Arbëri

Prorektorë e profesorë synojnë postin e rektorit të UP-së

Universiteti i Prishtinës

Prorektorë, profesorë dhe një dekan po synojnë pozitën e rektorit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. 

Bazuar në konkursin për përzgjedhjen e Rektorit të UP-së, të interesuarit kanë pasur afat t’i dërgojnë aplikimet e tyre deri më 21 maj në ora 16:00. 

Sipas burimeve të KOHËS, kandidatët që synojnë pozitën e Rektorit janë: Xhyljeta Mushkolaj- profesoreshë në Fakultetin Juridik, Sefer Avdijaj- profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe aktualisht prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion; But Dedaj- profesor në fakultetin Ekonomik, Faton Berisha – profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe aktualisht prorektor për personel akademik, integritet dhe botime; Isak Shabani- dekan në Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. 

Pozita e rektorit parasheh mandat katër vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat.

Aktualisht pozitën e rektorit e mban Qerim Qerimi. Ai këtë pozitë e fitoi në vitin 2022 pasi rektori i atëhershëm Naser Sahiti u shkarkua nga Këshilli Drejtues me arsyetimin se nuk ka treguar performancë të mirë në menaxhim.