merrej edhe me shumë parametra të tjerë dhe probleme të tjera që i ka kryeqyteti. Ne jemi duke punuar në atë drejtim. Presim edhe përkrahje nga Qeveria. Kjo pasi me Ligjin për kryeqytetin na takon instituti regjional i Prishtinës”, ka thënë ai.

Është bërë një muaj prej kur janë raportuar nivele të larta të manganit në ujin që e furnizon Prishtinën e re, Matin, Hajvalinë, Graçanicën dhe një pjesë të “Bregut të Diellit”. Që atëherë uji vazhdon të mos jetë i pijshëm dhe as të përdoret për gatim.