Laura Pula, prokurore dhe koordinatore nacionale e zgjedhjeve, ka deklaruar se Prokuroria është aktivizuar dhe në bashkëpunim me hetuesitë e krimeve kibernetike po merren me identifikimin e personave që dyshohet se kanë cenuar fshehtësinë e votimit.
Ajo ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se janë identifikuar dy persona që kanë kryer këtë.
Vepra penale ndërlidhet me publikimin e fletëvotimeve në rrjetet sociale.
“Më 15 janar kemi marrë informacione se kanë nisur disa veprime të cenimit të fshehtësisë së votimit. Jemi aktivizuar dhe në kontakt me Policinë e hetuesit e krimeve kibernetike kemi marrë hapat e para për identifikim e hetim paraprak. Kemi arritur t’i identifikojmë personat që kanë kryer këtë vepër. Për momentin janë identifikuar dy, të tjerët janë në identifikim e sipër e shpejt mbi bazën e provave do të mund t’i identifikojmë personat e tjerë që bien ndesh me ligjin”, ka deklaruar Pula.
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve ka shtuar se veprat e tilla penale që lidhen me cenimin e fshehtësisë së votimit mund të dënohen nga 11 muaj deri në 5 vjet burgim.
“Aktualisht s'kemi informacione të tjera për incidente të tjera. Jo gjithmonë mund të zbulohen kryerësit e veprave penale, por deri më tani kemi arritur t'i zbulojmë ata. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të rrjeteve sociale si publikimi i formularëve të votimit pasi mund të penalizohen”, ka deklaruar Pula.
Ajo tutje ka theksuar se kjo është vepër penale, por zakonisht qytetarët nuk e dinë këtë. Pula ka deklaruar se secila vepër penale që lidhet me cenimin e votës e që kryhet në rrjetet sociale, do të trajtohet nga hetuesit e drejtorisë policore të krimeve kibernetike.
Pula tutje është shprehur se qytetarët janë vetëdijësuar deri në një masë sa të mos kryejnë veprën penale “keqpërdorim i së drejtës të votimit”. Ajo ka thënë se ata s’punojnë më për askënd që pastaj të shkojnë të vuajnë dënimin.
“Ky fakt na gëzon që populli ynë është vetëdijesuar dhe s’do të jetë argat i askujt e pastaj të shkojë të vuajë dënimin”, ka thënë prokurorja, derisa shtoi se zakonisht kjo vepër është kryer nga komisionerë të zgjedhjeve.