Arbëri

Pula: Asociacioni do të nënkuptonte Serbi brenda Kosovës

Shqiprim Pula

Analisti politik, Shqiprim Pula, ka deklaruar se asnjëra forcë politike s'duhet të lejojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi sipas tij, kjo do të nënkuptonte Serbi brenda Kosovës.

Pula ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se Kosova duhet t’i rezistojë “amputimi i një copëze serbe përmes këtij asociacioni”, derisa shtoi se duhet të respektohet Kushtetuta.

“Duhet ta kemi parasysh dhe të mos lejojmë t’i rezistojmë, por kjo bëhet kur ka unitet të brendshëm politik, t’i rezistojë kërkesës për asociacionin. S’duhet të lejuar që të amputohet një copëz Serbi përmes këtij asociacioni”, ka deklaruar Pula.

Ai është shprehur se themelimi i Asociacionit do të nënkuptonte “amputim” brenda Kosovës.

Tutje, Pula ka folur edhe për rrezikun që vjen nga projekti “Nova Rusia”.

“Ne jemi të rrezikuar nga një projekt i quajtur ‘Nova Rusia’ që është projekt rreth 150-vjeçar, e që ka synim shtrirjen e sllavizmit pa asnjë kriter e as sa munden. Në këtë kuptim, Serbia e ka po të njëjtën aspiratë, në rajonin tonë, shtrirje e saj territoriale e rritje pavarësisht se kush jeton në këto territore”, ka thënë Pula.

Njohësi i çështjeve politike ka shtuar se raste të tilla janë bërë gjatë luftës në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

“Mund të jemi të rrezikuar nga një aspiratë e njëjtë si ‘Nova Rusia’”, ka thënë ai.