Analisti Shqiprim Pula ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare nëse çalon në zbatimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e shtetit. Ai ka theksuar se organet e zbatimit të ligjit kanë vepruar drejtë me mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri.
“Janë të ligjshme, institucionet natyrisht se duhet ta shtrijnë autoritetin shtetëror për të siguruar sigurinë e ligjit në gjithë territorin. Pezmi që është ndjellë te disa ambasadorë duhet ta dinë që shteti është në mbarë territorin dhe nuk ka pjesë të territorit që kërkohet ligjshmëri dhe pjesë që nuk kërkohet ligjshmëri. Nuk ka ndasi territoriale ku duhet të lejohet apo jo ligjshmëria, si në veri”, ka thënë ai.
Pula ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka lejuar për vite që serbët të jetojnë pa paguar tatim, ndërsa tash nuk e duan ligjshmërinë në tërë territorin.
“Duhet ta dinë që, që nga paslufta pakica serbe në veri nuk ka paguar tatim, ujë, rrymë. Të gjitha këto në sytë e ndërkombëtarëve janë lejuar, për çka, për qetësi. Për cilën qetësia? Qetësinë fiktive apo demokracinë fiktive. Ku ishte OSBE-ja, EULEX-i, ambasadat që nuk reaguan për ta respektuar ligjshmërinë cep më cep të Kosovës. Këto ka elemente të dyshimta që nuk e duan republikën e vërtetë, ligjshmërinë e republikës për tu shtrirë në të gjithë republikën”, ka theksuar ai në emisionin “60 Minuta”.
Pula thotë se Ura e Ibrit duhet të hapet sa më shpejt, e se kërkesa e ndërkombëtarëve për moshapje të saj është e padrejtë, sipas tij.
Pula i sheh të çuditshme deklaratat e ambasadave të huaja kundër hapjes së kësaj ure. Ka deklaruar se duket sikur ato duan ta mbajnë situatën në veri ashtu siç është me vite.
“Në rastin e Kosovës kjo urë do shërbente, nëse do kishte vullnet politik dhe qasje të drejtë, për t’i jetësuar parimet fundamentale të BE-së. Nuk mund të jesh ambasador i një shteti të BE-së dhe të kërkosh që ura të mos hapet, pra të mohosh atë që është liri fundamentale, lirinë e qytetarëve, mallrave, shërbimeve. Po vazhdojmë të kemi çudira çdo ditë nga deklarata të çuditshme nga këta ambasadorë sikur nuk e duan, apo mund të ketë edhe elemente të dyshimta për të ruajtur një status quo në atë qytet.