Arbëri

Puset romake të Mirashit

Çezma e vogël mezi pikon. Uji i të madhes gurgullon teksa lëshohet nëpër govatën e betontë me rënie të lehtë. Nuk kanë më shumë se nja dyqind metra largësi ajrore njëra prej tjetrës. Burojnë prej të njëjtit burim. Askush nuk e di arsyen e saktë pse kroi i vogël po bie vetëm pika uji në govatën me gurë e beton në rrethojën e xhamisë së fshatit.

Copëza tjegullash e gurësh thyejnë jeshilin përreth. Pika-pika është ujitur vetvetiu lëndina vende-vende me barishte të egra. Krejt ndryshe prej stolave dhe oborrit të mirëmbajtur të xhamisë me klimë. Zëra fëmijësh përzihen me gurgullimën e ujit të kroit të madh përballë shtëpive të lagjes së Lohajve. Riadi, Ndriçimi e Dioni freskojnë sytë e shuajnë etjen në tubin metalik, shkruan Koha Ditore.

“Pihet more, qysh nuk pihet!” - thotë Ndriçimi, që ndërron çehre se pse vihet në dyshim cilësia e ujit. Menjëherë shton: “Me kanë nuk e kishim pi”. Dy shokët ia aprovojnë fjalët me lëvizje koke. Tretë janë nxënës të klasës së gjashtë në shkollën fillore të fshatit Mirash të Ferizajt.

Beqir Lohaj (67), i cili ka shtëpinë përballë, thotë se prej kohës së fëmijërisë ka pirë ujë te Çezma e madhe. “Gjithë kemi pi ujë na, e kemi përdorur për pije për vete, por i kemi çu edhe kafshët. Edhe ujë për me la tesha kanë bajtë me korita të drunit”, shton ai. “E te Çeshmja e vogël te xhamia deri vonë, - para një dy vjete kur e shtrun rrugën i prekën gypat – ka pasë ujë si te Çezma e madhe, por duket se prekën gypin e u zanë diçka”.

Lohaj për një gjë është i sigurt: “More, ke çfarë moti ke, dimër a thatë, uji i kroit kurrë nuk është shterë. Edhe në thatësinë më të madhe”.

“... e dëshmojnë faktet”

Ka të moshuar në fshat që krojeve u referohen si “Puset e Rimit”. Me “Rim” i referohen Romës së perandorake kur sundoi në këto troje. Historiani Naim Bytyçi, njëherësh mësimdhënës në shkollën e fshatit, thotë se krojet janë vetëm dy prej shenjave të shumta të infrastrukturës së dikurshme romake. Ngulmon se Mirashi është një lokalitet i vjetër ilir me vijiëmësi jete. Fshati që shtrihet në verilindje të Ferizajt është rrëzë maleve dhe fushës. Sot besohet se numëron rreth 300 shtëpi me tremijë e pesëqind banorë.

“Mirashi është një lokalitet shumë i vjetër, dhe duke u mbështetur në shumë toponime të vjetra dhe të ruajtura mirë deri sot, sigurisht që Mirashi daton nga periudha ilire, kur dihet se ilirët vendbanimet e tyre i ndërtonin kryesisht në vende kodrinore”, thekson Bytyçi në një njërën prej tri tarracave të marketit matanë rrugës në zemër të fshatit. Kokën kthen prapa për të drejtuar me gisht nga pylli mbi shtëpitë e Bytyçëve ku para dy vitesh i dërgoi katër arkeologë të institucioneve qendrore për t’ua treguar shenjat e themeleve të një kishe të vjetër.

“Se është vendbanim i vjetër, dëshmojnë shumë fakte, duke u nisur së pari nga emërtimi i fshatit, që është një nga emërtimet e pakta të Ferizajt me rrethinë me gurrë të plotë shqipe”, thekson Naim Bytyçi. Ai dhe vëllai binjak, Bashkim Bytyçi, gjithashtu historian, kanë hasur shpesh në artefakte që ua kanë fuqizuar pretendimet e studiuesve për lokalitetet e lashta të rrethinës.

Toponimet e vjetra

“Ekzistojnë një numër i konsiderueshëm i toponimeve të vjetra e gjetjeve arkeologjike të cilat dëshmojnë antikitetin e fshatit Mirash”, thotë Bashkim Bytyçi, tani zyrtar i lartë i ciklit të ulët në Drejtorinë e Arsimit të Ferizajt. Ndalen pak më shumë te krojet. Thonë se uji që rrjedh, burimin e ka prej puseve të punuara në mënyrë karakteristike.

“Puset janë të murosura prej tullave të pjekura dhe të veshura me drunj dekorativë. Këtyre puseve iu shtuan edhe dy në vitet gjashtëdhjetë kur fshatarët riparuan gypat prej deltine dhe rrjetin e ujësjellësit”, thekson Naim Bytyçi, i cili ka përmbledhur shkurtimisht historinë e fshatit. “Këto puse, sikur se edhe më parë, quhen ‘Puset e Rimit’. Vetë emërtimi i tillë dëshmon vjetërsinë e tyre, kur dihet se në periudhën e sundimit të romakëve, ka qenë shumë i përhapur sistemi i ujësjellësit, i njohur si ‘akuadukta’”, shton historiani Bytyçi.

