Arbëri

Protestojnë regjistruesit për pagesa, ASK-ja thotë se do t’i shqyrtojë ankesat

Dhjetëra të tillë kanë protestuar te hënën, para Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me pagesat dhe kanë kërkuar rishikimin e këtij procesi.

Njëra nga organizatoret, Lirije Aliu, ka kërkuar nga ASK-ja që të respektohet kontrata e nënshkruar dhe të korrigjohen gabimet në pagesa.

“Arsyeja pse kemi dalë sot këtu është sepse jemi të pakënaqur me pagat që na janë servuar në bazë të regjistrimit të popullsisë. Pas bisedës e sipër me të nderuarin Yll Shala erdhëm në një konkludim që është formuar një komision që do të rishikohen prej A deri në Zh të gjitha ankesat që janë bërë nga fillimi dhe në rast se ka pasur diçka parregullsi në bazë të pagesave që është dashur të bëhen dhe tash nëse është bërë ndonjë parregullsi, i nderuari na i dha fjalën që shumë shpejt do të shqyrtohen dhe çfarë ka pasur gabime, paret do të dalin në kontot tona”, ka deklaruar Aliu.

Para dy ditëve, ajo tha se është formuar një grup i të pakënaqurve dhe numri i atyre që kanë shprehur pakënaqësi është rreth 200.

Gjithë këto ankesa do të shqyrtohen nga një komision që është formuar të hënën, u shpreh Ylli Shala, menaxher i projektit të regjistrimit.

“Menjëherë e kemi formuar komisionin i cili është duke shqyrtuar të gjitha ankesat e regjistruesve dhe gjitha pagesat që janë bërë. E kemi edhe një pjesë të stafit të cilin ende nuk e kemi paguar, jemi në proces sot ose nesër finalizohen edhe ato. Por do të ku bashkëngjitet edhe nëse vërehet se ka ndryshime në pagesa edhe në këtë pjesën të cilin e përmendi edhe Liria”, është shprehur Shala.

Sipas tij, Agjencia e Statistikave do t’i qëndrojë prapa kontratës së nënshkruar me regjistruesit dhe do të kryejë pagesat sipas saj.

Procesi i regjistrimit është zhvilluar nga 5 prilli deri më 24 maj.