Banorë të disa lagjeve të Vushtrrisë po kundërshtojnë ndërtimin e urës në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Ata kanë kërkuar që ura të mos ndërtohet në lartësinë e paraparë në projekt, për shkak se kjo mund t’u shkaktojë probleme në qasje
Ndërtimi i një ure në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë është kundërshtuar të hënën nëpërmjet një proteste nga banorë të disa lagjeve të Vushtrrisë.
Ata janë kundër pjerrtësisë së rrugës përmbi urë, për të cilën kanë thënë se është e lartë dhe se kjo do t’u shkaktojë probleme në të ardhmen.
Isa Latifi, përfaqësues i protestuesve, ka thënë se rruga gjithnjë u ka sjellë telashe, dhe me ndërtimin e urës ato do shtohen.
“Sipas pikës së cilës na kanë dhënë inxhinierët, terreni ka rënie 6 për qind, gjegjësisht ngritje, ndërsa me ndërtimin e urës, nëpërmjet qasjes në urë na është rritur qind për qind – nga 6 për qind në 11.6 për qind, çka për neve është e papranueshme, sepse në këtë pikë kritike gjithmonë kemi pasur vështirësi”, ka thënë ai.
Latifi ka theksuar se u është drejtuar disa herë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
“Ju kam drejtuar me datën 16 shkurt, ju kam drejtuar Florije Pajazitit dhe Liburn Aliut... Është kryer gërmimi, kanë filluar hapjen e bazamentit të shtyllave të urës, më 25 shkurt ua kam bërë kërkesën e dytë Flories, Liburnit, Hysen Durmishit, Imer Fejzës. Nuk kam marrë përgjigje prej asnjërit”, ka thënë ai.
Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS për këtë çështje.
E banorët kanë theksuar se nuk do t’i ndalin protestat deri në realizimin e kërkesës së tyre.