Arbëri

Punësimi, një nga faktorët e zhvendosjes së popullsisë në zonat urbane

Regjistrimi i popullsisë për vitin 2024 ka nxjerrë të dhënën se në zona urbane jetojnë 50.18 për qind e popullsisë, e 49.82 për qind në ato rurale. Kjo tregon për lëvizje të madhe drejt qytetit, prej 2011-s kur është bërë regjistrimi paraprak. Njohës të çështjeve ekonomike e sociologë, numërojnë shkaktarët që kanë ndikuar në këtë lëvizje

795 mijë e 627 është numri i qytetarëve që jetojnë në vendbanime urbane, kanë treguar rezultatet e regjistrimit të popullsisë.

Kjo e dhënë tregon se në zona urbane jetojnë 50.18 për qind e popullsisë, derisa 49.82 për qind në ato rurale.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi thotë se qëllimi për të siguruar vend pune, ka bërë që të ndodhë shpërngulja në drejtim të qyteteve.

“E gjithë popullata në viset rurale nuk është që po merret me punë bujqësore. Dhe kjo i ofron ndaj mundësive të punësimit më të lehtë dhe më kualitativ. Po ashtu edhe një aspekt tjetër, që mendoj që është edhe pjesa e shkollimit të fëmijëve tyre. Do të thotë, në viset rurale nuk është që kemi në një kontroll ndaj mënyrës qysh mbahet mësimi, kemi raportime në vazhdimësi, ku ndoshta me javë të tëra nuk mbahet mësimi, për shkak se numri i ulët i nxënësve dhe nuk është një përgjegjësi në ato shkolla, në viset rurale, që të vijë mësimi i rregullt”, ka thënë Qerimi.

E sociologu Genc Xërxa thotë se një nga arsyet e migrimit lidhet edhe me mundësinë më të madhe për t’u qasur në teknologjitë e reja.

“Vetëdijesimi më i madh në vendet urbane është më i madh, pastaj edhe qasja apo prania e tyre, pastaj edhe aftësia për t’i përdorur është më e madhe në qarqet urbane sesa në qarqet rurale, ashtu që këta janë disa nga faktorët që ndikojnë që detyrimisht të kenë më shumë teknologji në vendet urbane se sa në ato rurale, ku edhe numri më i madh i popullsisë është qasja, përdorja shkon në numër më shumë në krahasim se sa në vendet rurale”, ka deklaruar Xërxa.

Sipas rezultatit të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, pjesa më e madhe e popullsisë, apo 61.97 për qind, kanë banuar në viset rurale.

Agjencia e Statistikave e Kosovës të enjten ka publikuar rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit. Bazuar në këto rezultate, Kosova ka 1,602,515 banorë.

Të dhënat e para përfundimtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës tregojnë se rreth 150 mijë banorë ka më pak krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.