Laura Pula, prokurore dhe koordinatore nacionale e zgjedhjeve, ka deklaruar se krahasuar me vitin 2010, vit në të cilin, sipas saj, janë mbajtur zgjedhjet më autokrate në Kosovë, tani ka evoluar zbulimi i kryerësve të veprave penale.
Ajo ka thënë se Kosova tashmë ka arritur të jetë shtet me demokraci elektorale, e madje edhe të përmendet në Këshillin e Sigurimit.
“Ka evoluar shumë edhe mënyra edhe zbulimi i kryerësve të veprave penale, por ka evoluar shumë edhe vetëdijesimi i qytetarëve në raport me keqpërdorimin e votës. Krahasuar me 2010-tën kur zgjedhjet kanë qenë pothuajse më të këqijat, autokrate për Republikën e Kosovës dhe ndër vite kemi arritur të jemi shtet demokrat, me demokraci elektorale. Kjo është arritje e madhe ndër vite dhe të jemi objekt i përmendjes në Këshillin e Sigurimit nuk është pak për shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo të dielën në edicionin special në KTV.
Derisa ka folur për përgjegjësitë e prokurorëve kujdestarë dhe atyre me ndërrime në ditën e zgjedhjeve, Pula ka thënë se kushdo që nuk i raporton parregullsitë brenda vendvotimeve, do të jenë përgjegjës për mosveprim në kohë.
“Ne i kemi të shpërndarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës prokurorët kujdestarë. Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë i kemi dy prokurorë kujdestarë, në të gjitha komunat tjera që janë në kuadër të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës janë gjithashtu janë prokurorë me ndërrime, ngase kujdestaria në nivel institucioni sot është nga ora 07:00 deri në orën 23:00. Personat përgjegjës që janë të zgjedhur dhe e monitorojnë procesin e votimit e kanë për obligim ta raportojnë çdo parregullsi edhe brenda vendvotimeve dhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata vetë do të jenë përgjegjës për mosveprim në kohë”, ka shtuar Pula.
Maloku i quan sondazhet kurth: Mjet manipulimi dhe keqpërdorimi

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku, ka thënë se sondazhet për zgjedhje janë kurth nga të cilat duhet pasur kujdes.
Në edicionin special të KTV-së për zgjedhjet e përgjithshme, Maloku ka thënë se sondazhet janë mjet manipulimi dhe keqpërdorimi dhe nuk mund t’u besohet.
Ai i ka marrë si shembull zgjedhjet në SHBA ku garuan Hilary Clinton kundër Donald Trumpit.
“Sondazhet nuk janë mekanizëm që e tregojnë drejt gjendjen, bindjet dhe përgjegjësinë që ka elektorati. Në zgjedhjet në SHBA kur ishin kandidatë Hilary Clinton dhe Donald Trumpi, një profesor amerikan 30 vjet kanë bërë sondazhe dhe asnjëherë nuk ka gabuar. Në zgjedhjet e 2019-tës, 1 javë para se të përfundonte fushata ai doli me propozimin dhe tha që Clinton për 3-4 për qind do të fitojë, mirëpo çfarë bëri ekipi i Trumpit, përdori një mekanizëm që nuk ishte përdorur asnjëherë, përdori rrjetet sociale dhe për një javë e përmbysi atë nuancë prej 3-4 për qind dhe doli profesori publikisht tha që sondazhet mund të jenë vetëm një mjet manipulimi dhe keqpërdorimi sepse nuk mund të jenë më mekanizëm që u besohet. Nuk mendoj se është ngritur ende një përgjegjësi publike për këto gjëra. Në këtë kurth mendoj se kanë rënë të gjithë ata që merren profesionalisht, duhet kemi shumë kujdes. Me ligjin tonë aktual nuk është e sanksionuar”, ka thënë ai.
Maloku ka shtuar se për zgjedhje të mirëfillta do të duhej të krijoheshin disa parakushte.
“Një ligj adekuat pasi ligji është një mekanizëm që mundëson, rregullon raportet mes institucioneve, mes subjekteve në tërësi. Një trup apo mekanizëm adekuat siç është Komisioni Zgjedhor, edhe këtu kam pasur vërejtje pasi vazhdoj të mendoj se Komisioni Zgjedhor i dalë nga partitë politike nuk është mekanizëm adekuat për mirëmbajtjen e gjithë procesit zgjedhor pasi kemi përfaqësues të të gjitha subjekteve politike dhe mbron interesat e partisë, ndërkaq ai është institucion shtetëror. Do të duhej të ndërrohej kjo mënyrë dhe të ketë përfaqësues gjyqtarë që mbrojnë interesat e shtetit jo të partive, subjekteve, individëve. Ka shumë shtete që kanë vu gjyqtarë me përvojë që kanë legjitimitet dhe bagazh pozitiv për punën që kanë bërë pasi ai nuk e rrezikon punën 40-vjeçare që e ka bërë me një hap të tillë”, ka thënë ai.
