Blerim Delija, nënkryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, ka thënë se ekziston mundësia që punëtorët shëndetësorë të futen në grevë nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua realizon kërkesat.
Punëtorët shëndetësorë protestuan për herë të dytë të enjten, duke kërkuar nënshkrimin e Kontratës Kolektive, rritjen e vlerës së koeficientit dhe kthimin e dialogut social.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Delija ka bërë të ditur se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka ftuar në takim menjëherë pas protestës së djeshme. Por takimi u realizua për pak minuta, pasi sipas tij, Vitia u ka thënë se duhet të marrë pjesë në seancën plenare. Takimi u shty për sot, por sërish nuk u realizua. Përfundimisht, Delija ka thënë se do të takohen me Vitinë të hënën, por nuk pret ndonjë zgjidhje,
“Sot kemi marrë informata që takimi do të zhvillohet të hënën në orën 15:00. Ministri ka shfaqur gatishmëri të bisedojë më seriozisht, jo si herëve të kaluara, nuk i kishte ato qëndrimet e ngurta siç i ka pasur më herët. Nuk besoj që do të bëjë ndonjë zgjidhje, por shpresoj që ministri ta ketë vullnetin e mirë dhe ta nënshkruajë Kontratën Kolektive, kurse për vlerat e koeficientit mund të diskutohet. Nëse nuk ka rezultate pas takimit, veprimet sindikale nuk do të ndalen dhe vetëm do të përshkallëzohen. Ekziston mundësia që të vazhdojmë edhe me grevë”, ka thënë ai.
Sipas Delijës, kërkesat e punëtorët shëndetësorë janë të realizueshme.
Ai ka thënë se janë ndierë të mashtruar nga Vitia pasi për dy vjet e kanë negociuar Kontratën Kolektive dhe në fund “ministri nuk ka shfaq vullnetin ta nënshkruajë, ka rezultuar se kemi qenë të mashtruar”.
Kontrata Kolektive e shkëputur dy vjet më parë përmban disa benefite për punonjësit në sektorin e shëndetësisë. Ajo rregullon themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës, orarin, pushimet, stazhin e rrezikshmërinë në vendin e punës.
Për punëtorët shëndetësorë vlera e koeficientit të pagave do të rritet për 0.5, një herë në janar dhe një herë në qershor. Ata po kërkojnë që vlera të rritet.
Delija ka thënë se në fillim kanë pasur marrëdhënie të mira me Qeverinë Kurti.
“...por se di çka ka ndodhur. Ka dy vjet që ministri injoron kërkesat tona për takime”, ka shtuar ai.