Banorët e fshatit Gllamnikut të Podujevës të dielën u mblodhën te kryqëzimi i rrugës së fshatit të tyre me magjistralen Prishtinë-Podujevë. Nga aty, nëpërmjet një proteste kërkuan ndërtimin e një rrethrrotullimi, që sipas tyre, do t’ua lehtësonte qasjen për në magjistrale dhe për qytet.
Përfaqësuesi i fshatit, Osman Bahtiri tha se me rrethrrotullim do të zgjidhej edhe problemi i aksidenteve në komunikacion, që sipas tij, janë të shpeshta në këtë zonë.
“Ndeshje kemi për çdo javë. Një këndej a një andej. Unë personalisht jam i rrezikuar sepse duhet të dal dy-tre herë për nevoja tona. Janë nxënësit që kanë për të shkuar në shkollë, pleqtë dhe plakat të cilët duhet të shkojnë te mjeku. Andej është stacioni i autobusëve, nëse këndej mbyllet dhe nuk ndërtohet një rrethrrotullim nga të shkojmë”, ka thënë Bahtiri.
Bahtiri shtoi se ndërtimi i rrethrrotullimit do ta zgjidhte problemin edhe për banorët e disa fshatrave për rreth.
“Përpos Gllamnikut ky rrethrrotullim do t’i shërbente edhe fshatrave Dumosh e Sveçël, ata lidhjen me magjistralen Prishtinë-Podujevë pikërisht këtu. Kërkoj nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që sa më shpejtë të dalin në këtë vend e të mos na detyrojnë neve si qytetarë që ta bllokojmë qarkullimin e automjeteve”, ka shtuar ai.
Banorë të tjerë paralajmëruan vazhdimin e protestave javëve në vijim, e madje edhe radikalizim të metodave.
“Duhet të merret vendim dhe të dalin sa më shpejt. Nëse nuk marrin vendim ne do të dalim dhe do shtrihemi në rrugë për s’kryqi. Nuk është në rregull të bllokohen 495 shtëpi e të mos e ndërtojnë rreth-rrotullimin”, ka thënë Haki Abdullahu, banorë i fshatit Gllamnik.
Rexhep Sylejmani, protestues tha se ndërtimi i rrethrrotullimit është i vetmi opsion.
“Kjo duhet të bëhet patjetër. Ky rrethrrotullim do të bëhet patjetër, si të doni bëjani, kah të doni shkoni, ky rreth-rrotullim do bëhet”, ka theksuar Sylejmani.
Para protestës, banorët kërkuan nga policia që të bllokohet rruga për disa minuta, mirëpo kjo u refuzua nga një patrullë që ishte e pranishme. Zyrtarë policorë thanë se paralajmërimi nga qytetarët ka qenë vetëm për protestë skaj rrugës e jo për bllokimin e saj, madje paralajmëruan arrestime në rast se bllokohet rruga.
Pas kësaj, kërkesa u modifikua nga banorët duke kërkuar që të kalonin në anën tjetër të rrugës. E kjo lëvizje e tyre bëri që qarkullimi i automjeteve të ndërpritet për disa minuta.
Rruga Prishtinë-Podujevë, përkatësisht zgjerimi i saj është në ndërtim e sipër. Kërkesë të njëjtë javën e kaluar bënë edhe banorët e Dumnicës dhe Stanovcit të Komunës së Vushtrrisë.





