Arbëri

Propozimi për më shumë bllok-tarifa kundërshtohet nga shoqëria civile dhe ekspertët

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka propozuar më shumë bllok tarifave në faturimin e energjisë elektrike, porse kjo nismë është pritur me kritika të ashpra nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe nga ekspertë të ekonomisë. Këtë, ata e konsiderojnë të dëmshëm dhe të padrejtë, tek thanë se përfitues kryesor do të jetë operatori i distribuimit të energjisë, e barra do t’u mbartet konsumatorëve me shpenzime më të larta

Propozimi i ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të prezantohen më shumë bllok-tarifa në faturimin e energjisë elektrike pas rritjes, është kualifikuar i dëmshëm dhe i papranueshëm nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe nga ekspertë të ekonomisë. 

Ali Sefaj, nga nisma “Asnjë cent më shumë”, ka thënë se me këtë ministria tenton që barrën e rritjes t’ua bartë konsumuesve më të mëdhenj të energjisë.

“Kjo në radhë të parë qëllim e ka t’i mundësojë KEDS-it fitime karshi kërkesave, duke e bartur ndryshimin e fitimit te kategoria që shpenzon më shumë. Në radhë të dytë e ka për t’u paraqitur para opinionit publik që ne po duam të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Sefaj. 

E profesori i ekonomisë, Ilir Hajdini, ka theksuar se shtrenjtimi i përfolur i çmimit të rrymës deri në 15 për qind do ta rrisë shportën e konsumatorit nga 30 deri në 70 euro në muaj. 

“Duke u bazuar në studimet e Bankës Botërore, nëse në shtetet e zhvilluara rritet çmimi i energjisë elektrike për 10%, atëherë efekti është 1.5% në përgjithësi. Ndërsa ne në Kosovë e shikojmë, e kemi ngritjen deri në 15%, parashihet të kemi një ngritje të përgjithshme të çmimeve prej 2-4%, si rezultat i kësaj rritje”, ka thënë Hajdini.

Ai ka paralajmëruar se ndikim do të ketë edhe te bizneset prodhuese dhe te tregtia. 

“Do të ndikojë në rritjen e importeve në raport me eksportet. Shumë biznese do të preferojnë të blejnë produkte prej kompanive të huaja për arsye se kompanitë vendore do vendosen në situatë më pak të favorshme dhe do jenë më pak konkurruese në tregjet e huaja”, ka deklaruar ai.

E teksa ka folur për propozimin në emisionin “60 Minuta” në KTV, të martën, ministrja Rizvanolli ka thënë se ai nuk do të prekë shumicën e konsumatorëve. 

Sipas ministres, vetëm 5 për qind e kalojnë këtë prag përgjatë gjithë vitit, ndërsa 35 për qind në disa muaj të vitit. Siç ka thënë ajo, për bllokun mbi 800 kWh, kanë propozuar që rritja të jetë sa më e ulët, pa cenuar sigurinë e furnizimit.

Ministria e Ekonomisë ka propozuar shtim të blloktarifave për konsumin mbi 800 kilovatë të energjisë elektrikë në muaj dhe të mos ketë rritje për ata që shpenzojnë nën 800 kilovatë, në komentet dërguar ZRRE-së, ndaj propozimit të saj për shtrenjtim prej 15 për qind nga muaji prill. 

ZRRE-ja më 11 prill do të marrë vendim për çështjen e shtrenjtimit të rrymës.

Rizvanolli ka thënë se si ministri nuk dëshirojnë rritje të çmimit për asnjë kategori, por theksoi nevojën për masa reale që mbrojnë sistemin energjetik dhe garantojnë furnizim të rregullt.

“Ka pasur shumë paqartësi në lidhje me rritjen e çmimit. Nuk dëshirojmë që të ketë rritje për askënd. Qëllimet tona kanë qenë që të japim propozime që në radhë të parë janë reale dhe jo parulla populiste, por të japim propozime që e ulin sa më shumë rritjen”, ka thënë Rizvanolli në emisionin “60 Minuta”.

Ministria, siç ka thënë Rizvanolli, gjithashtu ka propozuar te ZRRE-ja disa mënyra për të reduktuar nevojën për rritje të të hyrave, duke përfshirë rritjen e prodhimit nga Termocentrali Kosova B, blloku B2, pas intervenimeve që pritet të realizohen gjatë verës.

“Kjo pritet të ndikojë në uljen e importit për rreth 6 milionë euro, së bashku me faktorë të tjerë. Brenda këtyre tre vjetëve, me investimet që do t’i bëjmë në termocentralin Kosova B, importi në baza vjetore do të ulet për 20 mln euro dhe eksporti të rritet për 23 mln”, ka thënë ajo.