Arbëri

“Punët e grave nuk kryhen kurrë”

Grate - COSMO - emisioni

“Kemi fillu në garazh të shpisë tem, ka qenë një objekt i shtëpisë tem”, thekson Ajeti, që pastaj do të hapte biznesin “Grasep”. Kështu, jo vetëm që do të merrte përsipër udhëheqjen e biznesit, por edhe do të kthehej në burim financiar për shoqet e komunitetit. “Na nuk kemi dashtë me u marrë veç me punë të shtëpisë, por edhe me ndihmu familjen”. Sot, kompania e saj eksporton produkte edhe në vende të Bashkimit Evropian. Por nga 622 mijë gra në moshën e punës, vetëm 140 mijë, apo 22 për qind e tyre janë pjesë aktive e këtij tregu, ndërsa 17.1 për qind janë të punësuara

Valbona Ajeti kaherë ua kishte marrë dorën turshive për nevoja të familjes. Por, bashkë me gratë e Sllatinës së Vitisë do të mblidhnin forcat që traditën e përgatitjes së turshive ta kthenin në biznes. Fillimi ishte goxha i vështirë.

“Kemi fillu në garazh të shpisë tem, ka qenë një objekt i shtëpisë tem”, thekson Ajeti, që pastaj do të hapte biznesin “Grasep”. Kështu, jo vetëm që do të merrte përsipër udhëheqjen e biznesit, por edhe do të kthehej në burim financiar për shoqet e komunitetit. “Na nuk kemi dashtë me u marrë veç me punë të shtëpisë, por edhe me ndihmu familjen”.

(Pa)fuqia ekonomike e grave

Por sipas Agjencisë së Statistikave, nga 622 mijë gra që llogaritet se janë në moshën e punës, vetëm 140 mijë apo 22 për qind e tyre janë pjesë aktive e këtij tregu, ndërsa 17.1 për qind janë të punësuara. Krahasuar me 2019-n, vitin e para pandemisë COVID-19, shkalla e punësimit të grave është rritur vetëm 3 për qind. Sipas raportit të fundit të organizatës Demokracia për Zhvillim (D4D), “(Pa)fuqia ekonomike e grave në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor”, praktikat e diskriminimit gjinor mbeten sfidë e fortë sa i përket fuqizimit ekonomik të grave.

Mihane Abdullahu, pronare biznesit “Duart e vyera” nga Gumnasella e Lipjanit, u desh të tregohej fort e vendosur që t’ia mbushte mendjen familjes se mund t’ia dilte në biznesin e kultivimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.

“Të drejtën me të thanë, të familjes nuk kishin fort qejf, por me ma prish nuk ma prishën”, thekson Mihane Abdullahu prapa tezgës në tregun mobil afër shtatores së presidentit amerikan, Bill Clinton në Prishtinë.

Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se përfshirja kaq e ulët e grave në ekonominë e vendit lidhet me disa faktorë. “Fillimisht është norma shoqërore; mentaliteti që është mësu me gruan me qenë në shtëpi për të krijuar atmosferën në shtëpi, për t’u përkujdesur për të vjetrit, për fëmijët”, thekson ajo. Demolli thotë se punësimi i grave mbështetet nga familja vetëm kur ka ndonjë pagë të mirë dhe kushte të mira, sidomos në institucione publike.

“E dyta është se shteti nuk ka politika, nuk ka politika për me kriju gratë përvojën e parë të punës”, thekson ajo.

Forca e zakonit

“’Punët e grave nuk kryhen kurrë’, është një frazë që na ka përcjellë si shoqëri, e që ilustron më së miri se sa ato janë të angazhuara me punët brenda shtëpisë. Por, këto punë që iu imponuan nga patriarkalizmi, e po përcillen brez pas brezi si “përgjegjësi”, po i mbajnë gratë edhe larg tregut të punës”, vlerëson gazetarja e ekonomisë në Grupin KOHA, Sanie Jusufi në komentin “(Pa)fuqia e grave në tregun e punës”, duke shtuar se gratë e kanë të vështirë gjetjen e punës edhe kur kanë vullnet për t’i tejkaluar pengesat shoqërore. “Diskriminimi vazhdon edhe gjatë procesit të punësimit. Të dhënat tregojnë se gratë, edhe pse kryejnë punën e njëjtë si burrat, paguhen më pak për punën që bëjnë”.

