Arbëri

Propozimet për presidentin e ri mund të procedohen qysh tash në Kuvend

Menjëherë mund të nisë procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, pasi kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk ka shprehur interesim që t’i konsumojë të gjashtë muajt në karrigen që përfaqëson majën e pushtetit në Kosovë. Në kabinetin e saj kanë theksuar se procesi do të nisë sapo të ofrohen kandidaturat.

Artan Murati, këshilltar juridik i ushtrueses së detyrës së presidentes Osmani, i ka thënë KOHËS se koha kur do të nisë procesi i zgjedhjes së shefit të ri të shtetit varet kryekëput nga partitë.

“Për zgjedhjen e presidentit të ri, kjo është çështje e subjekteve politike se sa shpejt mund të merren vesh për të filluar me procedurën. Qysh tani, subjektet politike veç mund t’i fillojnë negociatat për të gjetur ndoshta emrin e ri, sepse dihet që nuk mund të ketë votim të suksesshëm të presidentit pa pasur një marrëveshje paraprake mes subjekteve politike”, ka thënë Murati. “Nëse dështon votimi i presidentit, është e qartë se vendi pastaj shkon në zgjedhje dhe për të pasur një lloj sigurie juridike, por edhe politike, është me rëndësi që të ketë një dakordim paraprak, para se të fillojnë procedurat për diçka të tillë”.

Pas deklarimit të dorëheqjes nga pozita e presidentit që Hashim Thaçi e ka kumtuar javën e shkuar, para se të nisej në Hagë për t’u përballur me akuza për krime lufte, qenë shtruar shumë dilema kushtetuese në lidhje me ushtrimin e detyrës nga kryeparlamentarja Osmani. Kjo pasi Kushtetuta nuk e njeh situatën kur presidenti jep dorëheqje, por vetëm atë kur përkohshëm mungon për ndonjë arsye.

Profesori i të drejtës kushtetuese, Visar Morina, thotë se me dorëheqjen e presidentit Fatmir Sejdiu dhjetë vjet më parë është institucionalizuar një praktikë kushtetuese në lidhje me atë se kush duhet ta pasojë deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

“Për sa i takon kalimit ose ushtrimit të detyrës së kreut të shtetit nga ana e kryetarit të Kuvendit, mendoj se kjo është një praktikë gjerësisht e pranuar në hapësirën kushtetuese evropiane”, ka thënë profesori Morina. “Diku mbi 90 për qind e kushtetutave të shteteve me rregullim parlamentar ose edhe presidencial, me përjashtim të atyre monarkike, parashohin mes tjerash që kurdoherë që vendi mbetet vakant, është fjala për kreun e shtetit, atëherë ai mandat i kalon kryetarit të parlamentit në shtetin përkatës”.

Dilema kushtetuese ishin ngritur edhe në pikën që ka të bëjë me përmasat e ushtrimit të kompetencave nga një ushtrues detyre i shefit të shtetit. Kushtetuta nuk parasheh ndonjë kufizim, ndërkaq një amendament kushtetues që ishte iniciuar vite më parë me qëllimin për ta ndryshuar formën e zgjedhjes së presidentit – nga votimi prej Kuvendit në votim nga populli – ishin listuar edhe kufizimet që kishte në vendimmarrje një ushtrues detyre i presidentit. Megjithëkëtë, amendamentet nuk kanë dalë për votim deri tash.

Profesori Morina është një nga dy përfaqësuesit që Kosova i ka në Forumin e Venecias. E, tek jep një interpretim për dilemën kushtetuese që lidhet me kompetencat, ai u referohet praktikave në Perëndim.

“Praktikat e mira të Komisionit të Venecias, praktikat e mira evropiane, janë ato praktika që qeveritë në dorëheqje, ose në ato raste kur kemi situatë të ushtrimit të detyrës së kreut të shtetit nga kryeparlamentari, atëherë sigurisht që në ato raste duhet që funksioni të ushtrohet vetëm në kryerjen e atyre kompetencave që janë vitale, që janë me rëndësi të veçantë për shtetin”, ka thënë profesori Morina. “Se çka mund të konsiderohet një funksion i tillë vital mund ta ilustroj për shembull me çështjen e dekretimit të ligjeve, ose me dekretim të gjyqtarëve, por do të kisha dilemë nëse, për shembull, shqiptimi i faljeve individuale do të mund të ushtrohej si kompetencë e plotë në kontekst të ushtrimit të detyrës së kreut të shtetit”.

Por, në kabinetin e Osmanit nuk e mbështesin këtë interpretim.

“Nuk ka paqartësi kushtetuese në aspektin e ushtrimit të funksioneve ose të kompetencave presidenciale nga ushtruesi i detyrës”, ka thënë këshilltari Artan Murati. “Në momentin kur kryetarja ose kryetari i Kuvendit merr rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit, bashkë me rolin vishet me të gjitha kompetencat kushtetuese që i gëzon presidenti i vendit, i pari i shtetit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Partitë në koalicion vetë nuk mund ta zgjedhin presidentin. Ato e përbëjnë vetëm gjysmën e anëtarëve të Kuvendit, ndërsa për t’u konsideruar kushtetuese zgjedhja kërkohet mbështetja e dy të tretave të ligjvënësve. E, në rrethanën kur zgjedhja e presidentit dështon, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.