Në Dhomën e operacionit të votimit përmes Postës kanë mbërritur të deponohen 15 mijë e 966 zarfe me fletëvotime. Të enjten janë pranuar rreth 1 mijë sosh. KOHA e ka përcjellë gjatë ditës pranim-dorëzimin e këtij numri të zarfeve me fletëvotime.
Zarfe me fletëvotime të plotësuara nga kosovarë që ndodhen në mërgatë kanë mbërritur sot në një postë private në Prishtinë. Protokoll të fortë sigurie kërkon bartja e tyre deri në Dhomën e operacionit të votimit përmes Postës.
Para selisë së KQZ-së zyrtarët po e presin edhe një ekip të specializuar të Policisë, përpara se të nisen tek tri posta.
Sapo mbërrijnë, eskorta nis ta çajë rrugën ekstremisht të ngarkuar.
Cak i parë është lagjja “Arbëria”.
Përpara pranim-dorëzimit, këtu bëhet skanimi i secilës prej 350 zarfeve, procedurë pas së cilës në sistemin global të postës përcillet informata se dërgesat janë pranuar nga marrësi.
“Ky është pranim-dorëzimi i tretë. Dy pranim-dorëzimet e para kanë qenë me volum jashtëzakonisht më të lartë”, shpjegon Shqipe Dushi, drejtoreshë e “DHL Kosova”.
Zarfet, që secila nga to mund të përmbajë deri në pesë fletëvotime, pranohen nga Haki Krasniqi, drejtor i operacioneve zgjedhore në KQZ.
Pasi pakot me fletëvotime ngarkohen në veturën e KQZ-së, eskorta zbret në “Lakrishte”, tek posta TNT.
Skena me zarfe të shkapërderdhura në dysheme nuk u pëlqen njerëzve të KQZ-së. Prandaj, nisin një debat me përgjegjësit e postës.
Këtu zarfe duhet numëruar një nga një. Rezultojnë të jenë 243 sosh.
Caku i fundit është posta UPS. Aty pranohen 196 dërgesat e fundit.
Kësisoj, vetura e KQZ-së ngarkohet me pako e thasë, në të cilët janë futur 789 zarfe me fletëvotime.
Eskorta niset drejt Dhomës së operacionit të votimit përmes Postës, që ndodhet në ndërtesën e ish-Gërmisë, në qendër të Prishtinës. Brenda saj janë edhe 15 mijë e 966 zarfe me fletëvotime, që janë deponuar ditëve të fundit.
Procesi ndiqet edhe nga vëzhgues, të cilët presin që piku të jetë të premten, ani se këtë javë rrjeti ndërkombëtar i postave të shpejta ka njohur vështirësi shkaku i motit ekstrem në Perëndim.
“Disa me aeroporte, me posta po kanë probleme shkaku i motit e të tjera, por besojmë që votat kanë me ardhë në kohë dhe siguria deri më tash ka qenë maksimale dhe shpresojmë të mbetet e tillë”, thotë Arbnor Mjeku, vëzhgues nga “Germin”.
Ky vëzhgues por edhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë, duhet të firmosen në një fletore që përmban informacione për njerëzit, në praninë e të cilëve hapet porta ku ndodhen fletëvotimet e mërgatës.
Me dërgesat e fundit të deponuara aty, numri i pakove me fletëvotime në këtë dhomë është 15 mijë e 966. Në orët e mbrëmjes do të shtohen edhe rreth tetë mijë të tjera që aktualisht ndodhen në Postën e Kosovës.
Dera bllombohet sërish. Ajo do të pranojë dërgesa më së largu deri në mesnatën e së premtes, kur është afati i fundit ligjor për t’i pranuar fletëvotimet nga jashtë.