Arbëri

Propaganda digjitale

Si Kosova ashtu edhe Finlanda përballen me fqinj me qasje armiqësore që përdorin mjete të ndryshme për të ndikuar në shoqëri. Ekspertja finlandeze e komunikimit strategjik, Päivi Tampere, e cila së fundi vizitoi Kosovën, ndau përvojat e Finlandës në këto çështje

Në kohën kur dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë kthyer në një sfidë globale, Kosova po ballafaqohet me rritjen e këtyre përpjekjeve për të ndikuar në opinionin publik dhe vendimmarrjen politike. Informimi i rremë jo vetëm që ndikoi në perceptimet e qytetarëve, por gjithashtu në rastin e Kosovës kontribuoi në përshkallëzimin e tensioneve, të cilat kulmuan edhe me akte terroriste.

Rusia dhe Serbia vazhdojnë ta përdorin dezinformimin si mjet për të sulmuar Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndër narrativat kryesore të përdorura janë shpikja dhe ekzagjerimi i kërcënimeve ndaj sigurisë dhe pronës së serbëve etnikë dhe pakicave të tjera; insinuata se Kosova është shtet i rremë që nuk mund të qëndrojë pa mbështetjen e Serbisë, si dhe portretizimi i NATO-s si një aktor armiqësor që kërcënon Rusinë.

Tensionet dhe mungesa e rezultateve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, po ashtu kontribuuan në rritjen e informatave të rrejshme dhe pasigurisë.

Päivi Tampere, eksperte finlandeze e komunikimit strategjik, e cila vizitoi Kosovën si e ftuar nga ambasada finlandeze, ndau përvojat e Finlandës në këto çështje.

“Në përgjithësi, kur flasim për manipulimin armiqësor të informacionit nga jashtë, shpeshherë objektivi është të polarizojë shoqërinë ose të dobësojë aleancat apo organizatat ndërkombëtare. Dhe ato objektiva, për shembull ato që ka Rusia, janë pothuajse të njëjta në pjesë të ndryshme të Evropës. Duke pasur parasysh se kjo përfshin edhe Kosovën, do të dëshiroja të kemi një bashkëpunim, le të themi, ndërmjet Kosovës dhe Finlandës”, ka thënë Tambere.

Në nivel global, dezinformimi shpesh ka për qëllim të përçajë shoqëritë dhe të minojë besimin në institucione. Tampere shton se Rusia është një nga aktorët kryesorë që përdor këtë taktikë në Evropë.

Sipas saj, qëllimi kryesor është të polarizohen shoqëritë dhe të dobësohen aleancat ndërkombëtare tek vë në dukje se taktikat e përdorura kundër Finlandës dhe Kosovës kanë shumë ngjashmëri.

“Retorika ka ndryshuar. Është bërë më agresive pas pushtimit të plotë të Ukrainës dhe pasi Finlanda aplikoi për anëtarësim në NATO dhe më pas u bë anëtare. Narrativat më të zakonshme nuk ndryshojnë shumë nga ato që përhapen në vendet e tjera perëndimore. Pra, NATO paraqitet si një aktor armiqësor që e kërcënon Rusinë. Dhe tani që Finlanda është pjesë e aleancës, konsiderohet gjithashtu si një kërcënim”, ka theksuar ajo.

Kosova dhe Finlanda ndajnë disa elemente të përbashkëta kur bëhet fjalë për sfidat e sigurisë dhe dezinformimit. Të dyja vendet kanë fqinj me qasje armiqësore që përdorin dezinformimin si mjet ndikimi. Narrativat janë shumë të ngjashme dhe taktikat që përdoren për të ndikuar publikun janë të njëjta, sidomos përmes rrjeteve sociale.

“Do të thosha se ka ngjashmëri në narrativat që përhapen dhe, sigurisht, në taktikat që përdoren. Pra, rrjetet sociale përdoren shumë. Por më duhet të them se jo të gjitha dezinformatat që përhapen në rrjetet sociale lidhen me aktorët shtetërorë. Pra, nuk është e paligjshme të shpërndash informacione të falsifikuara online. Secili prej nesh mund ta bëjë nëse dëshiron. Siç e pamë gjatë pandemisë, kishte njerëz që besonin se vaksinat ishin të rrezikshme ose që thjesht donin të përhapnin ato lloj thashethemesh. Kështu që nuk mund të arrijmë menjëherë ose automatikisht në përfundimin se një narrativë e caktuar dezinformimi është e sponsorizuar nga një aktor shtetëror. Por, po, do të thosha se narrativat janë vërtet të ngjashme. Dhe taktikat e përdorura janë gjithashtu të ngjashme”, thotë ekspertja finlandeze.

