“Visametric” dhe drejtori i saj nuk janë më të dyshuar për veprën penale “mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka mbyllur muajin e kaluar hetimin për këtë rast.
Kompania e kontraktuar nga Ambasada Gjermane i pati detyruar qytetarët të paguanin 30 euro për t’ua kthyer pasaportën në shtëpi dhe nuk ua pati lënë mundësinë që t’i merrnin pasaportat e tyre fizikisht.
Kundër kësaj praktike Gjykata Komerciale pati marrë tri vendime në periudhën dhjetor 2022 – prill 2023, por ato nuk ishin zbatuar.
Në aktvendimin për shuarje të hetimeve ndaj “Visametric” dhe Serdal Ozdemirit, thuhet se të dyshuarit nisën të zbatonin vendimin gjyqësor të 16 majit 2023, që ishte i katërti për këtë çështje.
“Në rastin konkret prokurori i Shtetit pas zhvillimit të hetimit dhe analizimit të dosjes së lëndës, provave materiale dhe atyre personale, ka ardhur në përfundim se në rastin konkret ekzistojnë rrethana të tjera, të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale, pasi që i pandehuri ka filluar të zbatojë një vendim të tillë atëherë, edhe pse ndjekja penale është filluar, e njëjta do të ndërpritet dhe do të pushohet hetimi duke u bazuar në paragrafin 3 të nenit 399 të KPRK-së”, thuhet në aktvendimin për shuarje të hetimeve.
Gjatë intervistimit në prokurori drejtori i “Visametric”, Ozdemir, tha se veproi si e këshilluan avokatët dhe vetëm vendimi gjyqësor i 16 majit 2023 e obligonte të mos ua merrnin aplikuesve 30 euro, kur ata shprehnin vullnetin ta tërhiqnin vetë pasaportën.
Zëvendëskryeprokurorja e Prishtinës, Elza Bajrami-Kastrati, që është marrë me rastin, ka vlerësuar se mosparaqitja në seancë e avokatit Flamur Abdullahu, që përfaqësonte padinë kolektive të qytetarëve kundër “Visametricut” është arsye për mbyllje të hetimeve.
“Për më tepër, fakti që Gjykata Komerciale më datë 13.5.2024 ka marrë aktvendim me të cilin është konsideruar e tërhequr padia e paditësit Flamur Abdullahu, e iniciuar në emër të interesit kolektiv për shkak se i njëjti ishte ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk ishte paraqitur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, mund të nënkuptojë që vendimi është zbatuar tashmë nga “Visametric LLC” dhe se nuk ka pasur interes juridik nga pala paditëse të vazhdojë më tutje me këtë procedurë”, thuhet tutje në aktvendim.
“Visametric”, në bazë të faqes së Ambasadës gjermane, vazhdon të jetë e kontraktuar për shërbimet e vizave. Prej 1 janarit 2024, qytetarët nuk kanë nevojë për viza turistike për udhëtim në shtetet e zonës Schengen, teksa për udhëtimet e llojeve të tjera duhet të aplikojnë ende.