Pjesa dërmuese e grave në Kosovë, sipas D4D-së, bëjnë punë të papaguara. Gratë konsiderohen kujdestare të fëmijës, duke iu ngarkuar atyre edhe përgjegjësia e plotë për rritjen e tyre dhe kujdesi ndaj të moshuarve. Hulumtimet tregojnë se 53.2 për qind e grave nuk kërkojnë punë për shkak të përgjegjësive familjare, përkatësisht kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit. Të dhënat tregojnë se rreth 12.7 për qind e grave kryejnë mesatarisht 6-8 orë në ditë punë të shtëpisë, siç është pastrimi, ushqimi, ndërsa 33.8 për qind kalojnë nga 2-4 orë, duke mos e llogaritur kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit, si pjesë të punëve të shtëpisë.

Demolli thotë se grave të punësuara u fuqizohet edhe dinjiteti në familje. “Sepse kur e ke paranë tënde, e ke edhe dinjitetin I cili nuk të shkelet lehtë”, thekson ajo. “Prandaj, fillimisht është dinjitet, e dyta është respekt, e treta është autoritet. E katërta është se edukon një gjeneratë të ardhme me modelin që ai duhet të punojë, nëna i punon. Ku ka më kënaqësi për familjet që t’i shohin fëmijët duke u angazhuar në mënyrë të barabartë”.

Jusufi shkruan se të gjitha format e diskriminimit nisin nga familja. “Që nga lindja, vajzat ushqehen me ‘manipulime morale’ mbi pushtetin e grave dhe burrave. Kjo qasje nuk mund të ndryshohet nëse nuk ka fuqizim ekonomik të grave”, thekson ajo. “Rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës duhet të mendohet përmes politikave qeverisëse. Hapja e qendrave për qëndrim gjithëditor për fëmijë dhe kostoja e arsyeshme për to do të ndikonte që gratë të kenë më shumë mundësi që të jenë pjesë e tregut të punës”.

“Pse na gratë me pritë prej dikujt?”

Valbona Sopa nga Sllovia e Lipjanit, thotë se zgjohet pa zbardhur dita që të kryejë fillimisht disa punë shtëpie para se të marrë rrugë drejt Prishtinës për të shitur produktet e perimtarisë së familjes, “Sopa”. “

Ju lutem të gjitha femrave që le të punojnë, le të gjallnojnë si të kanë mundësi. Të mos presin prej kurrkujt, sepse duke punu krejt, edhe nuk po mundemi me qitë kurrgjë në dritë”, thekson Valbona Sopa. Ajo falënderon Mihane Abdullahun dhe Afërdita Muratin, e cila gjithashtu shet produktet e biznesit familjar “Kastrioti” për mbështetjen që i kishin dhënë pasi fillimisht e kishte të vështirë të shiste prodhimet e saj në tregjet e Prishtinës.

“Si pjesë e biznesit, ta përkrahësh një grua domethënë ta përkrahësh së pari familjen, rreth, shoqërinë, ekonominë e vendit”, thekson Murati. “Kështu që sa më shumë që të përkrahen gratë aq më shumë do të jetë edhe ekonomia e vendit e zhvilluar”.

Ajeti, sipërmarrësja nga Sllatina që ka punësuar shumë gra në “Grasep”, thotë se gjithnjë e ka dashur një jetë më dinamike. “E kam dashur jetën me një vrull të punës, pak ma ndryshe, me kontribu edhe në familje, edhe kam dashur me kontribu edhe në rreth, edhe në shoqëri”, thekson Ajeti. “Pse jo, pse na gratë me ndejtë edhe me pritë prej dikujt kur edhe na jemi kanë të zonja dhe na ka falë Zoti me tanat. Mundemi me punu, mundemi me ia dalë, për çka jo. Për këtë shkak kam nis biznesin”.

“Fuqizimi ekonomik i grave është çelës për rritje ekonomike dhe reduktim të varfërisë”, e mbyll komentin gazetarja Jusufi.