Kosova ka qenë cak i vazhdueshëm i fushatave të dezinformimit, veçanërisht pas rritjes së tensioneve me Serbinë dhe ngjarjeve në veri të vendit. Narrativat nga Serbia e Rusia synojnë ta paraqesin Kosovën si një shtet armiqësor ndaj komuniteteve të tjera, që ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova. Kështu u interpretuan të gjitha aksionet e fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele të drejtuara nga Serbia.

Edhe dokumenti kryesor strategjik i sigurisë së Kosovës 2022-2027, e definon Serbinë kërcënuesin kryesor të sigurisë për shkak të pretendimeve territoriale, cenimit të sovranitetit nga strukturat ilegale dhe përpjekjes së vazhdueshme për të parandaluar avancimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Sipas këtij dokumenti, Kosova është e ekspozuar ndaj kërcënimeve hibride, që përfshijnë elemente jokonvencionale, asimetrike, operacione të shtrirjes së ndikimit dhe sulme kibernetike të cilat synojnë dobësimin e sovranitetit të vendit, cenimin e integritetit dhe dëmtimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Raportet mbi dezinformatat dhe ndërgjegjësimi i publikut

Një nga përpjekjet më të fundit të Finlandës në luftën kundër informacioneve të rrejshme që i vijnë nga fqinji i saj, Rusia, është publikimi i raporteve mbi aktivitetet e informacionit të Rusisë që prekin Finlandën. Vështrimi i parë i disponueshëm publik i aktiviteteve të ndikimit të informacionit që synojnë Finlandën hedh dritë mbi retorikën dhe mjetet e ndikimit të Rusisë.

Mbledhja e informacioneve bazohet në burime të disponueshme publike.

Vështrimi i përgjithshëm përcakton aktivitetet e ndikimit të informacionit si akte të orientuara drejt qëllimit për ta ndikuar opinionin publik dhe sjelljen e njerëzve, si dhe të minojnë aftësinë e shoqërisë finlandeze për të funksionuar.

Sipas përmbledhjes, e cila është e disponueshme në faqen zyrtare të Qeverisë së Finlandës, aktivitetet e ndikimit të informacionit të Rusisë përqendrohen në retorikën kërcënuese dhe frikësuese që Rusia synon ta fusë në debatin publik. Narrativat kryesore e portretizojnë NATO-n si një aleancë agresive, janë kritike për mbështetjen që i ofrohet Ukrainës, si dhe vihen në dyshim motivet politike të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

Edhe pse është ende herët për të vlerësuar ndikimin e këtij raporti, ai tashmë ka hapur një debat të gjerë mbi ndikimin e dezinformimit në shoqërinë finlandeze.

“Ne zhvilluam diskutime me kolegët e mi në Helsinki që duhet të kemi një analizë publike ose një vlerësim të situatës së asaj që po ndodh. Së pari, për të rritur vetëdijesimin e njerëzve që ata të njihnin më mirë narrativat më të përdorura kundër Finlandës dhe për të mësuar se çfarë mund të pritet. U publikua tek javën e kaluar, kështu që ende nuk dihet se çfarë ndikimi do të ketë. Është shumë shpejt për të dhënë vlerësime. Por objektivi ishte rritja e ndërgjegjësimit publik për këtë çështje”, ka thënë Tampere. 

Sulmet kibernetike dhe siguria shtetërore

Një tjetër sfidë që lidhet me aspektin e sigurisë janë sulmet kibernetike, të cilat gjithnjë e më shumë përdoren si mjete presioni dhe destabilizimi. Cak i sulmeve të tilla kanë qenë edhe institucionet e Kosovës dhe organizata të shoqërisë civile. Shkollat, platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, disa ministri, e Policia e Kosovës dhe disa medie kanë qenë cak i sulmeve kibernetike.

Sulme të tilla u tha se erdhën edhe nga Rusia. Pati raste, sikurse ai i majit të vitit të kaluar kur njëkohësisht institucionet publike u ballafaquan me sulme kibernetike pas njoftimit që dhanë zyrtarë qeveritarë se do t’i ofrohet mbështetje ushtarake Ukrainës.

Sipas asaj që deklaruan zyrtarët qeveritarë, sulmi hibrid u krye nga Rusia. Faqja zyrtare e Presidencës dhe ajo e Kryeministrisë për disa orë mbetën jashtë funksionit.

