Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” do të protestojnë të mërkurën, 4 dhjetor, nga ora 10:00 para Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit të shoqatës sindikale, qëllimi është largimi i tenderit prej 16.5 milionë euro, “i cili tender e çon kompaninë drejt falimentimit”.
Aty thuhet se kërkesat që punëtorët kanë adresuar në protestën e mbajtur më 22 nëntor nuk janë marrë parasysh.
“I ftojmë të gjithë të punësuarit pranë KRM-Pastrimi me njësi që të na bashkohen që të jemi zëri i juaj në mbrojtjen e kompanisë nga e keqja që po i kanoset”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
E, të enjten më 5 dhjetor është thirrur seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës për çështjen e kompanisë “Pastrimi”. Seanca është thirrur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, pas kërkesës nga asamblistët e Vetëvendosjes dhe PDK-së, dhe aty do të kërkohet shpëtimi i kompanisë.
Opozita ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe qeverisja e tij po synojnë ta falimentojnë kompaninë “Pastrimi” dhe të lënë pa punë afro 900 punonjës.
Në një konferencë për media disa ditë më parë, nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë u kërkua të anulohet tenderi i shpallur prej 16.5 milionë eurosh nga Komuna e Prishtinës për shërbime të pastrimit për periudhë trevjeçare.