Arbëri

Avdyli: Vakumi i lënë nga ndalja e fondeve amerikane mund të keqpërdoret nga Rusia e Serbia

Xhemail Avdyli

Xhemail Avdyli, menaxher i programit të zhvillimit në organizatën “Hibrid”, ka ngritur alarmin për rreziqet që mund të sjellë ndalja e fondeve amerikane në Kosovë, duke paralajmëruar se ky vakum mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm si Rusia dhe Serbia.

“Ndalja e fondeve amerikane ka lënë një boshllëk të rrezikshëm, i cili nuk guxon të mbetet i pambushur. Përveç sfidave të brendshme, rreziku më i madh është faktori i jashtëm – Serbia e mbështetur nga Rusia, e cila mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të rritur ndikimin e saj në Kosovë”, u shpreh Avdyli në “Konfront”.

Sipas tij, shoqëria civile është e vetëdijshme për pasojat që sjell ky pezullim fondesh, por mungon vetëdijësimi i duhur në nivel shoqëror dhe institucional.

“Ne si organizatë e dimë çfarë rreziku na kanoset, por institucionet tona nuk kanë treguar asnjë interesim për gjendjen tonë apo për mundësinë e vazhdimit të punës sonë. Kjo mungesë kontakti është shqetësuese”, theksoi ai.

Avdyli kërkoi angazhim më të madh nga institucionet vendore për të adresuar boshllëkun e krijuar, sidomos në sektorët që kanë qenë të mbështetur nga USAID-i, duke e quajtur punën e organizatave të shoqërisë civile “thelbësore për stabilitetin demokratik dhe zhvillimin e vendit.”


Ejupi: Nëse Bashkimi Evropian nuk nis përkrahjen, për 3-4 vjet s'do të ketë OJQ

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i organizatës INDEP, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian dhe ndalja e fondeve amerikane kanë qenë “shqelm” për ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian nuk i përkrah organizatat e shoqërisë civile në Kosovë këto rrezikojnë të shuhen brenda vitesh.

“Nëse nuk ndodh diçka, ose Bashkimi Evropian nuk ia nis me i përkrah këto organizata për 3-4 vjet nuk ki me pasë organizata të shoqërisë civile, ose ki me pasë ato që jemi mësu me i pa në rajon, në Serbi apo Shqipëri, që kryejnë shërbime për qeverinë. Shoqëria civile ka qenë e dallueshme në Kosovë sepse ne nuk kemi qenë të varura prej fondeve publike. Shumica e organizatave nuk kanë marrë fonde publike. Mund ta bëjmë edhe 3 muaj, 6, një vit, por edhe ne harxhitemi sepse edhe ne kemi me mbajtë familje dhe duhet me gjetë punë tjetër”, ka thënë ai në “Konfront”.


Hasaj: Ndalimi i fondeve amerikane më së shumti do të prekë institucionet publike

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blend Hasaj, ka paralajmëruar për ndikimin e madh që mund të ketë ndalimi i fondeve amerikane në Kosovë, veçanërisht për institucionet publike dhe sektorin e shoqërisë civile.

Sipas Hasajt, ndërprerja e ndihmës nga USAID-i do të prekë drejtpërdrejt funksionimin dhe reformat në sektorin publik, ku tashmë ekziston një mungesë serioze e kapaciteteve njerëzore.

“Në sektorin publik e kemi pas një problem të madh me mungesën e kapaciteteve njerëzore. Programet e USAID-it kanë sjellë ekspertizën e nevojshme, përmes së cilës janë bërë disa reforma të rëndësishme në ekonomi, arsim dhe shëndetësi”, ka thënë Hasaj në “Konfront”.

Ai tregoi se USAID ka qenë në një fazë të re, ku projektet filluan të zbatoheshin më shumë nga organizatat vendore të shoqërisë civile, duke u larguar gradualisht nga modeli i kontraktimit të kompanive amerikane.

“Një pjesë e madhe e ndihmës është kthyer prapë në SHBA përmes kompanive kontraktuese, por tani kishte nisur një trend pozitiv që fondet të shfrytëzoheshin nga organizatat kosovare”, shtoi ai.

Hasaj paralajmëroi se ndërprerja e kësaj mbështetjeje do të lërë shumë reforma në gjysmë, sidomos në sektorë strategjikë si energjia, ku sipas tij, qeveria aktualisht nuk ka kapacitetet e nevojshme për t’i çuar përpara proceset.


Puka: Vlera e kontratave në zbatim të USAID-it me OJQ-të në Kosovë, 28 milionë euro

Dren Puka, drejtor i hulumtimeve në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile, ka thënë se vendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, kanë pasur ndikim të madh në operimin e organizatave të shoqërisë civile.  

Puka ka theksuar se grupet më të prekura kanë qenë kryesisht grupet e margjinalizuara, fusha si qeverisja demokratike, mbrojtja e të drejtave të njeriut, fuqizimi i të rinjve, ofrimi i shërbimeve ligjore, zhvillimi ekonomik dhe mediat e pavarura.

Ai ka dhënë gjetjet nga hulumtimi i KCSF-së mbi ndikimin e vendimeve të administratës amerikane.  

“Nga të dhënat e pyetësorit e kemi kuptuar që vlera totale e fondeve që kanë qenë të kontraktuara për OJQ në Kosovë me fonde amerikane është rreth 28 milionë euro. Periudha kohore prej disa kontratave që kanë qenë në vitin e fundit të zbatimit, të tjera që i kanë pasur katër vjet deri në fund. Prej tyre, 28 milionë kanë qenë të shpërndara përmes 68 kontratave, ne kemi kontaktuar me 40 organizata. USAID për nga modaliteti kontraktimit nuk ka pasur shumë organizata drejtpërdrejt të kontraktuara për menaxhim të këtyre fondeve. Modelin e kanë pasur me kompani amerikane që më pas organizatat i kanë kontraktuar si nënkontraktorë. Kemi qenë diku 5 organizata lokale që kanë pasur kontrata të drejtpërdrejta me USAID-in”, ka thënë ai në “Konfront”.