Duke marrë shkas nga një deklaratë e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që paralajmëroi ndihma ushtarake për Ukrainën, hakerët rusë vendosën mbishkrimin: “Kosova duhet ta mendojë mirë nëse mendon t’i ndihmojë Ukrainës”. 

Sipas Tampere, këto sulme janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të minuar besimin e publikut në shtet dhe për të krijuar pasiguri.

“Nuk jam eksperte e sigurisë kibernetike, por mund të them se sulmet DDoS ndodhin çdo ditë. Dhe është shumë e vështirë të dihet kush qëndron pas tyre, sepse ato mund të porositen për shuma të vogla parash. Në shumicën e rasteve, janë kriminelë që përpiqen të përfitojnë. Por ky fenomen ndodh globalisht, jo vetëm në Finlandë”, është shprehur ajo.

Kërcënimet kibernetike vijnë nga akterët joshtetërorë dhe ata shtetërorë.

Ato janë shpesh të natyrës kriminale, të motivuara nga fitimi, por mund të jenë edhe me motive politike dhe strategjike. Si i tillë, krimi kibernetik nuk ka ndikim vetëm në ekonomi, por edhe në funksionimin e demokracive, lirive sociale dhe vlerave njerëzore.

Roli i NATO-s dhe bashkëpunimi rajonal

Pasi u bë anëtare e NATO-s, Finlanda ka vijuar përpjekjet e saj për të luftuar dezinformimin, por sipas Tampere, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh në qasjen e nisur shumë vjet më parë. Sipas saj, sondazhet tregojnë se finlandezët ndihen më të sigurt pas anëtarësimit në NATO, porse puna e tyre në fushën e dezinformimit ka vazhduar njësoj.

Edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi ndërmjet vendeve është kyç për ta luftuar dezinformimin.

“Bashkëpunimi është thelbësor, si brenda vendit, ashtu edhe në rajon. (13:28) Në Finlandë, ne bashkëpunojmë me institucionet shtetërore, OJQ-të dhe sektorin privat. Po ashtu, ndajmë përvoja dhe informacione me vendet nordike dhe baltike”, ka potencuar Tampere.

Në një takim të ministrave të Jashtëm në Bruksel fundvitin e kaluar u diskutua për sulmet e vazhdueshme kundër vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë sulmet kibernetike, ndërhyrjet politike, si dhe sulmet në infrastrukturën kritike. Një shembull i fundit është dëmtimi i kabllove të komunikimit me fibra optike në Detin Baltik. Që nga viti 2016, NATO-ja ka deklaruar se sulmet hibride kundër cilitdo prej vendeve të saj anëtare, mund të nxisin veprime sipas nenit 5 të Traktatit të Aleancës.

Sipas këtij neni, sulmi i tillë ndaj një vendi anëtar mund të konsiderohet akt agresioni ndaj gjithë aleancës dhe ta nxisë përgjigjen e të gjithë aleatëve. NATO-ja tradicionalisht merret me mbrojtjen e kufijve të jashtëm, ndërsa sulmet hibride janë të prira të ndodhin brenda vendeve aleate. Aleanca Veriatlantike po ashtu paralajmëroi një strategji të re kundër kërcënimeve hibride, përpara samitit të Hagës që mbahet në qershor të këtij viti.

Edhe Kosova, si pjesë e një rajoni të ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme, ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse për t’u ballafaquar me rreziqet e sigurisë.

Përvoja finlandeze tregon se transparenca, bashkëpunimi dhe edukimi i publikut janë elemente thelbësore për të ndërtuar një shoqëri më të qëndrueshme dhe të mbrojtur nga manipulimi i informacionit.

Kosova nuk është pjesë e NATO-s, por e ka brenda forcën e saj - KFOR-in, që muajt e fundit shtoi trupat e saj. Zyrtarë të saj në disa raste kanë përmendur Kosovën krahas Bosnjë-Hercegovinës si pika të nxehta të një konflikti të mundshëm. Alarmi u dha veçmas pas 23 shtatorit të vitit 2023, kur Kosova u ballafaqua me aktin terrorist në Banjskë të Zveçanit, nga një grup paramilitar serb. Sipas Prokurorisë, këtij grupi që udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mbështetje logjistike i ka dhënë shteti serb.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e akuzuan Serbinë edhe për sulmin e 29 nëntorit të vitit të kaluar mbi rrjedhën e kanalit të Ibër-Lepencit, që u konsiderua si më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike. Veç institucioneve vendore, hetime për zbardhjen e këtij rasti po zhvillon edhe FBI-ja.