Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë ka shumë shanse të dështojë. Partia Socialiste ka vënë si kusht për votimin e rezolutës që asaj t’i bashkohet edhe dënimi i shkeljes së embargos nga ana e Shqipërisë gjatë luftës në Bosnjë me porosi të Sali Berishës, ish-president i Shqipërisë në atë kohë. Të njëjtin fat mund të ketë edhe rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë pasi, sipas përfaqësuesve të pushtetit në Kuvendin e Shqipërisë, për këtë çështje ekzistojnë 11 rezoluta. Sipas shumicës socialiste, çështja e të pagjeturve duhet të marrë më shumë vëmendje.
Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, së bashku me disa deputetët të tjerë të “Rithemelimit” propozuan një mocion me debat në Kuvend për një rezolutë “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës, Bosnjë dhe Hercegovinë”. Shehu ka dalë të mërkurën me deklaratë për media dhe ka deklaruar se shumica nuk pranon dhe ky është një akt i rëndë.
“Nuk prisja këtë qëndrim që mbajtën të majtët. Jam i befasuar sepse ata nuk pranuan që kjo rezolutë të kalojë në Parlamentin shqiptar. Në momentin që Parlamenti shqiptar deri sot nuk ka kaluar asnjë dokument për të dënuar këtë gjenocid, siç ka bërë Parlamenti Evropian, gjë që krijon një impakt shumë të madh për Kuvendin e Shqipërisë. Akt shumë i rëndë bllokimi i kësaj rezolute që ka kaluar në Kosovë, Mal të Zi”, tha Shehu.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës dhe madje ka mbështetur edhe rezolutat në OKB dhe OSBE”, ka deklaruar Balla. “Për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe të gjithë biem dakord që Shqipëria e ka dënuar këtë masakër. Shqipëria ka qenë mbështetëse e rezolutave në OKB për dënimin e gjenocidit dhe kemi përshëndetur vendimmarrjet e gjykatës së Hagës ndaj autorëve të kësaj masakre. Në këtë kontekst kemi pasur një propozim me propozuesin. Tritan Shehut i kam kërkuar që këto çështje të kenë dakordësinë e të gjitha palëve dhe askush nuk duhet të marrë protagonizëm për çështje që ne nuk kemi dallime ”, ka theksuar ai.
Balla riktheu në vëmendje korrikun e vitit 1995, kur sipas tij, ata që drejtonin Shqipërinë dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha furnizonin me karburant makineri vrasëse të presidentit të asaj kohë te Serbisë dhe pasojat që solli ai gjenocid. Balla kërkoi që rezolutës t’i bashkohet edhe dënimi i shkeljes së embargos nga ana e Shqipërisë gjatë luftës në Bosnjë.
“Pse jo, do të miratonim një dokument që do të ishte më integral”, ka thënë Balla.
Kryetari i grupit të parlamentar të PS-së ka vënë në dyshim edhe miratimin e një rezolute ku do të dënohej gjenocidi serb në Kosovë.
“Kuvendi i Shqipërisë e ka dënuar gjenocidin serb në Kosovë me 11 rezoluta. Pra, janë 11 dokumente parlamentare ku Kuvendi i Shqipërisë dhe përfaqësuesit e saj nuk reshtin për asnjë moment së kërkuari të qëndrimeve tona të qarta për çështje tjera ende të pazgjidhura, sikurse është çështja e të pagjeturve që duhet të marrë më shumë vëmendje. Pra, janë me qindra motra e vëllezër të Kosovës që nuk u dihet varri”, ka deklaroi Balla.
Ai kërkoi që për çështjen kombëtare të bëhet më shumë punë sesa debat.