Në Kosovë nuk ka një odë të veçantë që rregullon dhe mbikëqyr profesionin e psikologut klinik. Aktualisht, ata licencohen nga Oda e Infermierëve. Psikologët kërkojnë krijimin e një ode të veçantë, duke e parë si domosdoshmëri për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe ruajtjen e konfidencialitetit të pacientëve
Licencimin, mbikëqyrjen dhe sigurimin e cilësisë së shërbimeve të psikologëve klinikë e bën Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë e cila, sipas ekspertëve, nuk arrin t’i përmbushë në mënyrë efektive këto obligime, pasi nuk pasqyron specifikat e profesionit të psikologjisë klinike.
Psikologu Vigan Behluli përmend ruajtjen e konfidencialitetit të marrësve të shërbimeve të shëndetit mendor, si një nga çështjet që do të rregullohej me themelimin e një ode të veçantë për psikologët.
“Kemi diçka që shumë shpesh përmendet në popullatë por gjithashtu edhe te përfituesit e shërbimeve të shëndetit mendor, ai është diskrecioni apo konfidencialiteti. Në këtë aspekt kemi nevojë për mekanizma shumë më të përparuar sesa në fushat e tjera të shëndetësisë, kjo për arsye se konfidencialiteti është njëra prej shtyllave kryesore të themelimit të një marrëdhënieje terapeutike në mirëbesim”, ka thënë Behluli.
Oda e Infermierëve trajton edhe ankesat e qytetarëve ndaj ofruesve të shërbimeve të shëndetit mendor.
Por, njohësi i fushës së këtyre shërbimeve, Bind Skeja, thotë se me organizimin e tanishëm, si adresë e vetme e qytetarëve për ankesë ndaj psikologëve është gjykata, e cila sipas tij, është e kufizuar të marrë masat e duhura.
“Gjyqësori e ka shumë të paqartë mënyrën se si t’i marrin këto raste. Por mbi të gjitha, jo çdo shkelje përbën domosdoshmërisht vepër penale. Për shembull dikush, teknikat mund t’i përdor gabimisht, gjyqësori këtë s’mund ta vlerësoj, por, duhet ta vlerësojë Oda”, ka deklaruar Skeja.
Psikologët klinikë, pas përmbushjes së disa kritereve si puna praktike për një vit dhe diploma master në psikologji, mund të aplikojnë në Odën e Infermierëve dhe Mamive që të marrin licencën për të ushtruar profesionin.
Në Odën e Infermierëve dhe Mamive nuk kthyen përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me numrin e psikologëve klinikë të licencuar dhe as për procesin e licencimit, përfshirë bazën ligjore, statistikat mbi aplikimet, refuzimet dhe licencat e revokuara, numrin e ankesave për shkelje dhe masat e ndërmarra.
E, sipas Skejës, Kosova ka një nga procedurat më të lehta në Evropë për licencimin e psikologëve.
“Në shumicën e vendeve kërkohet dy vite përvojë praktike, minimumi, në shumë vende kërkohet edhe specializim i mëtutjeshëm e në Kosovë mjafton masteri, një vit praktikë dhe një provim”, ka thënë Skeja.
E në Ministrinë e Shëndetësisë nuk dhanë sinjale për krijimin e një ode të veçantë për psikologët klinikë.
“Odat janë të përcaktuara me norma ligjore dhe nuk përcaktohen me asnjë vendim tjetër, përveç në rast se bëhet plotësim ose ndryshim i ligjit, dhe që tani nuk është e mundur të parashikohet”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Psikologët klinikë shërbimet e tyre profesionale i ofrojnë kryesisht në klinika private