Rreth 100 ish-punëtorë të komunës paralele në veri të Mitrovicës janë tubuar sot në mëngjes, në ora 07:30, para objektit komunal në veri të Mitrovicës, duke protestuar për pamundësinë e tyre për të hyrë në objekt dhe për të punuar.
“Ne sot kemi ardhur për t’u lajmëruar në punë dhe jo për të protestuar. Rreth 1700 punëtorë kanë mbetur pa paga ndërkohë që neve askush nuk kana ka informuar asgjë”, ka thënë për KosovaPress, njëri prej pjesëmarrësve në protestë.
Bëhet fjalë për objektin ditë më parë institucionet tona kanë vendosur stemën e Republikës së Kosovës, objekt ai që përdorej nga strukturat paralele.
Policia e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë me kohë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e qetësisë publike.
“Policia e Kosovës, edhe pse protestat kanë qenë të paparalajmëruara, sipas ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta, dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe protestuesit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestave të kalojë e qetë dhe pa incidente. Rreth orës 08:45 protestat kanë përfunduar të qeta dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore”, thuhet nw njoftimin policor.