Në vendin ku dikur ishin puset, nuk të rrokë syri asnjë gjurmë të tyre. Në krye të lugut të Çezmës së madhe, vendi është mbuluar nga therrat. Madje, Riadi, Dioni e Ndriçimi nuk kanë ide se aty janë “rrënjët” e ujit që i freskon nja njëzetë metra më poshtë. Me kujdes të shtuar shkelin nëpër sipërfaqen me gurë, mbeturina e barishte derisa ngjiten në rrugën e asfaltuar që gjarpëron përpjetë. Pas largimit të tyre, një pulë e bardhë afrohet që ta shuajë etjen në govatë. Me dy këmbët e shtrënguara, mban baraspeshën derisa ul kaçepin. Është ditë me diell.

Kisha e “Rrezës”

“Afër këtyre puseve, në sipërfaqen e ngritur, e njohur si ‘Rrezja’ gjenden themelet e një kishe tipike katolike ilire, sepse vetë konstruksioni i themeleve e dëshmon, duke u bazuar në portën hyrëse të kishës, e cila gjendet në pjesën veriore të themeleve të saj dhe kisha gjendet në pjesën më të lartë të kësaj sipërfaqe kodrinore”, thotë Naim Bytyçi.

Të moshuarit e intevristuar, që nuk duan të flasin me emër e mbiemër, thonë se gurët e themeleve të kishës janë shkulur nga vetë fshati për nevoja private. Madje njëri prej tyre si me humor thotë: “A po e sheh atë murin me gurë atje? Mund të jetë ndërtuar me gurët që janë marrë nga themelet e kishës”. Pastaj qeshet.

Vëllezërit Bytyçi thonë se shenjat e lashtësisë së fshatit po zhduken prej dorës së njeriut rrënues. Nja një kilometër larg prej themeleve të shkulura të kishës, mendohet të ketë qenë rrënojat e një kishe tjetër ose një kulle vrojtimi. Ndodhet në territorin kodrinor ndërmjet Mirashit e Gadimës së Epërme të Lipjanit. Vendi njihet ndryshe edhe si “Lugu i Kishës”. Historianët besojnë se objekti mund të ketë shërbyer për të lidhur kontaktet ndërmjet dy vendbanmeve të lashta. Besojnë se aty mund të dëshmohet jetesa e kohës së hekurit.

“Afër këtij lokaliteti gjenden edhe disa shenja të varreve të rrethuara me gurë të madhësive të ndryshme, një formë shumë e përhapur tek ilirët e më vonë e bartur edhe tek arbrit”, thekson Naim Bytyçi.

Qasja rrënuese e shtetit

Në krye të fshatit mbi shtëpitë e lagjes së Raçëve mendohet të ketë pasur një shkritore të hekurit. Në “Samakovë”, sikur i referohen vëllezërit, shpesh gjenden materiale metalike me forma të ndryshme. “Por duhen ekspedita të mëdha me gërmime për të zbuluar gjithë pasurinë e lashtë që mund ta ketë fshati”, thekson ai. “Murakova”, një tjetër lagje e fshatit, ndodhet fare afër gjeografikisht prej luginës kur gjatë punimeve të autostradës, “Arbën Xhaferi”, u gjetën themele dhe eshtra të një vendbanimi të vjetër. Por shteti rrafshoi gjithçka pas një vlerësimi kundërthënës të institucioneve qendrore të trashëgimisë se nuk ia vlente të ndërrohej traseja për t’i shpëtuar themelet e zbuluara rastësisht.

Bashkim Bytyçi thotë se e mban mend si fëmijë se si autoritetet e atëhershme serbe sillnin përfaqësues sa herë që ndonjë fshatar gjente eshtra ose gjurmë materiale derisa punonin tokën. “Kanë bartur me kamionë, por kurrë nuk kanë treguar se çfarë kishin gjetur”, thekson ai, teksa freskohet me një birrë të ftohtë.

48 shtëpi dhe dy beqarë

Në luginën poshtë xhamisë, është Kroni i Prengës, tregojnë vëllezërit Bytyçi. Marrin shkas të kujtojnë krojet dhe toponimet e tjera që tregon lashtësinë e vendbanimit. “Ekzistojnë edhe një mori toponimesh që edhe sot ruhen nga banorët vendës të Mirashit, si Kroni i Bunjakut, Kroni i Kallugjerit, Kryqi, Zllajka (mbishkrim varri), Lugu i Sofisë, Guri i Gatë, Lamet e Spahisë e të tjera”, thotë Naim Bytyçi.

Vëllezërit historianë thonë se në bazë të regjistrimit të popullsisë dhe shënimeve kadastrale osmane të vitit 1455 të Vilajetit të Vellkit, vendbanimi i quajtur Mirash 48 shtëpi dhe dy beqarë, ndërkaq në shënimet kadastrale të viteve 1966-74, Mirashi kishte 23 shtëpi dhe dy beqarë. “Ndryshimi, apo zvogëlimi i numrit të fshatit Mirash, sigurisht që është reflektuar me shpërnguljen e popullsisë në vendbanimet tjera pas vdekjes së Skënderbeut”.