Arbëri

Pushteti akuzohet se nuk i përfilli rekomandimet e KiE-së për Projektligjin e KPM-së

Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave është miratuar të enjten në Komisionin Parlamentar për Media, e disa nga rekomandimet që synonin përshtatjen e tij me direktivat e Bashkimit Evropian nuk u përfillën. Opozita kritikoi pushtetin se është duke synuar kapjen e mediave

Me kritika se nuk janë përfillur disa nga rekomandimet e Këshillit të Evropës,  Komisioni Parlamentar për Media (KPM) ka miratuar të enjten raportin me amendamente për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. 

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka shprehur shqetësimin për mosheqjen e disa pikave të rekomanduara të përfshihen në nenin 17, që sipas tij vënë në pikëpyetje vendimmarrjen e anëtarëve të Komisionit.

“3.4 dhe 3.5 të fshihen sepse janë nene që janë në kundërshtim edhe me direktivën evropiane në kuptimin e të drejtës dhe lirisë për të marrë vendime. Pra 3.4 vë në pikëpyetje vendimmarrjen e anëtarit të KPM-së, 3.5 ka të bëjë me humbjen e besimit dhe cenimin integritetit, kurse 3.6 ka të bëjë me raportin vjetor”, ka thënë Mehmeti. “Nga ajo që kuptova 3.6 po e largoni, ndërsa këto dy jo. Kjo çështje do të ndikojë në vlerësimet kushtetuese në ndonjë fazë tjetër”, ka shtuar ai.

E shqetësimin e Mehmetit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, e përktheu si kërcënim.

“Çka konsideroj jokorrekte është në këtë fazë me kërcënuan deri në atë nivelin, me rrëzim kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Nuk është e drejtë që deputetëve t’ju bëhet kësi presioni, në kuptimin ose hiqe këtë ose mund të gjejë problem në fazë tjetër”, ka thënë Muzaqi.

Projektligji për KPM-në nga Partia Demokratike e Kosovës është vlerësuar se cenon demokracinë në vend. 

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka thënë se disa nga rekomandimet e KiE-së nuk janë marrë parasysh. 

“Rekomandimet e ekspertit të KiE-së unë e kam vërejt që nuk po përfillen. Nuk është qëllimi i përafrimit të legjislacionit evropian. Po e marr një shembull, unë kam kërkuar që të mbetet bordi për ankesa, po të njëjtën gjë e ka dhënë edhe ekspertja, do të ishte e arsyeshme që bordi i ankesave të jetë siç është aktuale por kjo nuk u mor parasysh”, ka thënë ai. 

Sipas Shabanit, qëllimi i pushtetit është kapja e mediave. 

“Ende nuk kam parë që në Kuvend të Kosovës kanë ardhur kaq shumë komente kaq shumë shqetësime për një projektligj, që kanë ardhur për këtë i miratuar nga Qeveria. Prandaj po shihet dhe pajtohemi edhe më përfaqësuesit e tjerë që qëllimi këtu nuk është të ketë liri të mediave, por përkundrazi është qëllimi i kapjes”, ka thënë ai.

Projektligji për KPM-në është kritikuar edhe nga shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Disa aspekte të Projektligjit janë vlerësuar se nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane. 

Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: ndryshimi i Projektligjit për KPM-në pa koncept dokument, mënyra e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërje, emërimi, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së, largimi i kufizimit ligjor që në të kaluarën ua pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove, dhe mungesa e transparencës gjatë nismës legjislative.